“Britaniku” Basha dhe ballkanasi Rama

Në Partinë Demokratike dhe opozitë ka kohë që flitet për një reagim të fortë ndaj qeverisë me protesta dhe tubime. Në këtë klimë me ide për mënyrën sesi duhet reaguar ndaj pushtetit të Edi Ramës, kreu demokrat Lulzim Basha paralajmëroi dje me urgjencë një konferencë për mediat. Opozitarët prisnin që kryedemokrati të deklaronte një vendim të fortë kundër kryeministrit.

Dhe Lulzim Basha foli.

Në daljen urgjente për mediat, kryedemokrati  njoftoi se kandidatët e Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare do të zgjidhen sipas modelit konservator britanik!

Me një qetësi të admirueshme kreu i PD-së foli për komisione vlerësimi, procese kontrolli dhe specialistë nga Londra që do të çertifikojnë emrat e kandidatëve të Partisë Demokratike. Dukej sikur Basha fliste si vëzhgues i zgjedhjeve në një vend përendimor me demokraci shekullore, ku problemet kryesore janë se cila parti ka kandidatët me më shumë tituj akademikë apo që debatojnë me muaj kur flitet për një urë të madhe që lidh dy brigje. Më saktë, Basha të jepte përshtypjen e një britaniku që sapo kishte zbritur në Rinas dhe mendon se të bësh opozitë në Shqipëri është njëlloj si të pish çaj anglez. Me po kaq lehtësi kryedemokrati foli për zgjedhjet e ardhme, sikur gjithë ngërçi dhe kaosi politik ka ardhur për shkak se demokratët nuk dinë si të zgjedhin kandidatët. Ndërkohë harroi se disa ditë më parë deklaronte se “me këtë kryeministër nuk ka zgjedhje”. Nga fjalori i Lulzim Bashës është zhdukur krimi qeveritar, koncesionet dhe korrupsioni. Basha sikur të mos kishte jetuar fare këto kohë në Shqipëri mendon se problemin nuk e kanë rregullat e lojës dhe qeveria, por lojtarët e tij dhe shpik modele britanike për të zgjedhur kandidatët. Natyrisht që përzgjedhja duhet dhe ngre pikë në publik, por përderisa ka një kryeministër arrogant dhe që vjedh votat me bandat kriminale, atij nuk i merren dot votat vetëm me kandidatë të përzgjedhur. Ai duhet rrëzuar pikësëpari, siç është deklaruar PD-ja kur ka thënë se nuk futet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Pa protesta dhe rrëzim të tij për të krijuar një qeveri zgjedhore pa Edi Ramën, nuk ka asnjë garanci në zgjedhje. Le të seleksionosh kandidatët me të mirë, që edhe në OKB shkëlqejnë, por kur përballen me Edi Ramën dhe bandat e tij, humbin.

Edhe pse është kryetar i Frontit Opozitar, kryedemokrati flet gjithmonë vetëm për PD-në dhe sërish harron se përballë “Qeverisë së krimit” nuk fitohet pa hequr kryeministrin që rri me bandat, siç akuzon selia blu. Problemi me kandidatët është shumë më i thjeshtë sesa e bën Lulzim Basha, mjafton që në lista të mos vendosen vetëm ata që do kryetari, por edhe ata që do baza dhe s’ka nevojë për ekspertizë tjetër. PD dhe opozita duhet të mblidhen se kur do ta rrëzojnë Edi Ramën me forcën e popullit siç ka kërkuar Sali Berisha e jo të harxhojnë kohë me përzgjedhje kandidatësh. Pa e neglizhuar punën e Bashës në këto përzgjedhje kandidatësh në mënyrën britanike, e cila meriton lavdërim, por prapë rreziku mbetet se duke u marrë me kandidatët, mund të përfundojnë në vota të vjedhura si vitin e kaluar, kur edhe pse ishte në qeveri, ia vodhën hapur.

Ndërkohë Edi Rama vazhdon të qeverisë si një politikan ballkanas tipik. Kur e di që kundërshtarët janë të dobët tregohet arrogant i pamëshirshëm, kur i ka frikë mundohet t’i blejë me çdo çmim. Formalisht kemi një republikë në dukje me demokraci parlamentare, por praktikisht gjithë fijet e pushtetit, që nga Kuvendi e deri të gjykatat janë të lidhura në zyrën e kryeministrit dhe kryetarit të PS. Kryeministri betohet përditë për Brukselin dhe citon politikanë perëndimorë, por nuk e fsheh se ka idhull Erdogan dhe pak nga pak po imiton pushtetin e tij. Në media thotë se ka partinë më të pastër politike, por në zgjedhje nuk i refuzon teserën asnjë krimineli të dënuar nga gjykatat, mjafton që t’i sjellë vota. Ndërsa Basha merr një herë program gjerman për zgjedhjet dhe një herë kandidatë britanikë, nga ana tjetër Edi Rama i mbledhë të gjithë; elektoratin, bandat dhe biznesmenët e koncesioneve e në pak ditë punë siguron fitoren e radhës. Sfida për Bashën është si do të përballet me këtë kryeministër. Kur flet për krim dhe mafie në qeveri, më e pakta është një reagim që kërkon ndryshimin e një regjimi. Dhe kjo nis me aksion në rrugë e protesta dhe aksion politik për rishikimin e ligjeve dhe Kodit Zgjedhor

Të njëjtën gjë bëri dhe në zgjedhjet e kaluara, mori ekspertë gjermanë dhe punoi me muaj për programin elektoral dhe në fund u mund nga Edi Rama që të vetmin program kishte timonin dhe çitjanet. Asnjë premtim nuk bëri Rama, por i përlau votat.

Ndaj me Edi Ramën duhet pikësëpari përballja në rrugë e me popull. Nëse opozita futet në zgjedhje, kur ka deklaruar se nuk futet më këtë kryeministër, ka mundësi që të pendohet thellë pas ditës së zgjedhjeve.

SHKARKO APP