Çfarë është 11 Dhjetori edhe përtej PD-së?
Nga Ndriçim Kulla
Gjithçka që po ndodh aktualisht brenda PD-së nga shumica e analistëve po trajtohet si luftë midis Berishës dhe Bashës ose akoma dhe me keq, në mënyrë shumë sempliste dhe qëllimkeqe si një përplasje midis amerikanizmit të thekur të përkrahësve të Bashës dhe antiamerikanizmit të nënkuptuar të Berishës.
Diçka e tillë jo vetëm që redukton shumë gjëra, por edhe shfokuson qëllimin primar që pritet të ndodhë më 11 dhjetor. Nuk ka rëndësi më shumë se ku, se si dhe se sa delegatë do të mblidhen aty, edhe pse kjo është e rëndësishme për të dëshmuar shumicën.
Ajo që i jep këtij tubimi të paprecedentë në demokracinë brendapartiake shqiptare, fuqinë dhe dimensionin e një lëvizjeje të tërë rigjeneruese të të gjithë sistemit demokratik dhe politik të pluralizmit tonë të gjithë këtyre viteve, janë vendimet, statuti i ri dhe rithemelimi mbi baza krejtësisht të reja i partisë pararojë të këtij pluralizmi.
Vihet re një anashkalim i plotë i qëllimit të lëvizjes. Luhet me një gjuhë ndarëse, konfliktuale, si luftë për jetë a vdekje. Në një kohë që, pavarësisht se përballja parimore është e fortë, ajo u takon vetëm liderëve dhe nuk mund të shtrihet horizontalisht edhe mbi gjithë bazën demokrate.
Le të mendojmë për një çast se nuk është Berisha ai që i formulon dhe i vendos si parime të pashkelshme statutore, demokracinë e brendshme të zgjedhjes së çdo forumi, hapjen totale të partisë, “primariet”, rotacionin e mjaft risi të tjera themelore. Le të mendojmë edhe se ai që i parashtron të gjitha këto ndryshime nuk do të qe i shpallur ” non grata”.
Atëherë të gjithë analistët, të majtë e të djathtë, e gjithë klasa jonë politike do të ndjente shijen e përpiktë të një revolucionarizimi të paprecedentë të jetës së brendshme të partive shqiptare, të përfaqësimit të drejtpërdrejtë politik të bazës, që pas kësaj revolucionarizon përfaqësimin institucional dhe ajo që ka më shumë rëndësi, demokratizon rrënjësisht vendimmarrjen.
Po a nuk ka vuajtur tranzicioni shqiptar i gjithë këtyre 30 viteve pikërisht nga plagë të tilla? A nuk ka ngecur ekonomia, drejtësia dhe sipërmarrja shqiptare nga mungesa e hapjes dhe transparencës që gjeneron kjo demokraci e brendshme partiake? A nuk do të qe kjo një vlerë e shtuar apo një model edhe për vetë demokracinë e brendshme të PS-së dhe kësisoj e gjithë sistemit politik shqiptar?
Demokracia është perceptim; nëse një ndryshimin i tillë rrënjësor do të realizohet suksesshëm në radhët e PD-së, ai do të vendoset si model krahasimtar edhe për të gjitha forcat politike.
Shihet pra se po të shikohet e ndarë nga paragjykimet mbi “personin Berisha”, për të cilën unë mendoj se koha do ta kristalizojë mjegullën mbi të – Lëvizja që ai propozon është gjëja më e mirë e mundshme që mund t’i ndodhë sistemit tonë në kushtet në të cilat ndodhet.
Le ta shohim kësisoj 11 Dhjetorin, nën këtë dimension, nën optikën se a do t’i përmbushë apo jo rezultatet statutore, praktike e pse jo dhe ideologjike që janë parashtruar në takimet e “Foltoreve”. Tek e fundit demokratët dhe Shqipëria kanë nevojë pikërisht për këtë lloj kontributi.
11 Dhjetori është opozitë e vërtetë, është demokraci partiake dhe nuk është thjesht një karrige për kryetarin e partisë.
Urojmë që kjo të ndodhë, sepse do të qe vërtet përmbyllja e kalvarit të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar .