Budina letër të hapur kryeministrit Rama: Më lejo të bëj një shfaqje, aty ku ishte Teatri, të ftoj edhe ty!

Regjisori Edmond Budina sot i ka bërë një kërkesë Edi Ramës që ta lejojë që të realizojë një shfaqje në truallin ku më parë ishte godina e Teatrit Kombëtar. “Ju kërkoj të më lejoni të jap një shfaqje në truallin e teatrit kombëtar. Ju siguroj që nuk do të ketë eksploziv, molotov, armë, por vetëm art. Ju siguroj që shfaqja do të jetë konform rregullave të ministrisë. Duke marrë në konsideratë distancimin fizik të artdashësve. Ju kërkoj atë hapësirë të lirë publike që të bëhet art.

Jam i gatshëm t’u vë në dispozicion tekstin, ju ftoj të merrni edhe pjesë në shfaqje si spektaktor. Si pronar i këtij vendi në momentin që do të na lejojë do të zhvillojmë. Është një ide që më ka lindur me këtë pandeminë që ndodhi, i izoluar në shtëpi. E kam krijuar në shtëpi. Nëse refuzohem do të kem një hap tjetër, e kam menduar”,- tha ai.

Letra e plotë e regjisorit Edmond Budina:

Sikundër jeni në dijeni, unë, Edmond Budina, jam pjesë e atij grupimi të shoqërisë shqiptare, që kundërshtoi e proteston kundër shqyerjes së Teatrit Kombëtar. Për dy vjet e katër muaj protestuam në mënyrën më paqësore, duke shpërfaqur një sens qytetarie të pashembullt për Shqipërinë, por jo vetëm për të. Vetëm pas ndërhyrjes brutale të policisë suaj më 24 korrik të vitit të shkuar qytetarët protestues hynë në teatër. Është krejtësisht e pavërtetë ajo, që ju propagandoni, se protestuesit e kishin zaptuar Teatrin prej dy vjetësh e katër muajsh. Ata hynë në Teatër për ta mbrojtur, pastruar, mirëmbajtur e rijetëzuar, duke zhvilluar mbi tetëdhjetë aktivitete, ku morën pjesë artistë nga e gjithë bota. E gjithë nisma u krye pa asnjë lek prej buxhetit të shtetit, veç me kontribut vullnetar në një kohë, që shteti i drejtuar prej jush preu dritat dhe ujin. Një veprim antinjerëzor dhe i paprecedent për asnjë vend demokratik. Shqyerja, që iu bë teatrove atë agim të 17 majit, me gjithë vlerat e pallogaritshme materiale, që ruanin, por mbi të gjitha më protestuesit ende brenda, lemerisi mbarë opinionin. Jo rastësisht shtypi botëror e cilësoi si një akt barbar, fashist e talebanesk. Personalisht nuk arrij ta kuptoj, se si është e mundur të shemben tre salla teatri me një histori tetëdhjetë vjeçare të një kryeqyteti njëqind vjeçar në një kohë, që ishin gjetur rrugët nëpërmjet institucioneve europiane edhe të një financimi të mundshëm për restaurimin. Në një qytet një-milionësh nuk do të ishte më mirë një teatër më shumë, në një vend tjetër, se sa një më pak?! Aktualisht hapësirat teatrore janë ngushtuar së tepërmi e qyteti është më i varfër. Meqenësei ju jeni pronari i hapësirave publike dhe i keni njohur të drejtën vetes të transferoni pronësinë nga pushteti qendror në atë lokal etj, po ashtu sikundër unë legjitimohem në të drejtën kushtetuese të shprehjes së fjalës së lirë dhe të ushtrimit të profesionit, ju kërkoj të më lejoni të jap një shfaqje në truallin e Teatrit Kombëtar, që për qytetarët ka qenë konsideruar përherë si një hapësirë lirie. Ju siguroj, që nuk do të ketë eksploziv, molotovë, armë, por vetëm art. Po ashtu ju siguroj, se shfaqja do te jetë konform rregullave dhe protokollit të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen nga Covid-19, duke marrë në konsideratë distancimin fizik të artdashësve. Dashurinë tonë për artin e kemi treguar më së miri në ata dhjetë muaj të festivalit për mbrojtjen e Teatrit, e kundërta e asaj, që bëtë ju duke na dhunuar me ruspa e armë. Si qytetar i këtij vendi, që nuk e dëshiron dhunën dhe do të shmangë një përplasje mes policisë e forcave paramilitare (të tillë i konsideroj të gjithë ata, që veshin uniformën e policisë së shtetit pa numër identifikimi) nga njëra anë dhe qytetarëve nga ana tjetër, ju kërkoj atë hapësirë publike të lirë, me qëllimin për të bërë art. Nëse është në rutinën tuaj të kontrolloni më parë tekstin, konceptin regjisorial ose çfarëdo lloj informacioni, unë jam i gatshëm t’jua vë në dispozicion. Po ashtu nuk hezitoj t’ju ftoj të merrni pjesë në shfaqje, natyrisht si spektator. Uroj, që kërkesa ime të ketë një përgjigje pozitive prej jush.
Edmond Budina

SHKARKO APP