Burrat vrasës, pse shteti nuk i mbron dot gratë?
Nga: Redjon Shtylla
Hakmarrja dhe problemet familjare po vrasin gratë. Në Kamëz sot janë vrarë tre gra, nga një njeri i vetëm. Ngjarja e parë, që është edhe më e rënda, pasi vrasësi serial i grave, Dan Hurta del që është një prodhim i shtetit.
Ai është autor i masakrës në Kodër-Kamëz, ku vrau Mevlute Hysën 30 vjeçe, (motrën e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses) si dhe plagosi Elena Hysën dhe Kujtime Hysën.
Dosja e tij kriminale është e madhe, dhe ai sërish është liruar, dhe sot mori edhe dy jetë. Ai është një personazh i njohur për drejtësinë me të shkuar të rëndë kriminale, i dënuar e akuzuar për një sërë krimesh. Në 2007 Dan Hutra është dënuar pasi ka vrarë me armë zjarri ish-gruan Dafina Havalja, të cilën e kishte vrarë me dy goditje me thikë në zemër e mëlçi. Hutra kishte qenë i dënuar edhe në vitin 2003, pasi kishte marrë peng kunatën e kishte përdhunuar kunatën tjetër. Ndërkohë në vitin 2014 në qelinë ku vuante burgun në Drenove kishte futur disa sharra hekuri. Dan Hutra, autor i masakrës së sotme, ishte arrestuar në qershor të vitit 2021 për dhunë në familje, por ishte lënë i lirë më 16 shkurt 2023.
Një fqinj i Etleva Kurtit, vajzës 31-vjeçare të mbetur të vrarë me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së saj në Kamëz, këtë të mërkurë, ka treguar detaje nga ngjarja. “Ishte një makinë e zezë. Me të dëgjuar se unë isha në shtëpi. Dëgjova edhe armët, 3 plumba dhe asgjë më tepër”, tregon ai. Etleva Kurti është motra e Vladimir Kurtit, të dënuar me burgim të përjetshëm me një vendim të formës së prerë në vitin 2022. Ai u fajësua si autor i vrasjes së Agim Buçit, pronar i një marketi dhe plagosjen e bashkëshortes së tij, teksa në bashkëpunim me Ruzhdi Hoxhën do t’i grabisnin xhiron ditore në 25 prill 2018. Krimi ndodhi para syve të fëmijës së mitur të çiftit.
Në një shoqëri ku burrat vrasin gratë, psikologët shkaqet i shohin komplekse. Nisin me mënyrën sesi i rrisim e edukojmë djemtë. “Për fat të keq djemtë ose burrat janë ata të cilëve u lejohet të kenë më shumë forcë dhe dominim te gjinia femërore, vajzat dhe gratë”. Eneida Frashëri, psikologe, thotë se mentaliteti i shoqërisë por edhe roli dominues i prindërve në jetën e fëmijëve të tyre janë të tjera arsye.
Aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të grave thonë se reagimi i institucioneve por edhe vetë shoqërisë është i pamjaftueshëm në parandalimin e të tilla tragjedive. Çdo vit Shqipëria shënon statistika shqetësuese të grave të vrara dhe të dhunuara. Vitin e shkuar humbën jetën 16 gra e vajza ku autorë ishin partnerët apo familjarët e tyre.
Urdhri i mbrojtjes është veç se një letër e bardhë ku shënohet emrat e palës që kërkon mbrojtje nga policia, ku në shumë raste viktimat janë të detyruara që të bashkëjetojnë në një çati me dhunuesin e tyre, e kjo është një tjetër çështje ekonomike që shteti nuk jep zgjidhje. Prej vitesh flitet për barazi dhe mbrojtje të gruas në vend, por realiteti është larg tablosë që shfaqet në ekranet e bukura televizive.
Nëse duam të mbrojmë gruan, duhet të heqin pjesën e kalbur të sistemit mbrojtës, të kemi polici, gjykatë dhe shoqata që punojnë, e jo që vajtojnë pas çdo vrasje dhe harrohen në zyra. Nëse duam që të mbrojmë gratë, personat drejtues në Policinë e Shteti apo në Ministrinë e Brendshme, dikush duhet të japë dorëheqjen, sepse zinxhiri i drejtësisë është i kalbur dhe ligji nuk ka fuqi në këtë vend.
”Shenjë minimale respekti”, kështu tha sot ministri grek, dhe dha dorëheqjen pas tragjedisë me 40 viktima, që shkaktoi përplasja e dy trenave. Është koha që dorëheqja të mos jetë më një akuzë për dështim, por si shenjë që një tjetër këtë punë e bën më mirë.