Braimllari: Misioni i opozitës, largimi i Ramës dhe nxjerrja e vendit nga kriza ekonomike

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari,  thotë se fokusi i LSI-së është një program politik që do të kthejë shpresën te qytetarët.

“Fokusi i LSI është një program politik i cili krijon mundësi punësimi, kthen të rinjtë në vend dhe shpresën, për të investuar. Ajo çka ne po punojmë çdo ditë është krijimi i mundësive të barabarta për biznesin, suportimi i biznesit të vogël dhe të mesëm në mënyrë që të mos përqendrohet ekonomia në duart e 3-4 oligarkëve. Ky program i qartë, për të kthyer shpresën. Këto pika janë të panegociueshme për ne. Kemi një grup të përbashkët me opozitën që të rakordojmë programet”,- tha Braimllari për Report TV.

Braimllari thotë se opozita ende nuk ka përjashtuar asnjë mundësi sesi të maksimalizohen votat, por thotë se LSI nuk i druhet daljes vetëm. Kjo forcë politike, i ka të gjitha potencialet për të garuar e vetme në zgjedhje. “LSI ka një potencial të jashtëzakonshëm, për të dalë veçantë në lista, jo vetëm në Tiranë por edhe në të gjithë vendin, por ky nuk është një vendim që më takon mua, është një vendim që i takon strukturave të LSI, çështje që merret në frontin e opozitës së Bashkuar sepse duhet të rakordohemi që shqiptarët pas 25 prillit të kenë një qeveri që mendon për to” – u shpreh Braimllari.

Përzgjedhja e kandidatëve, është një tjetër çështje për të cilët opozitarët vijojnë intensivisht punën. “LSI është e qartë në aksionin e saj, ecën me një axhendë afatgjatë në raport me shërbimin dhe kërkesat e qytetarëve për të zgjedhurit e tyre. Është e qartë me 12 drejtuesit e qarqeve, ata që do drejtojnë fushatën, për ekipet, që të ketë përfaqësues që kanë lidhje me zonën. Çdo emër i LSI ka fokusin kryesor largimin e kësaj qeverie, për të nxjerrë vendin te kjo krizë ku Rama ka futur vendin”,- e përfundoi Braimllari.

 

Lidhur me intensifikimin e thirrjeve se garuesit më 25 prill duhet të gëzojnë një integritet të lartë të pastërtisë së figurës, Braimllari thotë se këto thirrje duhet të bien në veshin e Edi Ramës, pasi sipas tij, ky i fundit ka afruar në parti njerëz të lidhur me krimin. Për këtë arsye, Braimllari thotë se shumë socialistë të zhgënjyer nga Rama, po i bashkohet LSI.

SHKARKO APP