Braimllari te Bregu i Lumit: Lleshi urdhëron policinë të dhunojë gratë
Policia ka shkuar sot te ‘Bregu i Lumit’ teksa ka larguar me forcë banorët e shtëpive, të cilat janë parashikuar për t’u prishur.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë me forcë duke larguar banorët. Sipas banorëve, policia iu ka mbledhur telefonat me qëllim që ata të mos filmojnë aksionin për prishjen e tyre. Aksioni i prishjes ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku janë raportuar edhe konfrontime fizike.
Në aksionin e ditëve më parë, Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë banorët, të cilët kërkuan me ngulm dëmshpërblim financiar.
Partia Demokratike ka dënuar me ashpërsi ndërhyrjen dhe dhunën e Policisë ndaj banorëve, ndërsa veprimet e tyre i ka cilësuar të papranueshme dhe njëherësh kriminale.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Braimllari në një prononcim nga Bregu i Lumit, ku ka patur përplasje mes banorve që po u prishen shtëpitë dhe policisë së shtetit, ka akuzuar Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshi si urdhëruesin e policisë që të dhunojnë gratë.
“Sandër Lleshi të bëjë kujdes, pushteti i tij dhe i Edi Ramës po merr fund. Banorët janë në të drejtën e tyre. Banoret po trajtohen si terroristë. Kanë ardhur në 6 të mëngjesit i kanë nxjerrë gratë, fëmijët dhe të moshuarit nga shtëpia”, është shprehur Braimllari.
“Sandër Lleshi nxjerr me pizhama njerëzit nga shtëpia. Edi Rama dhunon të varfrit dhe përkrah oligarkët. Edi Rama po dhunon qytetarët për interesat e tij personale”, tha drejtuesi i lartë i LSI.
KOHA JONË SONDAZH

