Ceremoni në Bashki për ekipin olimpik, Veliaj: Sukses i paimagjinuar më parë për Shqipërinë. Të lëmë cic-micet dhe të bëhemi bashkë
Pas ceremonisë së mirëseaardhjes në Rinas të skuadrës olimpike që për herë të parë vijnë me dy medalje në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka pritur sportistët në një ceremoni të posaçme. Veliaj tha se sot flamuri i Shqipërisë, falë përpjekjeve të mbledhura ndër vite, arriti të ngrejë flamurin kombëtar dy herë në Paris. Ai tha se kjo javë përkon me 104-vjetorin e Sport Klub Tiranës, ku shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kanë kontribuuar.
‘‘Sot nuk mund të na vijë një mesazh më i mirë se sa mesazhi që djersa, talenti, puna, përpjekja, skuadra, shpërblehen. Gëzuar Ditën Nderkombëtare te Rinisë, sidomos të rinjve që aspirojnë që, si këta djem, t’i arrijnë gjërat me punë, me përpjekje, me dashuri, me pasion, si një mision i përbashkët, që është flamuri ynë kombëtar, skuadra jonë, Shqipëria. Gëzuar ditën e rinisë shumë djemve dhe vajzave që janë këtu sot edhe besojnë se vetëm me djersë, me punë dhe me talent ne mund të ecim përpara. Sot është edhe fiks data kur ne kemi çuar aplikimin për Tirana Kryeqyteti Europian i Sportit dhe mbaj mend se si kemi qenë me të njëjtin emocion. Një traditë që po e ndjek Vlora sot, edhe me shpresë, nesër Shkodra. Sporti mund të transformojë realitete ekonomike, realitete politike dhe realitete diplomatike. Sot flamuri i Shqipërisë, falë kësaj përpjekje, falë këtyre copave të këtij pazëlli të një fotografie të madhe të mbledhur ndër vite me përkushtim të jashtëzakonshëm nga Fidel Yllli dhe skuadra e jashtëzakonshme e KOKSHI-t, arriti të ngrejë flamurin tonë dy herë në Paris, me një sukses të paimagjinuar më përpara’’, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku pati një përgjigje edhe për kritikët dhe skeptikët, kur tha se duhen lënë mënjëanë cic-politike dhe të mobilizohen të gjithë për të bërë Shqipërinë krenare kudo. ‘‘Kur përballemi me sfidat dhe cic-micet, kujtojmë se fuqia jonë qëndron në unitet dhe në përpjekjet tona të palodhura për të çuar përpara emrin dhe nderin e kombit tonë. Ju jeni dëshmia e gjallë se, me vendosmëri dhe besim në vlerat tona, çdo pengesë mund të kapërcehet dhe çdo ëndërr mund të bëhet realitet. Për këtë, ne nuk mund të jemi asgjë më pak se sa krenarë për ju’’, vijoi më tej Veliaj.
Ai tha se Shqipëria po tregon përditë e më shumë se është mikpritëse dhe hap dyert për këdo që është i talentuar dhe dëshiron të kontribuojë për këtë vend. ‘‘Medaljet, që sollën në Tiranë Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, janë një nderim për ne, njëherësh edhe një vulë tjetër mbi vulat në pasaportat e tyre kuqezi. Kjo nuk është një histori që ndodh për herë të parë, kjo është një histori që përsëritet dhe që e vulos përfundimisht faktin që Shqipëria është një shtëpi me SH të madhe, një shtëpi e dëshiruar, e ëndërruar dhe përmbushëse, një Shtëpi që të hap dyert dhe të mirëpret. Është shtëpia tipike, si një hapësirë private që mbushet përditë me shenja identifikuese simbolike dhe emocionale. Ia vlen ta mbushësh me shenja të rëndësishme. Chermen Valiev dhe Islam Dudaev sollën shenjat e radhës në shtëpi, dy medaljet olimpike, të cilat janë, sa fitore dhe emocion, po aq edhe simbol dhe identitet… “Gjëja më e bukur e një udhëtimi kam lexuar diku është kthimi në shtëpi”. E të kthehesh në shtëpi me zemrën plot dhe të pritesh me zemra plot është një kulminacion. Mirë se u kthyet në shtëpi, medalistët më të rinj shqiptarë!’’, përfundoi Veliaj.