Bylykbashi: Zgjedhjet, në rrezik. Qeveria po ndryshon regjistrin e gjendjes civile për të manipuluar listat e zgjedhësve
Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore: Ja 4 manipulimet që maxhoranca po tenton të bëjë përmes ligjit të ri
Herion Mesi
Pas zhbllokimit të reformës në drejtësi përmes vendimit të së enjtes të Gjykatës Kushtetuese, që iu hap rruga e zbatimit të procesit të rivlerësimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, tashmë beteja politike mes maxhorancës dhe opozitës do të jetë reforma zgjedhore dhe përgatitja për garën e 18 qershorit 2017.
Por në një kohë që Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore iu shty mandati edhe me dy muaj të tjerë, palët duket se janë larg një konsensusi për Kodin e ri Elektoral.
Kjo u la të kuptohej në seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar të së enjtes nga bashkëkryetari demokrat për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi.
Listat e zgjedhësve
Përveç mungesës së konsensusit për realizimin e votimit dhe numërimit elektronik të votave, si dhe ndryshimit të ligjit për financimet e fushatave elektorale të partive politike, demokratët shprehën shqetësimin e tyre edhe në lidhje me mënyrën se si po procedohet për hartimin e listave të zgjedhësve që do të thirren në votimet e 18 qershorit.
Deputeti demokrat, do të shfrytëzonte diskutimet në Kuvend mbi projektligjin e ri të qeverisë për regjistrin e gjendjes civile për të denoncuar manovrat e maxhorancës për realizimin e votimeve fiktive në zgjedhjet e ardhshme.
“Të paktën që nga viti 2008 sa herë është miratuar në Kuvend ligji për Regjistrin e Gjendjes Civile, maxhoranca e ka bërë atë me konsensus, e jo vetëm ligjin, por edhe aktet që preknin regjistrin. Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse prek drejtpërdrejtë hartimin e listave të zgjedhësve. Ndryshimet në këtë fazë, kur hartimi i listave të zgjedhësve ka filluar janë të drejtpërdrejta me procesin zgjedhor dhe çdo ndryshim i njëanshëm ndikon në cilësinë e këtyre listave”,- u shpreh Bylykbashi gjatë replikës me relatoren socialiste të draftit, Vasilika Hysi.
Dhe duke u ndalur konkretisht tek mënyra se si po ndryshohet regjistri i gjendjes civile nëpërmjet këtij drafti, Bylykbashi evidentoi së paku 4 ndryshime thelbësore, që sipas tij do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë tek zgjedhjet e ardhshme: përmes këtij ligji i hiqet e drejta e votës emigrantëve, ligji nuk zgjidh saktësinë e listave të zgjedhësve përmes verifikimeve në terren, minicensusi që do të realizohet përmes një kompanie private, së cilës do ti besohen dhe të dhënat personale të votuesve, dhe në të do të përfshihen të rinjtë e Forumit Rinor të PS-së.
“Në ndryshimet që ju po bëni, së pari ju po i hiqni të drejtën e votës të gjithë emigrantëve, sepse në momentin kur ata të regjistrojnë një vendbanimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, zyrtarisht nuk do të kenë më të drejtën e votës. Këtë po bën ky ligj, dhe e konsolidon këtë. Së dyti, ky ligj nuk zgjidh absolutisht saktësinë e listave të zgjedhësve. E përsëris, e sillni në Kuvend pa asnjë konsultë me Komisionin e Reformës Zgjedhore, bën të pamundur verifikimin e të gjithë atyre anomalive të kundraligjshme të vitit 2015: 2700 zgjedhës të importuar nga qarku i Tiranës në Qarkun e Durrësit, dhe kjo u arrit përmes kontratave fiktive.
Pra, 2700 në Durrës, me mijëra të tjerë në Kavajë, e të gjithë këta ishin në shkelje të ligjit. Kush i verifikoi ata që lëvizën brenda për brenda Durrësit në mënyrë të jashtëligjshme, kush i verifikoi këta? Po ashtu ekzistojnë informacione që në emër të tyre kanë votuar emigrantë. Po ashtu ekzistojnë informacione, dhe kjo është për prokurorinë e shtetit që të hetojë, që regjistri i TIMS-it është prekur, e për pasojë janë ndryshuar të dhënat e atyre që kanë hyrë me lista fiktive me të atyre që kanë dalë jashtë territorit të shtetit. Kjo është për hetim penal.
Po ashtu, ekzistojnë informacione edhe përdorimin masiv të kartave të identitetit të falsifikuara. Kjo ndodh kur ligji që ju propozoni sot shkon e prek një gjë themelore, mënyrën se si regjistrohet adresa e shtetasit. Pikërisht këtë ju e bëni edhe më llum me këto propozime që bëni. Sepse ju dështoni nga ana tjetër, që të çoni dispozitën që të bëjë të detyrueshëm verifikimin në vend të adresës së deklaruar.
Dhe kjo për ta mbyllur me atë farsën tuaj, që me 1200 FRESH-ista të kontraktuar nga një kompani private me një tender 6 milionë, në një kohë kur qeverisë do ti kushtonte vetëm 1 milionë euro, për një kompani private e cila do të shkojë derë më derë për të kërkuar të dhëna personale të zgjedhësve, ju me këtë do të manipuloni totalisht listën e zgjedhësve, dhe që do të na kthente tek problemet e standardit zgjedhor të vitit 2000 deri në 2003. Ky është turpi që po bëni ju edhe me këtë ligj”- deklaroi bashkëkryetari demokrat i Komisionit për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi.
