Bylykbashi: Betimi jo ceremonial, kryhet vetëm para Presidentit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, thotë se të gjithë personat që marrin funksione kushtetuese, duhet të kryejnë betimin para Presidentit të Republikës për të nisur më pas punën. ”Në këtë vend, të paktën kemi Kushtetutë. Se çfarë kanë thënë ambasadorët nuk vlejnë sepse Kushtetuta është e qartë: të gjitha funksionet kushtetuese, duke nisur nga Presidenti e deri te këshilltarët bashkiakë, të gjithë bëjnë betimin për të nisur detyrën. Betimi nuk është ceremonial dhe nuk bëhet ku të duash. Në rastin konkret, betimi duhej kryer para Presidentit të Republikës. Obama gaboi vendin e një fjale në formulën në Kushtetutë dhe u bë një betim i dytë, ku përsëriti saktë betimin dhe vetëm atëherë mori detyrën. Edhe në Shqipëri kështu është, pa betim nuk nis funksioni. Pra, Kushtetuta është drastike për procedurën dhe vlerën e betimit”,-tha në ”A2Cnn”.

Bylykbashi e cilësoi të papranueshëm faktin që “Gjykata Kushtetuese të jetë me themelet në krizë”. Sipas tij, “kjo ka ardhur ngaqë edhe Reforma në Drejtësi nuk qe një reformë me rrënjët në konsensus”.

”Ishte një tentativë për të kapur pushtetin duke kapur drejtësinë dhe kapja e Gjykatës Kushtetuese ishte hapi i fundit. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) është sajesa monstruoze e sistemit të drejtësisë që u arkitektua që në fillim për kapje. Mazhoranca, nëpërmjet Dvoranit, ekzekuton një mekanizëm antikushtetues që është futur në ligj. Kushtetuta nuk e ka mekanizmin e kufizimit të kompetencës së Presidentit me kalimin e 30 ditëve dhe kjo i kalon KED-së. Presidenti nuk e ka këtë kufizim, por me ligj e kanë vënë dhe kjo është antikushtetuese. Dvorani është atje që të bëjë renditjen siç do mazhoranca dhe të kapë drejtësinë siç do Edi Rama”.

SHKARKO APP