Burg për mos vjedhjen e energjisë, juristët “pro” dhe “kundër”


Të 26 të arrestuarit, sipas nenit 137 fraksion A dhe B, të Kodit Penal që bën fjalë për vjedhje të energjisë elektrike dolën para gjyqtarëve Arjan Alia dhe Kastriot Gramshi, ndërkohë që sërish prokuroria ka vijuar me qëndrimet e saj për ‘arrest me burg’ me afat një muaj për rastet kur të ndaluarit janë konsumatorë të thjeshtë që kanë ndërhyrë në rrjet dhe ‘arrest me burg’ për administratorët e bizneseve. 

Por për juristët mbetet i interpretueshëm paragrafi i parë i nenit 137, sipas të cilit ka një numër të lartë të arrestuarish. Për një pjesë të avokatëve dëmtimi dhe ndërhyrja e paligjshme në sistemin matës nuk mund të konsiderohet vjedhje. 

“Kjo, sepse ai vijon debitohet nga OSHEE dhe përderisa debitohet nuk mund të kemi vjedhje sepse ai paguan dhe faturën për të cilën është i debituar dhe në momentin që i drejtohet gjykatës për të kërkuar vjeljen e detyrimit, njëkohësisht mban përgjegjësi civile, jo penale. Kushtetuta thotë se asnjë person s’mund të ketë përgjegjësi penale për mospërmbushjen e kontratës”, deklaron avokati Roland Islami. 

Por ky qëndrim hidhet poshtë nga avokatë të tjetrë penalistë. 

“Vjedhja është vjedhje. Edhe rilidhja është vjedhje. Por nuk duhet të ngatërrohet personi fizik me atë juridik. Edhe pse je abonent familjar duhet të respektosh ligjin. Megjithatë, penaliteti me burgim nuk e zgjidh situatën”, thotë avokati Saimir Vishaj. 

Por nëse do t’i merrnim të mirëqëna këto qëndrime, atëherë si duhet të zgjidhet para ligjit ndërhyrja e paligjshme e konsumatorëve? 

“Ndërprerja e energjisë bëhet kur jemi brenda një kontrate. Vijnë për ndërprerje energjie kur kemi një kontratë mes debitorit dhe OSHEE-së. Kjo zgjidhet në gjykatën civile sepse është një proces civil”, vijon avokati Islami. 

“Kjo bëhet me gjykim direkt dhe me aplikimin e gjobës, sepse nuk mundet që një person në pamundësi ekonomike ta izolojmë në burg. Interesi i shtetit është të vjelë të ardhurat dhe jo të izolojë kryefamiljarin. Me izolimin e kryefamiljarit shteti nuk do ta marrë kurrë atë kuotë që synon të vjelë”, nënvizon Vishaj. 

Kodi Penal thotë se vjedhja e energjisë elektrike ose e implusveve telefonike, dëmtimi i matësit me qëllim përfitimi të paligjshëm, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet. 

Ndërkohë që kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. / Top Channel

SHKARKO APP