Boçi: Rama po ecën me çmenduri drejt kaosit politik, ja synimi i 5 pikave të opozitës

Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi për “Koha Jonë”: Presidenti Ilir Meta nuk e ka shkelur kushtetutën e vendit. Rama shporret me përballje protestash të cilat kanë stinën e tyre

Intervistoi: Redjon Shtylla

Opozita çdo ditë e më shumë jep alternativën e sajë për zgjidhjen e krizës politike e cila tashmë është dhe institucionale. Ditën e djeshme, opozita e bashkuar bëri publike 5 pika, për të cilat ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi thotë se synojnë rakordimin e një qëndrimi të unifikuar opozitar që ndërton një aksion të përbashkët dhe të qartë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Boçi komenton edhe raportin e Komisionit të Venecias, ku thotë se gondola ka marrë pak ujë. “Kurrsesi komisioni nuk legjitimon 30 qershorin. Farsa e 30 qershorit nuk është një moment teorik e as i vetëm”. Për Presidentin Ilir Meta, ish-deputeti i PD-së pohon se: “Komisioni hetimor ka një këmbëngulje absurde si shfaqe e plotë e dallkaukllëkut nga njëra anë dhe djallëzisë politike nga ana tjetër e cila nëpërmjet njëmijë e një marifeteve kërkon të mbajë në këmbë në opinion një çështje që ishte e zgjidhur që në fillim dhe që përmblidhet në fjalinë: Presidenti nuk e ka shkelur kushtetutën”. Boçi nënvizon se opozita sheh si zgjidhje të krizës, zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në një ditë dhe paralajmëron se është stina e protestave të fuqishme.

5 pikat e planit të opozitës për Reformën Zgjedhore dhe dhënies fund të krizës politike, a janë të pranuara nga e gjithë opozita? Ju kërkoni që Edi Rama ti zbatojë ose të hapë krahun por si mund të ndodhë kjo? Nga ana tjetër, Rama ka thënë se: “Unë jam treni, nuk hap krahun për karrocën me kalë”! Si e ka menduar opozita realizimin e 5 pikave?

Opozita nuk ka cedime në qëndrimin e saj pavarësisht disa diferencave deklarative të cilat më shumë se dobësi tregojnë forcën e saj. Pikat janë të konsultuara dhe në tërësinë e tyre synojnë rakordimin e një qëndrimi të unifikuar opozitar që ndërton një aksion të përbashkët dhe të qartë. Zbatimi i tyre është një kërkesë e kushtëzuar nga kriza e gjithanshme politike, ekonomike dhe sociale dhe jo thjesht një parashtrim i i zhveshur politik.

Largimi i Ramës tashmë nuk është një çështje kombëtare por dhe ndërkombëtare. Modaliteti i largimit është i thjeshtë dhe brenda një normaliteti demokratik të domosdoshëm. Kontrata me votuesin është poshtëruar që në mënyrën sesi ajo është siguruar me pushtet të grabitur. Rama ka kapërcyer çdo normë bashkëjetese politike, ka thyer çdo rregull demokratik, është kapur në vjedhje votash, në grabitje me ligje të deformuara e pa ligje, ka shkelur kushtetutën, ka deformuar drejtësinë duke e zaptuar atë.

Vazhdimisht ai gjeneron anormalitet, ortakëri me krimin dhe konflikt me qytetarët. Rama mund ta konsideroj veten dhe tren ndoshta dhe avion që fluturon nën linjat e të tjerëve. Po ky mbetet një vlerësim krejt në ajër. Ndërkohë që si tren ai nuk ka shina sepse ka kohë që ka dalë prej tyre dhe ecën më nxitim çmendurie drejt kaosit politik. Aksioni politik i opozitës si një koordinim nëpërmjet organizimit kapilar, shpalosjes së alternativës dhe organizimit të protestave bashkë me unifikim e qëndrimeve me faktorin ndërkombëtar dhe do japë rezultat.

Opinioni i Komisionit të Venecias, doli në një përfundim se Presidenti Ilir Meta nuk duhet shkarkuar. Pyetja në këtë pjesë është se a duhet të vijojë Komisioni Hetimor i PS-së dhe procedura e shkarkimit të Presidentit pas opinionit të Venecias? Nga ana PS thotë se Venecia ishte kundër bojkotit të 30 qershorit. A vlen opinioni edhe për legjitimitetin e 30 qershorit?

Gondola e Venecias duket se ka marrë disi pak ujë. Ndërkohë që ajo shprehet taksativisht që Presidenti nuk mund të shkarkohet, nuk bën të njëjtën gjë me mënyrën e tejkalimit të kushtetutës që më shumë nuk është se sa është. Të dyja njëkohësisht këto qëndrime duket se krijojnë një non sens juridik por që tentojnë të krijojnë një ekuilibër politik të panevojshëm. Kurrsesi komisioni nuk legjitimon 30 qershorin. Farsa e 30 qershorit nuk është një moment teorik e as i vetëm.

