CDU/CSU gjermane dënon dhunën në protestë: Me akuzat ndaj tij, Berisha duhet të ishte në burg. Të ikë nga kryetar i PD!

-Botuar në radion shtetrore gjermane DW-

Gunther Krichbaum, zëdhënësi i CDU/CSU, dënon protestat e dhunshme në Shqipëri dhe kritikon Berishën për nxitjen e tyre. Ai thekson nevojën për një opozitë të fortë e paqësore që përputhet me vlerat evropiane.

Gunther Krichbaum, zëdhënësi për çështjet evropiane i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, ka reaguar ashpër ndaj protestave të dhunshme të zhvilluara së fundmi në Tiranë nga përkrahësit e Partisë Demokratike, duke i cilësuar ato të papranueshme për një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Në një deklaratë për media, lëshuar të martën në Berlin, Krichbaum  ka bërë thirrje për distancimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit Sali Berisha nga aktet e dhunshme: Nëse Berisha do të kishte ende sadopak besueshmëri, ai do të duhej të distancohej menjëherë nga kjo lloj proteste dhe t’i përjashtonte  të dhunshmit nga partia. “Fatkeqësisht lind dyshimi se Berisha po i nxit më tej këto protesta”.

PD duhet të ndryshojë kreun

Në të kaluarën, Partia Demokratike ka qenë e njohur për vlerat e saj evropiane, por sipas Krichbaum, ajo është larguar gjithnjë e më shumë nga këto parime. Ai theksoi se është e domosdoshme që PD-ja të rinovohet dhe të zgjedhë në krye një lider me integritet, në mënyrë që të funksionojë si një opozitë e fortë dhe konstruktive. “Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një qeveri dhe për një opozitë të fortë,” tha Krichbaum.

Lidhur me arrestin shtëpiak të Berishës, Krichbaum theksoi se SPAK është një institucion i pavarur dhe i besueshëm, krijuar nën presionin e Bashkimit Evropian, dhe se akuza ndaj Berishës është serioze. Sipas tij, në çdo shtet të Bashkimit Evropian, një politikan me akuza të tilla do të ishte në paraburgim dhe jo në arrest shtëpie komod. Krichbaum theksoi se “Berisha nuk duhet të paraqitet si viktimë e një procesi të motivuar politikisht, por duhet të përballet me akuzat ndaj tij”.

Në përfundim, Krichbaum deklaroi se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse Partia Demokratike do ta ketë forcën e nevojshme për t’u rinovuar dhe për të rifituar besimin e qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Mosbindje civile kundër qeverisë Rama

Protestat që filluan të hënën në Tiranë janë organizuar nga opozita e djathtë, veçanërisht përkrahësit e Partisë Demokratike, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Protestat janë përshkallëzuar në dhunë, me disa protestues që kanë hedhur kokteje Molotov ndaj ndërtesave qeveritare, përfshirë selinë e Partisë Socialiste dhe Ministrinë e Brendshme.

Shkaku kryesor i këtyre protestave lidhet me akuzat për korrupsion ndaj qeverisë së Ramës, si dhe me arrestimin e deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, të cilin opozita e konsideron një akt politik të motivuar nga hakmarrja. Opozita gjithashtu kërkon lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak, ku ndodhet për akuzat e korrupsionit. Berisha u vu në arrest shtëpie dhjetorin e kaluar, ndërsa hetohej për një ligj që thuhet se i dha dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, përfitime financiare në një projekt ndërtimi. Si Berisha, ashtu edhe Malltezi i mohojnë akuzat, duke pretenduar se janë viktima të një hakmarrjeje politike. Pavarësisht hetimeve, Berisha rimori drejtimin e Partisë Demokratike dhe në korrik u konfirmua nga një gjykatë në Tiranë, si kryetari i saj./Anila Shuka/

 

 

 

 

SHKARKO APP