Bushati godet Thaçin, Ramën e Cakajn që e përqafuan idenë serbe për ndryshimin e kufijve

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se Serbia solli idenë e korrigjimit të kufijve me shqiptarë në Tiranë.

Ai tha se ka qenë një ide e vjetër serbe ‘e paketuar dhe e vendosur në gjuhën shqipe me personazhe që e kanë shitur si një ide lokale, që vinte nga vetë protagonistët në këtë proces’

‘Të sqarojmë një çështje duke i bërë eko asaj që ju thatë. Kur thashë që nuk është një çështje në interes të kombit shqiptar dhe kemi humbur kohë, kisha parasysh këtë që ju sapo thatë. Por ideja në gjykimin tim sipas të gjitha kontakteve që më ka krijuar mundësi pozicioni shtetëror që kisha, ishte një ide e vjetër serbe e paketuar në mënyrë shumë të strukturuar, e vendosur në gjuhën shqipe dhe me personazhe të cilët jo vetëm kanë bredhur në çdo studio televizive në Shqipëri dhe në Kosovë, kanë ardhur në zyrën time, kanë shkuar edhe në seli të rëndësishme apo në qendra të rëndësishme vendimmarrëse për ta shitur këtë si një ide lokale, si një ide që vinte nga vetë protagonistët në këtë proces’, është shprehur z. Bushati.

Për ish-ministrin faktori shqiptar u fut në një centrifugë që nuk duhej të ishte futur duke shprehur nevojën e një fuqizimi të domosdoshëm të faktorit shqiptar në rajon si kundërpeshë ndaj kësaj politike që inspirohet nga Beogradi.

‘Për fat të keq faktori shqiptar u fut në një centrifugë që nuk duhej të ishte futur. Për herë të parë pamë një luftë politike që i kaloi kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe jo vetëm dhe politika revizioniste e Vuçic nuk mori asnjë përgjigje. Nevojitet një fuqizim i domosdoshëm i faktorit shqiptar në rajon jo thjesht si kundërpeshë ndaj kësaj politike që inspirohet nga Beogradi, sepse unë jam për kultivimin e marrëdhënieve normale me Serbinë por ky kultivim i marrëdhënieve normale nuk mund të jetë i plotë për sa kohë Serbia nuk heq dorë nga politikat revizioniste dhe nuk njeh përgjegjësitë për të shkuarën e saj në rajon’, tha Bushati.

Përballë analistëve Arjan Vasjari dhe Fatos Lubonja, Bushati tha se dëmi që i është shkaktuar faktorit shqiptar është kolosal, dhe kjo është arsyeja sipas tij që në dokumentin e Bundestagut përmendet kjo çështje.

‘Kam një arkiv të pasur për këtë proces dhe për debatet që janë bërë për këtë çështje dhe hartat që janë nxjerr. Dëmi që i është shkaktuar faktorit shqiptar është kolosal, kjo është arsyeja pse në dokumentin e Bundestagut përmendet kjo çështje sepse ndryshe nuk kishte arsye pse të përmendje dhe po them që për fat të mirë duket sikur ne po rigjejmë dhe një herë tjetër atë busullën’, u shpreh ai.

Ai tha se për këtë çështje ka pasur debate të zjarrta. Ndërkaq analisti Arjan Vasjari u shpreh se bëhet fjalë për një ide të strukturuar që punonin qartësisht për këtë gjë, aq sa flitej dhe për kilometra katrorë dhe për fshatra, ‘një çështje e kopsitur ‘siç e tha ai.

Ndërkohë që analisti Fatos Lubonja i qëndronte mendimit se Ditmir Bushati u shkarkua nga detyra e tij si Ministër i Jashtëm pikërisht për këtë çështje. ‘U vu një kosovar ministër, që sipas të dhënave është njeri i afërt i Batonit, dhe fakti që e vuri kryeministri dhe hoqi ministrin që kishim me deduksion të çon që kryeministri ka pasur një herë atë mendimin dhe ka ndërruar mendimin. Pastaj përse e ndërroi mendimin këtë hajt ta diskutojmë. Heqja e Bushatit, Bushati nuk e thotë, dhe vendosja e atij që i vu sepse asnjëherë nuk kanë dalë hapur fare që jemi për ndryshim kufijsh, po është mbrojtur gjithmonë Thaçi. Të gjitha këto të çojnë tek diçka që është përgjegjësi e madhe’, tha Lubonja.

SHKARKO APP