Bushati në Egjipt: Bashkëpunim kundër terrorizmit
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati po zhvillon një vizitë dy ditore në Republikën Arabe të Egjiptit. Gjatë ditës së parë të vizitës Ministri Bushati zhvilloi takime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, z. Sameh Hasan Shukri dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, z. Nabil El Arabi.
Në takimin me Ministrin e Jashtëm Shukri u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, si dhe u theksuan lidhjet e forta historike që ekzistojnë mes dy popujve tanë. Ministri Bushati shprehu ngushëllimet e popullit dhe qeverisë shqiptare për jetët e humbura në sulmin e fundit terrorist kundër forcave egjiptiane të sigurisë në Sinai. Palët diskutuan për zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor dhe ndanë pikëpamje mbi bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit si një sfidë e përbashkët ndaj së cilës nuk është i imunizuar asnjë vend dhe që kërkon bashkërendim aktiv. Kjo vizitë u konsiderua nga palët si një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Palët vlerësuan gjithashtu dhe nivelin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme dhe Agjencisë Egjiptiane të Partneritetit për Zhvillim. Nga ana e tij, Ministri Bushati i kërkoi palës egjiptiane zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e turizmit dhe bujqësisë, si dhe rritjen investimeve të drejtpërdrejta. Ministri Shukri falënderoi Ministrin Bushati për mbështetjen konsekuente që Shqipëria i ka dhënë Egjiptit në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe evidentoi rëndësinë që Shqipëria ka për Egjiptin. Në fund të takimit, dy homologët nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Arabe të Egjiptit për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Çështjet Doganore.
Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ministri Bushati vlerësoi rolin e rëndësishëm të Ligës Arabe në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në drejtim të nxitjes së bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare të saj. Gjithashtu, u vlerësua edhe bashkëpunimi në rritje mes Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për çështjet që lidhen me paqen dhe sigurinë në botë. Gjatë takimit palët diskutuan më tej dhe situatën në Lindjen e Mesme. Ministri Bushati evidentoi rolin tepër të rëndësishëm që mund të luajë Liga Arabe në mbështetje të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga anëtarët e saj dhe, në këtë kontekst, kërkoi mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm z. Nabil El Arabi.
Gjatë ditës së dytë të vizitës në Egjipt Ministri Bushati do të zhvillojë takime me Ministren e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, znj. Nagla Anuar El-Ehuani, Ministrin e Turizmit, z. Hishman Zazu, përfaqësues të diasporës shqiptare dhe përfaqësues të biznesit egjiptian.