Bumi turistik, ministrja Denaj: Të ardhurat nga prodhimet vendase kaluan eksportet

Edhe pse në kaos dhe shumica online, në Komisionet Parlamentare po shkon drejt fundit diskutimi dhe prezantimi i projekt-buxhetit të qeverisë për 2024.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tregon kontributin që turizmi pati këtë verë në të ardhurat që erdhën nga prodhimet shqiptare. Siç shpjegoi Denaj, si rezultat i turizmit, prodhimet shqiptare kanë kontribuar një herë e gjysmë herë më shumë sesa totali i eksportit.

“64 miliardë lekë, 640 milionë dollarë erdhën nga prodhimet e brendshme dhe 570 milionë dollarë erdhën nga eksporti. I cili sigurisht vjen më i rritur se shumë vite më përpara. Pra, një here e pak më shumë sesa eksporti”,-shpjegon ministrja. Denaj shton edhe se numri i turistëve sezonin e ardhshëm do të jetë akoma më i lartë dhe ky, siç u shpreh ajo, duhet të jetë stimul për të gjithë qytetarët që të mos e lënë tokën djerrë.

Po ashtu ministrja u shpreh edhe se sfida për vitet e ardhshme do të jetë bashkimi i operatorëve bujqësorë. ”Bashkimi i operatorëve, është një bashkim që nuk ndodh me urdhër qeverie. Por është një bashkim interesash, që nëse duhet të kuptohet mirë, kur ekziston tregu i brendshëm apo i jashtëm i eksporteve, është interesi më i madh i operatorëve që të bashkohen”,-tha në ”A2cnn”.

SHKARKO APP