Ligji i ri parashikon rritje fiktive të votuesve
Rritja fiktive e votuesve në periudha parazgjedhore dhe dyshimet për manipulim të zgjedhjeve duke tentuar ndryshimin e mandateve në zona të caktuara ka qenë shkak përplasjesh të vazhdueshme mes qeverive në pushtet dhe opozitave në të kaluarën. Dhe kur na ndajnë afro 7 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, qeveria ka nisur punën për të shmangur një përplasje të tillë me opozitën, duke nisur llogaritjen e qytetarëve të saj për ti regjistruar në zonat ku ata dëshirojnë të votojnë. Kjo pasi çdo qytetar që vendos të jetë “mik” në shtëpinë e dikujt mund edhe të regjistrohet në gjendjen civile të mikut që e pret atë. Është ky thelbi i ligji të ri që u miratua dy ditë më parë në Kuvend, dhe që lë hije dyshimi se ky draft favorizon rritjen fiktive të votuesve në regjistrat e gjendjeve civile në bashki të ndryshme, gjë që do të bëjë të mundur më pas dhe ndryshimin e shpërndarjes së mandateve në Kuvendin e ri që do të ngrihet pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës.
PS, Balla: Të depolitizohen komisionet zgjedhore, jo më flamuj partiakë në shtylla
PD: PS merret vetëm me deklarata, asnjë propozim s;ka sjellë në komision përveç çakmakëve me flamuj
Demokratët kanë prej 7 muajsh një platformë, ndërsa socialistët që prej një muaji 12 amendamente. Gjithsej, rekomandimet e OSBE-ODIHR-it janë 53 dhe socialistët pretendojnë se u japin zgjidhje të gjithave. Ndërsa socialistët thërrasin EUREKA për depolitizimin e Komisioneve Zgjedhore, demokratët e shohin kthim 15 vite mbrapa. Presidenti i Republikës prej ditësh ka dekretuar datën e zgjedhjeve, ndërsa palët ende nuk i janë shtruar punës në komision për ndryshimin e ligjit zgjedhor. Është kjo panorama e përgjithshme e asaj që po ndodh aktualisht me reformën në drejtësi.
Dhe këto problematike do të përbënin dhe thelbin e akuzave mes palëve në seancën e së enjtes, ku dy aktorët kryesorë të kësaj reforme, Taulant Balla i PS-së, dhe Oerd Bylykbashi i PD-së do të përballeshin mes tyre edhe lidhur me disa problematika të tjera, ku sërish demokratët akuzuan maxhorancës se po minon konsensusin për këtë reformë.
E ndërsa socialistët pretendojnë se kanë depozituar në komision një paketë të plotë mendimesh ligjore për Kodin Zgjedhor, demokratët deklarojnë se në komision nuk është depozituar asnjë propozim përveç një vendimi me shkresë për hedhjen e çakmakëve dhe flamujve në fushata zgjedhore.
Sipas tyre, socialistët që kanë dhe qeverisjen e vendit, përveç se një reforme që po zhvillojnë në formën e deklaratave në media, nuk kanë bërë asnjë propozim që të jetë në frymën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet. Nga foltorja e Kuvendit, Bylykbashi do të akuzonte homologun e tij në krye të komisionit për reformën, Taulant Ballën, se po bën gjithçka që kjo reformë të mos realizohet me konsensus mes palëve.
“Desha t’i kujtoj gjithë sallës, se atë që bën zoti Balla se ka bërë asnjë nga paraardhësit e tij në komisionin e reformës. Po shkatërron çdo lloj mundësie për konsensus. Ka bërë vetëm deklarata në publik dhe asnjë mbledhje në komision. Me shkrim nga ju ka ardhur një vendim me shkresë për hedhjen e çakmakëve dhe flamujve në fushata zgjedhore. Nuk keni sjell asgjë që trajton rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ftesa ime për ju është që ti lini deklaratat por të arrijmë kompromis dhe jo në dëm të partive të vogla”,- tha Oerd Bylykbashi.
Bashkëkryetari socialilst i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla gjatë fjalës në seancën plenare të së enjtes theksoi se duhet të depolitizohen komisionet zgjedhore dhe të bëhet transparencë me financimin e fushatave, pasi sipas tij shpenzimet e deklaruara ne fushata janë larg dhe nuk përputhen ne krahasim me të ardhurat. Gjithashtu, Balla kërkoi t’i jepet fund fushatave zgjedhore që mbushin me flamuj partiak qytetet.
“Duhet të depolitizohen komisionet zgjedhore. Po kërkoj nga PD të thotë në cilin qark do votim elektronik. Ne Jemi të gatshëm të depolitizojmë komisionet zgjedhore si dhe për transparencë në financimin e fushatave zgjedhore. Kemi sjellë një draft prej nëntorit, ndërsa ju merreni me çështje të vogla. Me draftin duam t’i japim fund qyteteve të Shqipërisë që mbushen me flamuj të partisë të vendosura në mure e shtylla. Duam t’i heqim të gjitha posterat partiakë, të cilat do vendosen me madhësi të përcaktuar dhe në vende të përcaktuara si në gjithë vendet e botës. Ato çakmakët dhe stilolapsat me logot e partisë nuk duhet të ekzistojnë. Shpenzimet e deklaruara në fushata janë shumë larg në krahasim me të ardhurat”,- tha deputeti i PS-së, Taulant Balla.
KOHA JONË SONDAZH

