Celibashi: Greqia problemi kryesor! 21 mijë zarfe s’janë shpërndarë ende në diasporë
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi parashtroi sot të gjitha problematikat e hasura deri tani me procesin e shpërndarjes së zarfeve me votat e diasporës, shqetësimet dhe hapat e ndjekura, sidomos çështja e Greqisë, që mbetet edhe problematika kryesore.
Celibashi tha se 21 mijë zarfe ende nuk kanë shkuar në adresën e zgjedhësve nga kompania postare.
“21 mijë zarfe kompania nuk i ka shpërndarë akoma. 11 mijë janë për shkak të problematikave për saktësi adrese, e-mail-i kontakti apo numër telefoni, pra nuk janë mundur të gjenden zgjedhësit dhe janë në zyrat e tyre. E kemi këtë informacion, ndaj i kemi bërë thirrje para disa ditësh këtyre votuesve që të shkonin te shërbimi DHL i vendit përkatës dhe të interesoheshin. Pjesa tjetër janë që DHL i ka telefonuar apo njoftuar dhe nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe deri në datën 8 maj kanë kohë për të shkuar. Kompania pret që vetë zgjedhësit të shkojnë vetë”, tha Celibashi.
Ai foli edhe për problematikën e Greqisë, ku ka pasur edhe shumë ankesa nga partitë, teksa sugjeroi që zgjedhësit shqiptarë të shkonin vetë pranë zyrave të DHL-së dhe të interesoheshin për zarfin dhe ta dërgonin atë në Tiranë.
“224 mijë zgjedhës që e kanë marrë fletën e votimit. 144 mijë që e kanë dorëzuar fletën e votimit në KQZ. Mbi 21 mijë zarfe ende nuk janë shpërndarë për arsye të ndryshme dhe presim që të realizohet nga kompania sipas afateve”, shtoi Celibashi.
KOHA JONË SONDAZH

