Çela: Rruga Skrapar-Përmet do të lidhë Osumin me Vjosën. LSI do të fitojë tre mandate në Berat

Drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Beratit, Ardit Çela ka shpalosur objektivat e LSI-së për zhvillimin e qarkut të Beratit. Duke u ndalur në zhvillimet strategjike, Çela gjatë një interviste për gazetën ”Panorama”, shprehet entuziast për përfundimin e projekteve strategjike infrastrukturore të lidhjes së Skraparit me Përmetin, të cilat do t’i vijnë në ndihmë të bujqësisë dhe turizmit. ”Pas 25 prillit do t’i hapet drita jeshile projektit të rrugës Skrapar-Përmet. Shpresë mjaft e madhe për zhvillimin e gjithë kësaj zonë, është një rrugë e cila do të lidh dy nga luginat më të bukura të vendit tonë, atë të Osumit dhe të Vjosës, e që do të shumëfishojë fluksin e vizitorëve dhe turistëve, një Unazë që do të lidhë një rrugë krejt të re dhe shumë interesante dy qytetet e UNESCO-s, Beratin dhe Gjirokastrën, përmes Skraparit dhe Përmetit”,-tha Çela.

Intervista e plotë

Z.Çela, ju do të jeni drejtues politik i LSI-së në qarkun e Beratit. Si e keni parë atmosferën në këto ditë të para që keni nisur takimet?

Për mua është nder dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme në të njëjtën kohë të drejtoj politikisht forcën politike ku jam themelues që në ditët e para të saj, në qarkun ku u linda, ku u rrita, dhe ku LSI-ja ka bazën e saj tradicionale të përfaqësimit, e cila do të vazhdojë të zgjerohet edhe më shumë në të ardhmen, në mënyrë dinamike, duke qenë përfaqësuese e vërtetë e interesave dhe aspiratave të qytetarëve.

Të jem i sinqertë, jam i befasuar nga entuziazmi që gjej në familjen tashmë të konsoliduar të LSI-së në këtë qark, nga serioziteti, eksperienca dhe vendosmëria e ekipit drejtues, nga energjia e jashtëzakonshme e të rejave dhe të rinjve që e mbushin LSI-në me shpresë e optimizëm, por edhe nga fluksi dhe cilësia e afrimeve të reja në LSI.

Në të gjitha takimet e shumta të kryera gjatë kësaj periudhe të shkurtër kohore jo vetëm me strukturat dhe anëtarët e LSI-së, por edhe me qytetarë të thjeshtë, të papunë e të papërfaqësuar, me të rinj e të reja, me bizneset, përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit, me njerëz që merren me bujqësi, blegtori apo agropërpunim, me turizëm, me punonjës apo sipërmarrës të bizneseve fason, me punonjës të administratës publike, arsimit e shëndetësisë, vërehet qartë zhgënjimi se vendi po shkon në drejtim të gabuar. Taksat janë shtuar, të ardhurat po pakësohen dhe se ekonomia familjare po shkon drejt rrënimit. Rrotacioni është i pashmangshëm, do të ndodhë, dhe ne si LSI do të jemi forcë kryesore qeverisëse në qarkun e Beratit.

Në këndvështrimin tuaj, cili është problemi më i madh nga i cili vuan qarku i Beratit. Sipas jush, a e ka pasur ky qark vëmendjen e duhur nga qeveria qendrore?

Papunësia. Problemi më i madh është papunësia. Qeveria ka dështuar përballë qytetarëve të saj. Ajo nuk i ka mbajtur premtimet. Qeverisja nuk ka krijuar vende të reja pune. Qeverisja nuk e ka ndihmuar biznesin të marrë frymë, përkundrazi i ka rritur taksat dhe nuk ka krijuar kushtet për të rritur aktivitetin e për të hapur vende të reja të punës. Qarkut të Beratit i ka munguar vëmendja dhe mbështetja e qeverisjes për të shfrytëzuar maksimalisht potencialet dhe resurset e jashtëzakonshme që disponon.

Është lënë në mëshirë të fatit. Është e dhimbshme për nënat kur fëmijët e tyre marrin rrugët e Europës, për shkak se nuk gjejnë punë në vendin e tyre. Është e dhimbshme për bashkëshortet të cilat duhet t’i rrisin fëmijët e tyre mes vështirësive të të qenit vetëm, sepse dikush duhet të punojë për t’i rritur e për t’i shkolluar, dhe kjo punë nuk gjendet në vendin e tyre.

