Braimllari në Kolonjë: Varfëri ekstreme, opozita ka planin që mban rininë në vend

Në vijim të takimeve me banorët e qarkut të Korçës dhe të konstatimit të problematikave që kanë zonat e këtij qarku, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari këtë herë ka denoncuar keqqeverisjen në Kolonjë. Teksa ka postuar një foto të takimit me strukturat e LSI-së në bashkinë e Kolonjës, ai thotë se këtë vend të traditës, Rilindja e ka lënë në varfëri ekstreme. Sipas tij, banorët kanë mungesa të theksuara në shërbime dhe investime.

“Në takim me strukturat e LSI-së në bashkinë e Kolonjës. Kolonja e Rilindjes së vërtetë, e traditës dhe e vlerave kombëtare po përballet me varfëri ekstreme me mungesën e shërbimeve, me mungesën e investimve dhe me një qeveri të papërgjegjshme dhe arrogante e cila Rilindjen e vërtetë e ka lënë në varfëri ekstreme dhe pseudorilindjen e ka pasuruar në kurriz të qytetarëve të ndershëm”.

Nga ana tjetër, ai thotë se është koha për një plan që mban rininë në vend dhe që krijon vende të reja pune dhe mbi të gjitha, për këto zona duhet një plan që stimulon biznesin e vogël.

“Është koha për t’a nxjerrë vendin nga kjo varfëri ekstreme për të kthyer besimin tek të rinjtë për të rikthyer shpresën në vend, me një plan konkret, që hap vende të reja pune, që simulon biznesin e vogël dhe të mesëm, që vendos një sistem meritokracie dhe vlerash dhe jo një sistem parazit të paaftësh siç na solli pseudorilindja e Ramës”.

Kurse më herët, gjatë një vizite në Mborje të Korçës në një takim me banorët e këtij fshati, këta të fundit kanë shprehur shqetësimin e mungesës së ujit të pijshëm dhe sipas Braimllarit, kjo ndodh se pushteti i korruptuar i Edi Ramës si dhe ai lokal i Korçës punojnë vetëm për fasadë dhe kanë si qëllim të mbushin vetëm xhepat e klientëve të tyre në kurriz të qytetarëve të ndershëm të Korçës.

“Mborja e Korçës është lënë në harresë nga Rilindja. Megjithëse në vitin 2020, mungesa e ujit të pishëm është ende shqetësim për banorët. Në Mborje jo vetem familja e Mbretes por dhe shumë familje të tjera po përballen me harresën, mungesën e investimeve nga Rilindja dhe mungesën e ujit të pishëm. Përtej propagandës dhe trumbetimit, pushteti i korruptuar i Edi Ramës dhe ai lokal i Korçes mendon dhe punon vetëm për fasadën. Rilindja nuk ka në fokus t’i shërbejë qytetarëve por të mbushin xhepat e klienteve të tyre në kurriz të qytetarëve të ndershëm të Korçës”.

Braimllari ka qenë edhe në fshatin Biranj, ku ka folur për largimin e të rinjëve nga vendi duke theksuar nevojën e politikave konkrete për ta. Ai ka thënë se politikat duhet të favorizojnë të rinjtë që ata ta shikojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre dhe jo të shkojnë në Maqedoninë e Veriut apo në Greqi për punë sezonale.

“Në Biranj të Korçës, në një takim me banorët ku ngritën shqetësimin e largimit të të rinjve nga vendi. Rilindja shpopulloi dhe varfëroi vendin. Nuk ka mundësi punësimi dhe shpresë në vend ndaj duhen politika konkrete në shërbim të rinisë. Sot është momenti të kthejmë shpresën tek të rinjtë, sot është momenti të krijojmë më shumë mundësi punësimi për të rinjtë. Sot është momenti të ndërtojmë politika që favorizojnë të rinjtë me qëllim që të rinjtë ta shikojnë të ardhmen e tyre në vendin tonë dhe jo të shkojnë në Maqedoninë e Veriut apo në Greqi për punë sezonale. Në këtë vend të mrekullueshëm ku mundësitë janë të jashtëzakonshme, por politika korruptive, klienteliste e Rilindjes, e ka lënë shumë mbrapa Biranjin por dhe pjesën më të madhe të fushës së Korçës”.

Më herët, gjatë një takimi me banorët e Barçit të Korçës, u bë e ditur se prej kohësh vuajnë mungesën e infrastrukturës dhe ujit të pijshëm, pasi Rilindja i ka harruar për interesa klienteliste. “Edi Ramës dhe kukullave të tij nuk i interesojnë problemet e përditshme të qytetarëve por vetëm politika e fasadës. Qytetarët përveçse mungesës së vendeve të punës, kostos së lartë të jetës, mungesës së investimeve në bujqësi, falimentimin e biznesit të vogël dhe të mesëm, largimin e të rinjve nga vendi sot duhet të kthehen shumë vite pas”.

Kurse në fshatin Dishnicë 3 kilometra nga Korça, Braimllari denoncoi mungesën e infrastrukturës rrugore. Ai thotë se investimi i fundit në këtë fshat daton në vitin 2009 dhe shton se banorët nuk mund të kalojnë në rrugën kryesore të Dishnicës. Më tej Braimllari akuzon qeverinë dhe Edi Ramën për mungesën e investimeve duke theksuar se politika e tyre ka marrë fund. ”Një zonë 3 km larg Korçës ku nuk ka infrastrukturë. Një zonë 3 km larg Korçës ku banorët nuk kanë mundësi të kalojnë, duket shumë qartë se si është rruga në këtë zonë sot që është kohë e mirë, por imagjinoni se çfarë bëhet kur fillojnë reshjet. Politika fasadë e Rilindjes ka marrë fund. Është koha e politikës së shërbimit ndaj qytetarëve. Sot më shumë se kurrë Dishnica dhe e gjithë Korça, kanë nevojë për mbështetje dhe për investime konkrete. Nuk kanë nevojë për show dhe për një politikë fasadë. Edi Rama dhe Rilindja kanë marrë fund, sepse politika e tyre e fasadës, nuk është politika e shërbimit qytetar. Sot është koha t’i shërbejmë qytetarëve”.

Nga Pogradeci, Indrit Braimllari ka thënë se ky qytet ka sot një sezon turistik të dobët dhe është bërë shkas për largimin e të rinjëve. ”Largimi i të rinjve si në çdo qytet të Shqipërisë është një plagë dhe për Pogradecin për shkak të politikave të Rilindjes. Politikat klienteliste të rilindjes të cilat nuk favorizojnë biznesin vendas por klientët e qeverisë, po i marrin frymën Pogradecit në këtë sezon turistik dhe gjithë Shqipërisë”.

SHKARKO APP