Botimi për sigurinë në Ballkan; Valbona Zeneli sjell “Në opinionin tim…”

Doktore në shkencat ekonomike, profesore në sigurinë kombëtare, por edhe drejtore e programit të Detit të Zi dhe Euro-Azisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë, George Marshall, Valbona Zeneli vjen me 39 artikuj të grumbulluar në një botim, në moshën e saj 39-vjeçare.

Nëpërmjet këtyre ajo përshkruan çështjet e sigurisë së Ballkanit edhe më gjerë, me librin “Në opinionin tim…”, çështje të sigurisë europiane, tregtisë dhe Ballkanit Perëndimor.

“Pak a shumë me këta artikujt e mij mendoj se kam folur edhe në emrin e atyre studentëve dhe kolegëve , të cilët kam takuar në udhëtimet e mia. mendoj se qeverisja e mirë, prosperiteti ekonomik nuk janë cështje që i takojnë vetëm vendimarrësve, por sigurisht janë cështje të cilat i takojnë edhe qytetarëve të thjeshtë”, thotë autorja Valbona Elezi.

Të pranishëm në promovimin e librit të saj kreu i shtetit Ilir Meta vlerësoi kontributin e saj të vecantë sidomos në çështjet e emigracionit.

“Ne në vendin tonë kemi një shprehje; dardha nën dardhë bie. Valbona përmes një fryme euroatlantike ka sjellë në këtë përmbledhje këndvështrimin e saj për sfidat me të cilat përballet sot rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e tij në NATO dhe BE. Në mënyrë të veçantë do të vlerësoja kontributin për trajtimin e cëshjteve të emigracionit dhe korrupsionit, forcimit të institucioeve dhe integrimit evropian, që janë tema të ditës në Shqipëri dhe rajon”, deklaroi Presidenti Meta.

“Valbona Zeneli është nga shqiptaret më të mira që është përfaqësuese jashtë Shqipërisë”, u shpreh Ambasadori amerikan, Donald Lu.

“Të jesh sot patriot do të thotë të kontribuosh në mëndimin intelektual të vendit tënd, ta bësh me dinjitet dhe të sigurohesh që në atë që thua dhe shkruan të ndezësh zjarrin e atdhedashurisë dhe të falenderoj se i ke bërë të treja”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Artikujt e paraqitur në këtë libër, ndricojnë gabimet që duhen shmangur në një periudhë të historisë sonë. Duke nxjeërrë në pqah që ngjarje të tilla si korrupsioni dhe emigracioni në Ballkan mund të kenë ndikim edhe më gjerë. Prandaj ato kërkojnë vëmendjen tonë të përqëndruar.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës:

Ne në vendin tonë kemi një shprehje “dardha nën dardhë bie”.

Kështu që unë dua të shpreh kënaqësinë më të madhe që Valbona ecën në gjurmë shumë të qëndrueshme dhe të sigurta e natyrisht duke arritur nivelet më të larta të kohës. Mjafton të shohim edhe referencat e shumë personaliteteve ndërkombëtare për idetë e saj, për esetë e saj, për tezat e saj.

Unë kam nisur karrierën ndërkombëtare në vitin 1992, bashkë me babanë e Valbonës dhe kam mësuar shumë prej tij për shkak të eksperiencës së tij. Por pasi jam përqendruar te ky libër, një pjesë të artikujve të tij ne i kemi ndjekur edhe në shtypin e shkruar, mund të them që kam mësuar mjaft edhe prej Valbonës. Dhe mendoj se të gjithë ne mund të mësojmë më shumë prej Valbonës, për arsye se ajo, ndonëse duket e brishtë, ka një mprehtësi dhe një fuqi depërtuese te problemet dhe fenomenet.

Ashtu sikurse ka edhe një largpamësi dhe mungesë kompromisi me realitetin, kur ai është problematik dhe kërkon një zgjidhje. Ndaj edhe një herë e falënderoj shumë Valbonën për këtë ftesë dhe e përgëzoj shumë për këtë libër.

Për Ballkanin kanë shkruar e shkruajnë shumë. Autorë të panumërt konkurrojnë me teza dhe analiza të ndryshme dhe siç e dimë përtej metaforës Ballkani gëzon një pozicion ku kryqëzohen kultura e kontinente, si dhe gjeneron gjithmonë ngjarje të rëndësishme.

Një koleg i nderuar i Ambasadorit Lu, i cili nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri më ka thënë – kur e kam takuar dhe kemi biseduar për të gjitha çështjet përfshirë edhe reformën në drejtësi, se “nuk kam qenë asnjëherë në Ballkan, por në të kaluarën pozita gjeografike ka qenë fatkeqësia juaj”.

Dhe është e vërtetë që ne e dimë këtë gjë, ashtu sikurse tani pozita jonë gjeografike është dhe mund të jetë fatmbarësia jonë, në rast se dimë ta menaxhojmë mirë këtë mundësi që kemi, por edhe ta lexojmë më mirë librin e Valbonës.

Ajo me eksperiencën e saj të akumuluar si doktore në shkencat ekonomike dhe profesore e Studimeve të Sigurisë Kombëtare, por edhe Drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë George Marshall, në të gjitha esetë dhe artikujt e saj ka kontribuar për të sjellë ide të reja e lançuar teza shumë interesante.