Është e dhimbshme për fëmijët të rritën me prindër në emigracion e të mos i kenë ata në darkë në shtëpi, e të mos e kenë përkujdesjen e tyre ndërkohë që rriten. Kjo plagë e madhe duhet të marrë fund dhe ka vetëm një mënyrë: duke hapur vende të reja pune.

Cilat mendoni që janë potencialet më të mëdha të këtij qarku ku ju do të fokusoheni gjatë fushatës dhe takimeve tuaja?

Qarku i Beratit ka një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi, por të pashfrytëzuar deri tani, për shkak të mungesës së vizionit dhe vëmendjes së qeverisjes. Ekzistojnë të gjitha mundësitë, që të rejat e të rinjtë e këtij qarku ta gjejnë veten në vendin e tyre, të jetojnë e të punojnë aty, e madje me punë të mirëpaguara, duke rritur mirëqenien në familjet e tyre. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që nëpërmjet turizmit të hapen mijëra vende pune në Berat. Trashëgimia e pasur kulturore, historia mijëravjeçare, bukuritë natyrore, trashëgimia fetare, burimet e jashtëzakonshme të folklorit, qytetërimet antike, kulinaria, burimet njerëzore, përbëjnë në vetvete resurse të jashtëzakonshme, të cilat mund ta çojnë zhvillimin e turizmit në nivele shumë herë më të larta.

Por kjo kërkon vizion, vëmendje, koordinim dhe mbështetje nga ana e qeverisjes. Duhet shumëfishuar kohëzgjatja e qëndrimit të turistëve në qarkun tonë, nëpërmjet diversifikimit dhe krijimit të harmonizuar të destinacioneve, çka do të sillte shumëfishim të shtretërve, të të ardhurave dhe automatikisht krijim të vendeve të reja të punës. Bujqësia dhe agropërpunimi gjithashtu janë një shtyllë shumë e fortë e zhvillimit ekonomik të zonës. Vëmendja e qeverisjes ka qenë minimale.

Qarku ynë ka resurse të jashtëzakonshme natyrore, por edhe njerëz punëtorë, sipërmarrës të cilët kanë nevojë për mbështetje. Nëpërmjet shumëfishimit të mbështetjes ekonomike për projektet e bujqësisë dhe blegtorisë, të agrpopërpunimit, agrobiznesit, por edhe nëpërmjet konsulencës për të përfituar nga fondet e huaja, është e mundur që të krijojmë mijëra vende të reja pune për zonën.

Nëse kushtohet vëmendja e duhur, duke qenë agresive me politika ekonomike dhe modele për thithjen e investimeve të huaja, sidomos në Kuçovë e në Poliçan, është e mundur të krijojmë vende të reja të punës, duke zhdukur njëherë e përgjithmonë papunësinë për atë zonë, por edhe për zonat e tjera përreth.

Përfundimi i projekteve strategjike infrastrukturore të lidhjes së Skraparit me Përmetin, si edhe me Korçën, shoqëruar me zhvillimin kapilar infrastrukturor në ndihmë të bujqësisë dhe turizmit, do të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik të qarkut. Për të gjitha këto, por edhe për shumë projekte të tjera, do të kemi mundësi të flasim më gjerë në të ardhmen e afërt. “Rilindja” e ngriu rrugën Skrapar-Përmet, ne do ta përfundojmë.

Cilët janë objektivat tuaj elektoralë dhe të LSI-së në qarkun e Beratit dhe duke parë rezultatet e LSI-së në zgjedhjet e kaluara, sa mandate parashikoni që do të merrni si forcë politike?

Lëvizja Socialiste për Integrim në qark do të jetë forcë kryesore qeverisëse. Ne do të marrim 3 mandate. Nuk është objektiv, por është një realitet që ne e prekim përditë sot. Është një realitet që mijëra të rinj e të reja, njerëz të mirë e të ndershëm të qarkut tonë, do ta certifikojnë me shumë energji dhe entuziazëm, njëkohësisht edhe me shumë vendosmëri më 25 prill.

SHKARKO APP