Boçi: Grusht shteti, Rama kërkon të marrë me forcë Presidencën dhe pushtetin lokal
Intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: Rama po përpiqet ta transferojë si konflikt institucional për t’i hapur rrugën një konflikti të pastër civil më 30 qershor
Intervistoi: Jonida Halili
“Jemi në një situatë grushti shteti institucional, ku kryeministri kërkon me forcë të marrë nën kontroll të gjitha institucionet e vendit, përfshirë Presidencën dhe pushtetin lokal”. Këtë qëndrim mban ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ai thotë se konflikti që ekziston sot midis qytetarëve dhe qeverisë grabitëse, sipas tij, Rama po përpiqet ta transferojë si konflikt institucional e që më pas ta përdorë për t’i hapur rrugë një konflikti të pastër civil më datën 30 qershor. Për protestën e opozitës, e cila do të zhvillohet sot në orën 20:00, fill pas një situate të rënduar, Boçi thekson se: “Zemërimi i ndezuar maksimalisht nga zbulimi acik i grabitjes së vullnetit politik të votuesit dhe nga çmenduria e Kryeministrit që vazhdon të ndezë konfliktin institucional e civil, do të gjejë format më efektive të përshfaqes së tij”.
Gjysma e bashkive në vend është e vendosur për të zbatuar dekretin presidencial për anulimin e 30 qershorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Ç’ka ka sjellë dhe përplasje mes pushteteve vendore dhe qeverisë. Përtej akuzave të ndërsjella nëse kjo situatë vijon, çfarë pritet të ndodhë më 30 qershor?
Bashkitë janë në zbatim të vendimit të Presidentit të botuar tashmë në fletoren zyrtare. Po veprojnë sipas detyrimit kushtetues që kanë në raport me institucionin e Presidentit dhe me ligjet që rregullojnë marrëdheniet midis pushtetit lokal dhe atij qendror. Pas këtij botimi, veprimtaria e KQZ për një proces zgjedhor është nul dhe nuk mund të imponohet në territoret e Bashkive, pa miratimin e këtyre të fundit. Ajo që po ndodh këto ditë është e paparë në historinë e shtetit shqiptar. Një konflikt i gjeneruar me forcë, për shkak të arbitraritetit të përdorimit politik të institucioneve, të policisë dhe të zinxhirit të administratës shtetërore nga qeveria nën komandën personale të Ramës. Konfliktin që ekziston sot midis qytetarëve dhe qeverisë grabitëse të votës së tyre, të ekonomisë e të së ardhmes, Rama po përpiqet ta transferojë si konflikt institucional e më pas për t’i hapur rrugën një konflikti të pastër civil në datën 30 qershor. Jemi në një situatë grushti shteti institucional, ku kryeministri kërkon me forcë të marrë nën kontroll të gjitha institucionet e vendit përfshirë Presidencën dhe pushtetin lokal. Kjo datë peng, është sebepi që Rama po kërkon ta përdorë për të ndezur flakë Shqipërinë dhe për të ndërtuar aty alibinë e shpëtimit të vetes dhe të cetës së tij banale, arrogante, të neveritshme deri në pafundësi.
Së fundmi u regjistruan dhe dy arrestime politike, a mund të themi që jemi pranë instalimit të ndonjë regjimi?
Çunat e krimit që betohen për kokën e plakës dhe çunat e mamit, që betohen për kokën e krimit, sot kanë eleminuar çdo hapësirë demokratike dhe çdo hapësirë ligjore, duke e shndërruar Shqipërinë sipas projektit Rilindas në një feud të vetin, ku drejton dhuna, forca, fisi. E në krye kanë vendosur një individ delirant, të shfazuar e me probleme të shumta të shëndetit mendor i cili frikërat e veta për humbjen e pushteti i konverton në arrestime masive politike në formën e pogromeve ose në formën e goditjes së drejtuesve të lartë politikë. Jemi de facto në kushtet e një regjimi. Institucionet themelore mungojnë, Presidenti nuk konsiderohet nga junta qeveritare, policia është një skalion i vërber politik që arreston qytetarë e opozitarë deri kryetarë partie e ish-deputetë, Parlamenti ruçian është ilegjitim dhe një zgjatim i qeverisë. Në këto rretana nuk flitet as për shtet ligjor es për legjitimitet qeverisës. Rama kërkon që me procesin fals të 30 qershorit të konfirmojë de jure regjimin e tij policor. Regjimet si të tilla, pavarësisht si lindin predestinohen të rrëzohen. Çdo qytetar e ka detyrë ekzistenciale sot luftën me regjimin. Përgjigjen për krimet e tij Rama e ka tek porta.
Nisur nga situata tejet e rëndë, opozita sot do të zhvillojë protestën e cila vjen pas një situate tejet të rëndë, Çfarë do të ndodhë sot? Keni një mesazh për shqiptarët?
