Borë e ngrica, Keta: Reforma territoriale po jep pasojat e para negative. Të gjithë fshatrat në 7 njësi të Bulqizës janë bllokuar
Bisedoi: Herion Mesi
Deputeti demokrat i Bulqizës Roland Keta në një intervistë telefonike të zhvilluar pak më parë me “Koha Jonë”, bën një paraqitje të asaj çfarë aktualisht po ndodh në zonën ku ai është deputet si pasojë e kushteve të vështira atmosferike me të cilat po përballet i gjithë vendi ditët e fundit, e kryesisht zonat e Qarkut të Dibrës.
Keta rrëfen se temperaturat në Bulqizë janë tejet të ulëta, nga minus 17 gradë , por që në zona më të thella ajo është edhe më e ulët, dhe rruga nacionale që lidh Bulqizën me Peshkopinë dhe Tiranë është e kalueshme vetëm me zinxhirë. Ndërkaq, ai bën me dije se të gjitha fshatrat në 7 njësi administrative tashmë janë të izoluara nga dëbora, ndërsa shton se ende nuk ka një mbledhje të shtabit të emergjencave të kësaj bashkie për të diskutuar për një zgjidhje për banorët e këtyre fshatrave.
Nga ana tjetër, ish-kryebashkiaku i Bulqizës shprehet se reforma administrativo territoriale po jep dhe pasojat e saj negative sa i përket organizimit të shtabeve të emergjencave në përballimin e situatave të tilla.
“Ajo që mund të them edhe si ish-kryetari i Bashkisë së Bulqizës, problemet që po hasim kanë të bëjnë me reformën administrative territoriale, pasi sot në këto kushte atmosferike duhej të ishin mbledhur komunat dhe të ngrinin vetë shtabet e emergjencave dhe do të vendosnin vetë se si do të vepronin në përballje me situatën. Por sot situata është krejtësisht ndryshe, pasi këto njësi administrative tashmë duhet të presin që të mblidhet Këshilli Bashkiak që të thërrasin dhe këshillin e emergjencave. Pra, kjo pikërisht në këtë situatë në të cilën është përfshirë zona, po paraqet shumë probleme.”- thotë ish-kryebashkiaku i Bulqizës tashmë deputeti i PD-së, Roland Keta për “Koha Jonë”.
Zoti Keta si deputet në Bashkinë e Bulqizës dhe qarkut të Dibrës si paraqitet situata aktuale nga reshjet e dëborës në zonën që ju përfaqësoni?
Para se të flisnim bashkë unë isha në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e emergjencës. Por ajo që mund t’ju them është se temperatura është e ftohtë, minus 17 gradë, e në disa zona më të thella temperatura është më e ftohtë. Në Qafën e Buallit përveç temperaturave të ulëta po fryn dhe një erë e fortë. Rruga kryesore, Bulqizë- Tiranë dhe Bulqizë-Peshkopi dhe në Burrel është e kalueshme me zinxhirë. Problemi që ka ekzistuar mbrëmjen e djeshme në Maqellarë, sigurisht që ka pasur mjete të bllokuara që i përkisnin zonës së Bulqizës, ka qenë një erë e fortë. Ajo që mund të ngre unë si shqetësim është fakti se të gjitha fshatrat përreth Bulqizës janë të bllokuara.
A ka patur ndonjë kontakt mes banorëve dhe njësive administrative, apo ish-komunat?
Jo deri tani nuk ka patur asnjë kontakt me ta.
Po me ushqimet a kanë pasur probleme, duke qenë se bëhet fjalë për fshtra të izoluar tashmë?
Nuk ka probleme ushqimi, dhe as probleme shëndetësore. Bëhet fjalë për të gjithë fshatrat e 7 njësive administrative përreth Bulqizës që janë të bllokuara. Por ajo që mund të them edhe si ish-kryetari i Bashkisë së Bulqizës, problemet që po hasim kanë të bëjnë me reformën administrative territoriale, pasi sot në këto kushte atmosferike duhej të ishin mbledhur komunat dhe të ngrinin vetë shtabet e emergjencave dhe do të vendosnin vetë se si do të vepronin në përballje me situatën. Por sot situata është krejtësisht ndryshe, pasi këto njësi administrative tashmë duhet të presin që të mblidhet Këshilli Bashkiak që të thërrasin dhe këshillin e emergjencave. Pra, kjo pikërisht në këtë situatë në të cilën është përfshirë zona, po paraqet shumë probleme.
Me aq informacion sa ju keni, a është mbledhur shtabi i emergjencave nga bashkia e Bulqizës, do mblidhet apo si do ia bëjnë?
Ata e kanë detyrim ligjor që kryetari i bashkisë detyrimisht duhej ta mblidhte shtabin e emergjencave, por deri tani s’është mbledhur akoma. Por edhe po të mblidhen fillimisht ata do të shqyrtojnë dhe merren me problemet e qytetit. Ndërsa kur ishin komunat ishin më të interesuara dhe më të përkushtuara për të marrë masa të shpejta për zgjidhjen e situatave të tilla. Pasi ishte shërbimi më afër qytetarit. Ndërsa tani ky shërbim është larguar drejt qendrës, duke e shkëputur vëmendjen tek zonat e largëta. Nuk është vetëm për problemet që lindin gjatë periudhës së dimrit, por për të gjithë pëeriudhën e vitit, shërbimi ishte shumë më pranë banorëve dhe problemeve të tyre. Tashmë me reformën territorial njësitë administrative janë të harruara, pasi përqëndrimi është vetëm tek qyteti.
Me instancat e tjera shtetërore si ka qenë bashkëpunimi gjatë ditëve të fundit. Pasi edhe kjo çfarë po ndodh sot në qarkun e Dibrës nuk është një situatë e panjohur për banorët, pasi reshje të tilla dëbore thuajse janë të përvitshme?
Jam plotësisht dakort me këtë që ju konstatoni. Pasi ajo çfarë po ndodh sot ka ndodhur dhe herë të tjera, madje mund të them se kësaj radhe është diçka më e lehtë sa i përket emergjencave në krahasim me herët e tjera. Unë personalisht e shikoj të panevojshëm përhapjen e gjithë këtij paniku në media, pasi këto situata për banorët e këtyre zonave janë normale, mbase sigurisht janë gjetur të papërgatitur, por nga ana tjetër e dinë që dimri është i tillë dhe i marrin masat shumë më përpara. Sa i përket komunikimeve qoftë me ekipin e emergjencave por edhe me Policinë e Shtetit ata kanë qenë gjithmonë të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre gjatë këtyre ditëve, kështu që nuk kemi pasur asnjë problem.
KOHA JONË SONDAZH