Është një proces i cili u hodh poshtë dhe nga OSBE/ODHIR, pasi u pengua në të vullneti i votuesit, nëpërmjet një votimi monopartiak dhe ku organet  administrative si KQZ, nën urdhrat politikë, morën funksionet e gjykatave. Kushtetuta u konsiderua nga aktorët që realizuan atë me në krye Ramën si një letër pavlerë dhe u shkel me të dyja këmbët. 30 qershori ishte një lapidar turpi i cili vërtetoi se si vota vidhet në mes të ditës, se si ajo deformohet, se si krimi e trysnon atë, se si ajo numërohet me matematikë politike duke shtuar fiktivisht numrin e votuesve dhe se si krimi merr funksionet e drejtimit të vendit nëpërmjet kandidatëve me të shkuar kriminale.

I panevojshëm duket të jetë pas kësaj dhe vetë komisioni hetimor i cili ka një këmbëngulje absurde si shfaqe e plotë e dallkaukllëkut nga njëra anë dhe djallëzisë politike nga ana tjetër e cila nëpërmjet njëmijë e një marifeteve kërkon të mbajë në këmbë në opinion një çështje që ishte e zgjidhur që në fillim dhe që përmblidhet në fjalinë: Presidenti nuk e ka shkelur kushtetutën.

Bundestagu Gjerman është tema e ditës në Shqipëri. “PO”-ja me 9 kushte e dhënë për Merkel që të mbështesë Shqipërinë në tetor, në terma praktikë çfarë do të thotë së bashku me shtimin e kushteve? A është kjo një “PO” politike dhe “JO” teknike, pasi nuk ka një panoramë të qartë se kur nis ky proces për Shqipërinë, kur do të shqyrtohet kapitujt e negocimit? Më herët parlamenti Holandez dha “JO” dhe Franca është e shqetësuar nga kërkesat për azil.

Është pak të thuash që kushtet e shpallura nga Bundestagu vërtetojnë më së mirë drejtësinë e kauzës dhe të kërkesave të opozitës. Ato janë pasqyrë e gjendjes kritike politike në të cilën ndodhet vendi. Kushtet duken drastike në raport me mundësinë teknike të hapjes së negociatave, por dhe brenda kësaj ane teknike ka një fill politik i cili e zgjidh nyjën dhe bën që dashamirësia gjermane të funksionojë dhe ajo Po-ja politike të jetë e plotë.

Nëse kushtet fillojnë e plotësohen duke u ndjekur me largimin e Ramës dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme gjithçka do të reflektohet dhe në qëndrimin e shteteve të tjera përfshirë Francën dhe Holandën. Mos harrojmë që ka një lobim serioz nga ana e opozitës dhe një qëndrim politik të saj të paekuivok.

Interesat e vendit janë mbi interesat e politikës, kurrsesi pa hequr dorë nga bindja se largimi i Ramës i shërben një hapjeje të plotë të portave të Evropës dhe një kërkesë e pakthim e qytetarëve.  Një gjë e tillë lexohet mirë nën rreshtat e kushteve dhe këtu nuk duhet të ketë iluzione qeveritare. Meritat qeveritare në hapjen e negociatave deri më tani janë afër zeros. Ramës i ka përfunduar koha e dhuratave dhe i ka ardhur koha e llogaridhënies.

Kur u tha se shtatori do të ishte muaj protestash, opozita ndoqi një tjetër qëndrim. Nga ana tjetër, si opozitë keni paralajmëruar se do të intensifikoni aksionin kundër qeverisë, ku pjesë e saj do jenë edhe protestat. Mund të na thoni diçka më shumë dhe kur do të nisin ato?

Në asnjë moment ne nuk e kemi dorëzuar protestën dhe nuk mendojmë se vendi duhet të qëndrojë në një detante pa kuptim politik. Ne jemi brenda një krize totale e cila zgjidhet vetëm me zgjedhje politike e lokale të parakohshme e të njëhershme. Aksioni ynë politik ka njohur përgjatë kësaj kohe të tjetra dimensione dhe mënyra shfaqe si përputhje politike me situatat dhe interesat e vendit. Krahas organizimit kapilar për zgjedhjet e parakohshme ne jemi përqendruar në shpalosjen e alternativës për të ngjizur besimin e kërkuar nga refuzimi masiv i 30 qershorit dhe paraqitjen e plotë të platformave ekonomike, arsimore e shëndetësorë që do ta nxjerrin vendin nga kriza.

Njëkohësisht kontakti me faktorin ndërkombëtar është intensiv dha angazhimi ynë për hapjen e negociatave është konkret. Opozita nuk mund të mbajë kurrsesi peshën false në opinion si penguese e integrimit dhe e drejtësisë ndërkohë që e vërteta është krejt e kundërt dhe ajo ka nisur të përshfaqet e plotë. Boll baltë është hedhur mbi opozitën nga makineria e propagandës së ushqyer me para të pista e krim.

Penguesit e integrimit dhe deformuesit e drejtësisë janë në majën e pushtetit dhe bindja jonë është e pandryshuar. Me amoralin Rama nuk vlejnë kartat morale. Ai duhet shkulur si e keqa penguese e zhvillimit të këtij vendi dhe duhet prerë si nyja gordiane që lidh ngushtë krimin me interesat e pisat kriminale. Të gjitha këto të provuara e të faktuara qartë nga PD. Nuk ka iluzione me Edi Ramën dhe në asnjë moment nuk ka dyshime për mënyrën e largimit të tij. Ai shporret me përballje protestash të fuqishme të cilat kanë stinën e tyre dhe që së shpejti vijnë me intensitet të rritur. Nuk ka hapje apo mbyllje që e shpëton Ramën.

SHKARKO APP