E formuar në tre vende shumë të veçanta për ne shqiptarët – aq sa shpesh garojmë edhe kë duam më shumë – Shtetet e Bashkuara, Itali dhe Gjermani, Valbona përmes një fryme euroatlantike, ka sjellë në këtë përmbledhje këndvështrimin e saj për sfidat, me të cilat përballet sot rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e tij në NATO dhe BE.

Në mënyrë të veçantë do të vlerësoja kontributin për trajtimin e çështjeve të emigracionit, korrupsionit, forcimit të institucioneve dhe integrimin evropian, që janë dhe temat e ditës në Shqipëri dhe në rajon.

Dje kam pasur një bashkëbisedim me të rinjtë nga vende të ndryshme të Ballkanit të organizuar nga “Deutsche Welle” dhe pavarësisht nga dallimet e të kaluarës dhe problemet e sotme, sfidat e të rinjve në të gjithë Ballkanin janë të njëjta. Dhe ajo që na trishton shumë padyshim është largimi i të rinjve nga Ballkani.

Në dekadën e dytë të demokracisë ne menduam se kishte ardhur koha për ta mbyllur emigracionin masiv dhe gëzoheshim që shumë të rinj, të mirë-edukuar e trajnuar jashtë, po ktheheshin për të kontribuar në vend apo për të ngritur sipërmarrje të suksesshme.

Por ja që ky problem ende është sjellë sërish në vëmendjen tonë, sidomos kur bëhet fjalë për të rinj të kualifikuar.

Si politikan nuk e kam të lehtë të pranoj se kjo gjë është dështim i klasës politike. Humbja e shpresës dhe e sigurisë së të rinjve brenda vendit është një shqetësim për ne dhe për të gjithë vendet e Ballkanit.

Ndaj dhe e gjej shumë interesante, provokuese dhe të guximshme tezën e Valbonës se, largimi i të rinjve të arsimuar nga vendi, konsiderohet nga politikanë cinikë – shpresoj të mos jem i tillë – si një çelës për të ruajtur ‘status quo’-në dhe reduktimin e rrezikut të opozitës politike, intelektuale dhe të shoqërisë civile në vend.

Ndërsa një konkluzion tjetër intrigues se në këtë mënyrë synohet eksportimi jashtë vendit i kërkesave për transparencë dhe llogaridhënie, është si një kambanë alarmi për të gjithë ne por edhe për të gjithë rajonin tonë.

Një vend pa të rinj është si një shtëpi pa fëmijë !

Të nderuar të pranishëm !

Lançimi i këtyre tezave, ideve dhe opinioneve merr një vlerë edhe më të madhe në sytë tanë si shqiptarë, kur ato bëhen në mediume prestigjioze dhe marrin vëmendjen e studiuesve ndërkombëtarë.

Suksesi i çdo shqiptari në arenën botërore na gëzon e na bën krenarë dhe ne jemi të bindur që Shqipëria ashtu sikurse ka njerëz të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës, të sportit, të shkencës, pa asnjë diskutim, që ka edhe në fushën e mendimit, të politikës ndërkombëtare, të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndaj dhe jam shumë i kënaqur që Valbona ka marrë vlerësime shumë të mirë nga media të ndryshme prestigjioze, sepse ato janë personale për të, por padyshim që ato janë edhe për vendin tonë.

Nuk do t’i hiqja as një presje të vetme vlerësimit të Drejtorit të Qendrës Marshall, Gjeneralit Keith Dayton, i cili ndër të tjera e vlerëson Dr. Zenelin jo vetëm si një ekonomiste brilante, por edhe si një vëzhguese të mprehtë të çështjeve ndërkombëtare.

Apo gazetarit të mirënjohur Tim Judah, i cili duke iu referuar eseve për korrupsionin, largimin e trurit nga Ballkani dhe sfidat e zgjerimit të BE-së shprehet se: askush tjetër nuk do të ishte në gjendje për ta bërë më mirë këtë se sa Zeneli.

Jam i bindur se ajo do të vazhdojë të na bëjë krenarë e të na surprizojë, provokojë, të na kritikojë me idetë dhe tezat e saj kurajoze e profesionale edhe në të ardhmen.

Nënë Tereza na mëson se: Ne mendojmë se ajo çka ne bëjmë është vetëm një pikë uji në oqean, por pa këtë pikë uji oqeani do të ishte edhe më i vogël.

Në këtë drejtim unë do t’i uroj sot Valbonës se sa më shumë kontribut e suksese ajo të japë në mbushjen e oqeanit të madh të botës akademike, intelektuale shqiptare, padyshim që ky është një kontribut për të cilin ne do t’i jemi mirënjohës dhe do t’i ftoja të gjitha ata që merren me këto çështje, ta lexojnë në thellësi librin e Valbonës.

Kur kemi qenë të rinj në kohët e vjetra merrnim literaturë dhe pasi e lexonim e debatonim. Unë mendoj që ky libër dhe shumë nga temat të cilat ne i debatojmë thuajse çdo ditë dhe i shohim në media, e meritojnë një debat të tillë edhe pse mund të mos jemi dakord me të gjitha tezat, por ato na vënë në lëvizje për t’u përmirësuar. Faleminderit!

SHKARKO APP