Buxheti 2024, Veliaj takim me qytetarët: Do ndërtojmë më shumë shkolla, kopshte dhe çerdhe në periferi
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vijuar takimet me qytetarë dhe grupe interesi për prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2024, me temë investimet në arsim. Nga shkolla e re “Kosova”, ai vuri theksin te kopshtet, shkollat dhe çerdhet e reja që janë ndërtuar dhe do të ndërtohen në kryeqytet gjatë vitit të ardhshëm.
“Kemi pasur 20 kopshte të reja dhe kemi rikonstruktuar 34 të tjerë. Në 2023 kemi përfunduar katër kopshte të reja dhe në vitin 2024 planifikojmë edhe 2 kopshte të tjera: Kopshti 37 dhe kopshti në Arbanë. Për 10 kopshte të tjera na duhet të gjejmë hapësirat dhe bashkia është gati të paguajë qiranë. Sa i përket çerdheve, kemi 9 çerdhe të reja dhe 22 të rikonstruktuara gjatë vitit 2023. Nëse kompanitë e mëdha kanë mundësi që në vendin e punës të krijojnë një hapësirë për çerdhe, është ndihmë e madhe sepse ulet volumi në çerdhet publike, dhe ne mund ta ofrojmë atë shërbim te vendi i punës. Nëse ecim në këto investime të bashkisë, pra marrja me qira dhe çerdhja te vendi i punës, do të kemi një qytet më të mirë sa i përket kujdesit të fëmijëve. Po ashtu, kemi planifikuar që në vitin 2024 të ndërtojmë kopshtin dhe çerdhen te ish-shkolla 9-vjeçare ‘Migjeni’”, renditi disa nga investimet Veliaj.
Për sa i përket shkollave të reja, kryebashkiaku nënvizoi se fokusi i buxhetit këtë vit do të jetë edhe te shkollat profesionale. Ai shtoi se në këtë mandat do sigurohet që edhe shkollat në Krrabë, Pëllumbas, Ibë e në Dajt të jenë më të njëjtën cilësi si shkollat në qendër të Tiranës.
“Do të vazhdojmë me ndërtimin e shkollave të reja që kemi në proces. Më vjen mirë që shkolla ‘Xhezmi Delli’, ‘Emin Duraku’, ‘Shyqyri Peza’, ‘Musine Kokalari’, ‘Myslym Keta’, – që i kemi në bashkëpunim me PNUD-in, – shkolla 9-vjeçare ‘Avni Rustemi’, ndërtimi i palestrës në shkollën 9-vjeçare ‘Pjetër Budi’ dhe palestra te ‘Konferenca e Pezës’, janë të gjitha projekte të pjesës së parë të vitit që vjen. Një pjesë të shkollave i bëjmë me Bashkimin Europian dhe PNUD-in, një pjesë me fondet tona. Në fillim të pranverës, fëmijët do të kthehen në 10 shkollat që përmenda. Po planifikojmë edhe disa shkolla të reja profesionale. Njëra prej tyre është donacion i qeverisë greke dhe ndodhet te zona e ‘5 Majit’. Do ndërtojmë nga e para shkollën 9-vjeçare ‘Ibrahim Lima’; shkollën 9-vjeçare në Arbanë, mes Vaqarrit dhe kthesës së Pezës; do ndërtojmë shkollën e mesme të bashkuar ‘Mersin Duqi’, që është në Pëllumbas, në Ibë; do ndërtojmë shkollën e re të bashkuar në Krrabë; do të rikonstruktojmë shkollën 9-vjeçare ‘Kol Jakova’; do krijojmë terrenet sportive dhe muret rrethuese për shkollat ‘Mustafa Gërblleshi’ dhe ‘Sandër Prosi’ etj”, tha Veliaj.
Më tej, ai renditi edhe disa shkolla të reja që do ndërtohen në njësitë 2, 5 dhe 13. “Do të kemi një shkollë 9-vjeçare si ‘Dritëro Agolli’ pranë Kopshtit Botanik, në hapësirën e ruajtur mes pallateve. Për të gjithë ata që janë pjesë e politizimit të punëve publike në Kopshtin Botanik, sqaroj se nuk do të prekim asnjë sipërfaqe të tij. Në cep të Kopshtit Botanik është një pronë, tashmë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, e cila nuk ka lidhje me kopshtin. Në Sauk kemi dy hapësira të planifikuara për shkolla: një hapësirë është brenda në oborrin e Akademisë së Policisë, kurse hapësira tjetër është te Spitali i Arabit. Ambicia ime është që, me të mbaruar këtë mandat, të kemi zgjidhur përfundimisht shkollat në Njësinë 2, në zonën e Liqenit të Thatë dhe Njësinë 13”, u shpreh ai.
Në fund, për sa i përket lehtësirave për studentët që vijnë në Tiranë për të studiuar, kryetari i Bashkisë tha: “Kemi ndërtuar 13 godina totalisht të reja për studentët, shumica në zonën e Universitetit Bujqësor dhe te Qyteti Studenti. Kemi bërë dy godina te “Mjekësia”, te Farmacia 10. Kemi rregulluar me KFW dhe Bankën Gjermane të Zhvillimit të gjitha hapësirat e Inxhinierisë. Këto janë godinat e reja që kemi bërë këtë vit. Për studentët kemi edhe Kartën e Studentit, e cila ofron mbi 2200 shërbime sot. Janë 65 mijë studentë që përfitojnë nga aboneja falas, konviktet me 50% që i subvencionon Bashkia e Tiranës dhe mezi pres që ne të fillojmë konviktet e reja.”