CDU/CSU: Nuk mund të dënohet ministri Xhafaj për fajet e vëllait
DW (shqip): Zoti Frei, deri tani grupi i punës i deputetëve të CDU/CSU në Bundestag nuk është shprehur qartë pro ose kundër çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë e Maqedonisë me BE. A keni marrë një vendim ndërkohë?
Frei: Ne do të flasim intensivisht, si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë në kuadër të grupit të punës së Ballkanit Perëndimor në mënyrë që së bashku me partnerët tanë socialdemokratë të pozicionohemi përballë qeverisë në prag të samitit.
Kundrejt qeverisë apo me qeverinë federale?
Ne jemi një parti qeverisëse, prandaj e bëjmë së bashku me qeverinë. Por ligji na jep të drejtën t’i bëjmë me dije qeverisë se çfarë qëndrimi të mbajë ajo në Këshillin e Përgjithshëm të BE. Pra, është një e drejtë e deputetëve dhe këtë të drejtë duam ta zbatojmë.
Ju jeni raportuesi i Shqipërisë. Dhe fjala juaj do të ketë ndoshta më shumë peshë. Cili është mendimi juaj?
Frei: Shqipëria është për ne me shumë interes, prandaj kemi shumë kolegë që merren me Shqipërinë. Ajo që vërejmë dhe vlerësojmë ne është zhvillimi i jashtëzakonshëm i këtji vendi në këto vite. Kjo është e pamohueshme. Dihet edhe që Bashkimi Evropian në vitin 2003 është deklaruar për një perspektivë të qartë europiane për këto vende, dhe tani duhet parë se a i plotëson Shqipëria që tani kushtet për të hyrë në negociata. Krahas sukseseve kemi edhe disa çështje problematike.
Për shembull?
Unë jam marrë intensivisht me procesin e vettingut dhe kam folur vetë edhe me anëtarë të komisionit, kur isha në Shqipëri në fillim të vitit. Fakt është se kemi afro 800 gjykatës dhe prokurorë, ndërsa deri tani janë përmbyllur vetëm pesë rivlerësime. Natyrisht që e di se ka disa që i janë shmangur vettingut duke dhënë dorëheqjen, por ne prapëseprapë jemi në fillim të këtij procesi dhe në këtë moment nuk mund të japim një gjykim pëfundimtar për të. Ka edhe çështje të tjera, me të cilat nuk kemi filluar ende, si për shembull reforma zgjedhore. Kjo është një detyrë e vjetër, të cilën Komisioni Europian e ka adresuar qysh herët. Komisioni parlamentar i krijuar enkas për këtë punë ka hartuar një plan kohor, që na premton se do të ketë rezultate në fund të vitit. Por këto nuk mund të quhen arritje.
A mendoni ju se vettingu është metodë e përshtatshme për të garantuar pavarësinë e sistemit juridik. Nuk ekziston një rrezik që gjykatësit e rinj sërish të korruptohen?
Unë shpresoj që jo, sepse besueshmëria dhe mungesa e korrupsionit në drejtësi janë thelbësore për shtetin juridik dhe sundimin e ligjit, dhe sundimi i ligjit në anën tjetër është parakusht për përparim ekonomik. Vetëm atëherë kur investitorët e huaj mund të kenë besim se mund ta zbatojnë të drejtën e tyre, po qe nevoja, edhe para gjyqit, ata do të investojnë në Shqipëri. Prandaj, mendoj se është shumë e rëndësishme që të bëhet e qartë, se Shqipëria nuk po bën diçka për hatër të Komisionit Europian ose meqë e kërkojnë vendet e tjera nga Shqipëria, por se ajo po vendos bazat për të përmirësuar perspektivat ekonomike dhe jetësore sidomos për të rinjtë në Shqipëri.
A shikoni ndonjë rrezik që vettingu të përdoret edhe si mjet presioni ndaj gjykatësve?
Veç të tjerash duhet thënë se para ligjit të gjithë duhet të trajtohen njësoj. Kjo vlen si për gjykatës të lartë, ashtu edhe për gjykatës të thjeshtë. Dhe vlen edhe për të gjithë të tjerët. Po kujtoj këtu rastin e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahirit, për shembull, ku mazhoranca në parlament në fillim e refuzoi heqjen e plotë të imunitetit. Tani ndërkohë kemi një situatë të re, mbas dorëzimit të mandatit dhe arrestit shtëpiak të shtunën e kaluar, por gjithsesi duhet thënë se ministrat dhe deputetët nuk duhen trajtuar ndryshe nga shtetasit e tjerë.
Mendoni se Tahiri dha dorëheqjen pas presionit të ardhur nga Gjermania?
Nuk e di. Ky është një vendim që është marrë në Shqipëri, para së gjithash një vendim i tij personal, të paktën kështu e lexoj në shtypin shqiptar. Ne vetëm se e kemi bërë të qartë se do ta shohim me shumë vëmendje, nëse ish-ministri i brendshëm po trajtohet ndryshe nga ç’do të trajtoheshin të tjerët, në raste të ngjashme.
Tani kemi një rast tjetër me vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt. A keni ndonjë informacion për këtë?
Nuk kam një mendim përfundimtar për këtë. Është e qartë që njerëzit nuk mund të dënohen për faj të një anëtari të familjes, por çdo individ duhet parë më vete. Prandaj edhe sjellja e ministrit të Brendshëm duhet vëzhguar dhe nuk mund të them asgjë. Por ne po e vëzhgojmë me vëmendje edhe rastin e tij.
Thuhet shpesh se e ka Shqipëria në dorë çelësin për në BE. Por a nuk varet anëtarësimi edhe nga gjendja e brendshme në BE.? Pra në fund të ditës çelësi është në Berlin ose Paris?
Është e vërtetë që në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian ka pozicione të ndryshme dhe se Franca i jep përparësi aspektit të thellimit të BE, e pastaj zgjerimit. Unë mund të them se ky nuk është pozicioni im. Jam i bindur se Shqipëria ka një perspektivë europiane, e cila varet vetëm nga përparimet e saj. Janë pesë prioritet kyçe dhe shtatë pritshmëritë që kemi prezantuar ne si Grup Parlamentar i Bashkimit Kristdemokrat e Kristsocial në vitin 2016 në Shqipëri, ato që do të përcaktojnë nëse Shqipëria mund të hyjë në BE.