Bushati i përgjigjet Blushit: Shqipëria do mbështesë mundësitë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati iu përgjigj kreu-t të LIBRA-s Ben Blushi pas kritikave të tij për qeverinë Rama për diplomacinë shqiptare dhe për rolin që ajo luajti për Kosovën.
Bushati tha se nuk ka asnjë vend tjetër në botë që i ka qëndruar vijimësisht Kosovës pranë dhe se hodhi poshtë akuzat se Shqipëria nuk ka reaguar pas ngjarjeve të tensionuara në veri të Kosovës
“Fakt është që Shqipëria ka kontribut në Afganisatn, Irak, Ukrainë. Fakt është që NATO po ndërmerr nismën për ndërtimin e qendrës kundër dhunës. Fakt është që s’ka asnjë vend tjetër që i ka qendruar pranë vijimësisht Kosovës, pavarësisht muskujve e trurit që kemi në dispozicion. Për sa i përket ngjarjeve të fundit në Kosovë nuk është e vërtetë që Shqipëria nuk ka reaguar, ka reaguar në nivele të ndryshme. Përsa i përket ekzekutimit është Ministria e Jashtme është zyra e Kryeministrit që merret me këto çështje. Shqipëria do vazhdojë të mbështesë mundësitë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Por që të thuash se Rama bisedon me Serbinë në kurriz të Kosovës, është komplet e pavërtetë. Më erdhi keq i dashur Ben që nuk përmende Maqedoninë dhe për rolin e politikës së jashtme shqiptare në Maqedoni. Përshëndes qëndrimin e ish-kryeministrit Sali Berisha përsa i përket këtij procesi jo të lehtë, që është ndërtuar bazuar në bindjen tonë të plotë që shqiptarët janë promotorë të stabilitetit demokratik në vend. Në këto kohë të turbullta kur bota po bëhet gjithnjë e më tepër 0 polare, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet në kursin euroatlantik. Ky kuvend është i lutur të bëjë rezoluta që politika e jashtme të ushtrohet më mirë, por nga kjo foltore është e rëndësishme të ndajmë populizmin nga përgjegjësitë që duhet të marrë secili. Skenarët për luftë nuk janë për këto foltore. E vetmja gjë që duhet të biem dakort me tjetrin është që të forcojmë këtë trajektore që vijon të përforcohet që nga rënia e regjimit komunist,” tha Bushati.
KOHA JONË SONDAZH

