Burg ish-deputetit, reagon ashpër Berisha: Vendim politik mafioz i Edi Ramës
Gjykata e Tiranës dënon me 1 vit burg ish-deputetin, Ervin Salianji me akuzën “kallëzim i rremë” për dosjen dosjen “Babale”. Për të njëjtën akuzë, gjykata ka vendosur dënimin me 2 vjet burg për Fredi Alizotin.
Ndërkohë Albert Veliu është dënuar me 10 muaj burg për kalim kufiri dhe 2 vite e 10 muaj burg për kallëzim të rremë. Në total 3 vjet e 5 muaj burg. Sakaq gazetari Jetmir Olldashi është dënuar për “kallëzim të rremë” me 6 muaj burg, e cila do të konvertohet me 100 orë punë, pasi Gjykata pranoi kërkesën për pranimin e shërbimit të provës.
Gjykata konstatoi që të akuzuarit duhet të dënohen për veprat penale që akuzohen, kryesisht kallëzim i rremë. Rrethanë lehtësuese përfitoi Fredi Alizoti si bashkëpunëtor i drejtësisë, pasi është paraqitur vetë dhe ka treguar ngjarjen.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e cilëson një vendim politik mafioz të Edi Ramës.
“Një vendim politik mafioz i Edvin Kristaq Mafisë! Të dashur miq, sot Edvin Kristaq Mafia nëpërmjet shërbëtorit të tij, anëtarit-gjykatës të bandës së Aldo Bares, kriminelit faqezi që nuk njeh ligj as moral përveç padronëve të tij, dënoi me 1 vit burg ish-deputetin Ervin Salianji për fajin e vetëm, sepse ai provoi para botës lidhjet direkte të Edvinit, Faqezi Xhafës me super-trafikantin ndërkombëtar Agron/Geron Xhafa. Dënimi i Ervin Saljanit nga Edvin Mafia nëpërmjet gjykatësit famëzi, mafioz, Gjermeni në një akt të pashembullt në Europën e pas rënies së perdes së hekurt, në një proces mafioz, stalinist dëshmon shkatërrimin dhe nënshtrimin përfundimtar të drejtësisë prej tij dhe instalimin përfundimtar të narko-shtetit në Shqipëri. Ky dënim është një kushtrim për çdo qytetar të këtij vendi të ngrihet për të shporrur sa më parë kalbësirën Edvin Mafia dhe narko-qeverinë e tij nga pushteti”, shprehet ish-kryeministri Sali Berisha.