Si kurrë më parë e gjithë Shqipëria do derdhet në Tiranë për të rrëzuar tiraninë e e votës së blerë e të grabitur nga banda e kriminelëve me kollare dhe e të kollarisurve rrugacë. Zemërimi i ndezuar maksimalisht nga zbulimi acik i grabitjes së vullnetit politik të votuesit dhe nga çmenduria e Kryeministrit që vazhdon të ndezë konfliktin institucional e civil, do të gjejë format më efektive të përshfaqes së tij. Qytetarët kanë të drejtë sipas kushtetutës ta ushtrojnë drejtpërdrejt vullnetin e tyre politik, kur tashmë ai është provuar që është i shtrembëruar. Sot Republika është në rrezik, Kushtetuta e dhunuar, Demokracia në rrezik dhe Liria e marrë peng nga një bandë politike. Mesazhi im është ai që natyrshëm buron nga çdo qytetar i përgjegjshëm për fatet e vendit dhe të ardhmen e tij evropiane: Bashkim përmes protestës për të ndalur çmendurinë dhe revanin e krimit politik dhe politikës kriminale rilindase, e cila kërkon ta shtyjë vendin drejt humnerës, t’i vrasë demokracinë e t’i vdesë të ardhmen. Revoltë qytetare deri në largimin e Ramës, krijimin e qeverisë tranzitore dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.
Që nga nisja e protestave të opozitës janë gati 1 mijë qytetarë të arrestuar, shoqëruar dhe në procedim penal për protestat. Keni deklaruar se kushdo që dënohet për pjesëmarrjen në protestat e opozitës do të marrë statusin e të dënuarit politik. A do të ndëshkohen zyrtarët e policisë dhe qeveritarët që dhanë urdhrat për dhunimin dhe burgosjen e tyre?
Basha ka qenë i saktë në mesazhet e tij: Vlerësim politik përmes ligjit për të arrestuarit e dënuarit politik nga regjimi aktual i Ramës dhe ndëshkim me tërë forcën e ligjit për të gjithë abuzuesit, vandalët shtetërorë, jenicerët e krimit me uniformë policie, apo me kostum qeveritar nga i pari deri tek i fundit.
Ndërkaq, kemi dhe një nismë të Edi Ramës për të ndaluar lëvizjen e lirë të shqiptarëve nëse ato kryejnë sipas tij, krim elektoral?
Përpjekje e një të dëshpëruari që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe që mendja i ka dalë nga binarët, do ta quaja nismën e tij. Kushtetuta nuk pengon askënd të lëvizë i lirë, sikurse po kushtetuta i lejon njerëzit të zhdukin çdo pengesë që kufizon lirinë e tyre. Kjo nismë është një tjetër akt lufte ndaj lirisë së qytetarëve dhe që Ramës do t’i kthehet në shpagim të pashmangshëm. Krimin elektoral sot, si figurë krimi, është duke e kryer ai vetë. Në Shqipëri nuk ka situatë zgjedhore. Ai që duhet të arrestohet nuk duhet të jetë qytetari që kërkon të mbrojë kushtetutën por Rama që shkel kushtetutën dhe dhunon ligjet.
“Bild”, po shton dozën e publikimit të përgjimeve, madje kjo po cilësohet edhe si benzina që po i hidhet zjarrit. Nga ana tjetër, sot gazetari gjerman që i publikoi këto përgjime denoncon për sulme kibernetike në adresë të tij. Edi Rama ka kërcënuar me gjyq gazetarin. Në fakt a ka ndonjë faj Peter Tilde në këtë mes?
Rama përgjatë këtyre viteve në pushtet është mësuar të sulmojë median në vend dhe të mos i hyjë gjemb në këmbë për shkak të mënyrës së përdorimit të dhunës shtetërore. Atë që nuk e ka gjunjëzuar e ka blerë. Atë që nuk e ka blerë e sulmon çdo ditë çdo orë cdo minutë me një gjuhë tipike dhe karakteristike për një njeri që ka frikë nga e vërteta. Sulmet e organizuara nga zyra dhe makineria gjigande speciale e propagandës qeveritare ndaj Peter Tiede-s bëhen nën këtë filozofi dhe me këto metoda të zverdhura. Kërcënimet për gjyq ndaj Bild dhe Tiede janë shprehje e dëshpërimit kryeministror. Perdet tashmë kanë rënë dhe krimi elektoral me kriminelët e tij banalë është shfaqur në tërë neverinë e tij të plotë. Investigimi gazetaresk i Tiedes është në vazhdën e shumë të tillave në botë që kanë sjellë ndryshime epokale në politikën e vendeve ku janë bërë, përfshirë dhe SHBA. Ai është shembull i gazetarisë profesioniste, të pavarur, të pakorruptuar dhe që i shërben të vërtetës, vlerave dhe standarteve europiane demokratike.
Ndërkombëtarët, ndryshe nga herët e tjera, kanë qëndruar larg nismave serioze për zgjidhjen e kësaj krize? Si e komentoni ju? Shumica e tyre kanë qëndruar të heshtur edhe për përgjimet. E shihni si mbështetje të pushtetit qeveritar?
Për mua heshtja e tyre, me pak përjashtime është lënia në rënie të lirë e rrëzimit të një njeriu që shpërdoroi në mënyrë spektakolare besimin e tyre dhe besimin e socialistëve të thjeshtë.