Braçe-Shkëlzenit: Ti dhe familja jote nuk duhet të flisni kurrë për vrasje, keni me shumicë mbi kurriz

Braçe thotë se vetëm ai dhe familja e tij nuk duhet të flasin për vrasje, pasi kanë mbi kurriz me dhjetra, duke nisur nga vrasjet e Tropojës, deri tek ato më 21 janar.

Deputeti socialist i ka kërkuar djalit të Berishës, që kur të kthehet nga pushimet në Maldive, të shkojë me të në prokurori për çështjen e Gërdecit, nëse është vërtet aq i pafajshëm sa pretendon.

Shkëlzen,

Mora të të lexoj dhe u zhgenjeva nga komentet nëpër blogje nën “reagimin” tënd.

Lartësia jote nuk mund të trajtohet kështu!

Unë nuk njoh njeri tjetër në këtë vend, mllefi deri në urrejtje ndaj të cilit të jetë me përmasa kombëtare.

Nuk di në i lexon ndonjëherë, apo jo por jam i bindur që tmerrohesh!

Kjo tregon se vërtetë, ty të marrin më seriozisht se unë.

Por, po kaq seriozisht të marr dhe unë. Jo si individ, por si fenomen. Jo vetëm ty xhanëm, por bashkë me babain dhe të tjerë.

Ju ishit dhe jeni familja që futi shtetin në shtëpi.

Shteti 100-vjeçar u bë i ri 8 vjeç dhe i vogël sa shtëpia jua.  

Harresa (shkruhet me rr të fortë), nuk ka qenë ndonjeherë zgjedhja ime, as e jona; pyet tët at për këtë.

“Harresa” është gjendja që dëshmon qartë për kapjen e shtetit të shqiptareve, segmentit jetik të tij, drejtësisë.

E keni ju; në të keni eëeruar ju, e kontrolloni ju, e përdorni ju!

Ju keni përmbysur sistemin, ose më qartë, keni ndërtuar një sistem tuajin, të ndryshëm nga ai i librave (shpresoj të mbash mend gjë nga shkolla se përtej tyre nuk besoj), sistem ku ju nuk keni thjesht të drejtën për avokat, por keni tashmë edhe prokurorë, edhe gjykatës!

Ti më adreson tek një vrasje e tre viteve më parë. Unë natyrisht të adresoj tek sistemi i Familjes tuaj;

Sistemi i dominuar nga zgjedhja e tët eti, përmes të cilit relativizoi çdo vrasje në krime të përbindshme, siç ai i Gërdecit, me çdo krim tjetër për të thënë veç një gjë:

S’ka gjë, jemi të gjithë njësoj.

Sistemi juaj e hetoi dhe gjykoi atë vrasje; unë isha në opozitë me tët at e me sistemin e tij.

Ashtu jam dhe sot!

E di qe do të të duket sërish akuzë e rëndë e do vijosh të thuash “takohemi ne gjyq”; është shprehja më e kollajt që nuk e dëgjon nga kërkush tjetër veç teje, sepse ju keni gjyqet nën kontrollin e sistemit tuaj.

Por megjithatë, bujrum Shkëlzen, shkojmë në Prokurori sërish, unë dhe ti;

Shkojmë për të rihapur hetimet për Gërdecin, rolin tënd e rolin tim në Gërdec; ti si biznesmen e unë si akuzatori yt, ti për biznesin që solli 26 të vrarë, unë për akuzën e qartë se “pushteti i Familjes vrau për të vjedhur e vodhi duke vrarë”!

Këtu i sqarojmë edhe telefonatat e tua, edhe telefonatat e mia, edhe takimet e tua, edhe takimet e mia, edhe kontratat e tua, edhe komentet e mia mbi to.

Por vetëm një gjë, mos u fshih pas emrave të çuditshëm, as pas atij të baxhanakut të tët eti, dili zot.

Këtë javë, nëse ti je kthyer sërish në Maldive, presim, kur të vizitosh këtë vendin tonë.

Në anën tjetër, nuk mundet që as ti e as ju, të flisni për familje të vrarësh!! Kurrë!!

Janë dhjetëra në Tropojë që thërrasin nga varret e shkatërruar apo të harruar, është Remzi Hoxha që nuk ka as varr, janë ata të mjerrët e ndershëm të Gërdecit që sërish thërrasin, jane ata të fundit, 4 të vrarët e 21 Janarit që ulërijnë.

Unë me përulje i ngushëlloj edhe ata që humben jetën e fëmijëve e të afërmve të tyre dje! Por ata nuk i vrau kryeministri, as djali i tij, as për hakmarrje, as për të vjedhur, as për të mbrojtur pushtetin e tij!!

Ndaj nuk jemi njësoj. Jemi të ndryshëm. Ne burra, ju sistemi!

Jemi të ndryshëm në atë që jemi, në atë që përfaqësojmë, në atë që bëjmë, po patjetër dhe në atë që dimë.

Ti Shkëlzen nuk di, nuk di sepse nuk lexon, ty të zënë gërmat, të bëjnë aq tapë sa zgjohesh në Maldive.

Po të lexoje do e dije që unë kam thënë që duart lahen me sapun (sapun është ai me të cilin lahesh), sapuni rekomandohet në dokumenta zyrtare, dokumenta shkencore; mos i lexo, nuk janë për ty”, thuhet në reagimin e deputetit socialist./

SHKARKO APP