Erion Braçe për publikimin e pagave: Krim që synon destabilizim. Një pjesë e rrogave ngjajnë si produkt lavatriçesh

Ish-zv/kryeministri dhe deputeti i PS-së Erion Braçe e quan publikimin e rrogave si krim që synon destabilizim. Por mbi të gjitha ai thotë se në këtë sistem ka mungesa të punëmarrësve të famshëm. ”Po më bën përshtypje që mungojnë në listë emrat e disa punëmarrësve të famshëm. Ata si mungojnë? Nuk ka mundësi që sistemi në versionin ligjor të jetë pa ta! Ka vetëm një rast. Nuk është sistemi, por nje material i prodhuar kriminalisht që të duket si sistemi dhe pa të famshit doemos të lidhur me këtë krim”,-shkruan ndër të tjera Braçe në facebook.

Ja postimi i plotë i Braçes:

Po është krim, madje synon destabilizim! Ndaj duhet të hetohet që çke me të. Ligjërisht, plotësisht, në mënyrë gjithëpërfshirëse e deri në fund. Të ketë gjykim e ndëshkim për cilindo të përfshire, ky duhet të jetë fundi!

Tani kurrë nuk kam patur kuriozitet për rrogën e dikujt, sa paguhej. Më së shumti jam interesuar për të rritur rrogën minimale, zeruar tatimin mbi rrogën dhe ngritjen e dyshemesë së të ardhurave të patatueshme; mbrojtjen e rrogave të shtresës së mesme të ulët. As ky file i sotem nuk më ndezi kuriozitetin, madje as habinë për ca rroga që kanë shastisur shumëkënd.

Po më bën përshtypje që mungojnë në listë emrat e disa punëmarrësve të famshëm. Ata si mungojnë? Nuk ka mundësi që sistemi në versionin ligjor të jetë pa ta! Ka vetëm një rast. Nuk është sistemi, por nje material i prodhuar kriminalisht që të duket si sistemi dhe pa të famshit doemos të lidhur me këtë krim. Ndaj duhet hetim germë për germë. Ne nuk kemi një treg pune ku çmimi paguan meritën, ekspertizën, përvojen, punën e cilësinë e saj.

Tek ajo listë ka shumë emra që dëshmojnë këtë, por mua më bëri përshtypje një specialist finance i quajtur Armand Duka me rrogë 40 mijë lekë. Informaliteti me rrogat është dramatik, mashtrohet hapur e pa frikë, por duke shkaktuar një dëm kolosal, jo në të ardhurat e buxhetit të shtetit por në të ardhmen. Nëndeklarimet e rrogës reale deformojnë tregun, madje është e dukshme që më shumë para paguhen jashtë sistemit sesa në të.

Një pjesë e rrogave duken të pajuatifikuara, nuk ngjajnë si produkt i punës por produkt lavatricesh (edhe në sektor që predikojnë transparencë) të cilat i tradhëtojnë bilancet që dorëzojnë në organet fiskale që luajnë symbyllurazi!

E kuptoni tani se kujt i shkoi pjesa më e madhe e favorit fiskal mbi rrogat e larta që u votua në nëntor e hyn në fuqi më 1 Janar? Tani jam i bindur që dy propozimet e mia, ai qe llogaria e re të prekte rrogat nga 50 mijë lekë e lartë dhe tjetri një ligj i ri për tatimin mbi të ardhurat që mbledh çdo të ardhur-fitime, divident, aksione, qira etj dhe i taton në shkallë progresive, ishin të drejta dhe janë betejë që vazhdon.

SHKARKO APP