Çfarë kërcënimi përbën për sigurinë kombëtare Arqipeshkëvi George Frendo?

Historia e dhënies së shtetësisë shqiptare  ka nisur rrugëtimin e saj  të pandalshëm përgjatë viteve (90-të-2000) kryesisht për shqiptarët jashtë kufijve, në Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe shqiptarët e diasporës ku Shqipëria amë ishte një ëndërr  dhe marrja e pashaportës shqiptare ishte si një plotësim  i amanetit të të parëve, plotësim i një ëndërre të dëshiruar për  45-vite komunizëm.

Ndërsa  pas vitit 2000 e deri tani është rritur kërkesa për marrjen e nënshtetësisë shqiptare nga të huajt rezidente në Shqipëri, qofshin këta, misionare, biznesmene apo për arsye të tjera  familjare që i lidhin me Shqipërinë.

Duhet thënë se  pas vitit 2010 ku Shqipëria liberalizoi vizat dhe fitoi lëvizjen e lirë brenda zonës shengen,  rritja e kërkesave për pashaportë shqiptare sidomos nga Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi është shumë herë më e madhe, sidomos nga Kosova e cila ende nuk e ka fituar këtë status.

Herë pas herë është prekur si dukuri problematike dhënia e shtetësisë shqiptare për shkak të kushteve që duhen plotësuar por që ndër vite ka patur dhe shkelje të disa procedurave.

Sa i përket kësaj problematike, kohët e fundit në mediat shqiptare u bë publik një investigim nga gazetari Adriatik Doçi, kryesisht për dhënien e pashaportave shqiptare nga Presidenti aktual  Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta .

Që nga betimi si President deri në 28 shtator 2020, Ilir Meta ka pajisur me nënshtetësinë shqiptare 382 persona, me procedurë të përshpejtuar, duke shmangur Ministrinë e Brendshme, e cila përgatit dosjen dhe verifikon të huajin që ka bërë kërkesën për shtetësinë. Për disa prej tyre ndoshta një “rrugë” e shkurtër dhe e privilegjuar për të hyrë pa viza në zonën Shengen? , thuhet në këtë investigim .

Duhet theksuar se çdo rast investigues nga gazetarët në Shqipëri duhet vlersuar dhe mbeshtetur pasi ende gazetaria në Shqipëri është në tranzicion dhe herë pas herë e humb objektivin e saj. Pikërisht për këtë, çdo rast investigues ngjall debat.

Sikundër dhe  investigimi për dhënien e shtetësisë shqiptare, ka ngjallur polemika dhe debat politik.

Si gazetare, por dhe si qytetare shqiptare  ky investigim zgjoi interes tek unë pasi  nëntitulli në mediat shqiptare  “382 të huajt që morën shtetësi shqiptare nga Meta në emër të ‘interesit kombëtar’ pa u verifikuar për sigurinë!”, më tronditi.

Kush janë këta të huaj që kanë interes për Shqipërinë, madje kanë marrë shtetësinë Shqiptare pa u verifikuar për sigurinë?

Të gjitha dekretet për dhënien e 382 shtetësive, Meta i ka bazuar në pikën 7 të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë  5.8.1998 për shtetësinë shqiptare. Pika 7 parashikon që: “Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, në qoftë së Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar”. Po çfarë interesi shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar për Shqipërinë përbëjnë personat e pajisur me shtetësi nga Ilir Meta, edhe pse nuk plotësojnë kushtet ligjore?

Rreth 90 % të emrave në këtë listë janë personazhe anonimë, pa asnjë meritë të veçantë, për të justifikuar shmangien e procedurës së zakonshme dhe mosplotësimin e kritereve, në emër të interesit kombëtar. Pjesë e listës së zbuluar nga Shqiptarja.com janë turq, arabë, afrikanë, grekë, familjarë të krerëve të politikës së Kosovës, të afërm të këngëtarëve nga Kosova dhe familje nga të zakonshme nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Këta persona nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 9 të ligjit për të marrë shtetësinë shqiptare, por Meta ka keqpërdorur dhe abuzuar me klauzolën e ‘interesit kombëtar’, duke u dhënë shtetësinë për “merita të veçanta”, thuhet në këtë shkrim investigativ.

Pas këtij paragrafi, vendosa të lexoj një e nga një emrat e këtyre të huajve  në listen e gjatë prej 382 emrash.

Ndërsa lexoja emra që nuk me thonin asgjë, u shokova sapo shkova në emrin e 10 .

Anthony (George) Alfred Frendo , ishte në listen e emrave që sipas këtij investigimi cënon në njëfarë mënyre sigurinë kombetare.

U zhgënjeva, duke ditur që pikërisht Anthony (George) Alfred Frendo, është  njeriu që meriton më shumë se çdokush tjetër shtetësinë dhe pashaportën shqiptare për shkak të kontributit të jashtëzakonshëm që ka dhënë prej viti 1997 e deri me sot si meshtar.

E pra bëhet fjalë për Arqipeshkëvin e Tiranës dhe Durrësit Imzot George Frendo, prifti maltez që prej 23 vitesh është përkrah të varferve si në anën  shpirtërore dhe religjoze por dhe si shtyllë mbështetëse për qindra familje në nevoje. Jo vetem nuk e cënon sigurinë kombëtare por prezenca dhe emri i tij e nderon Shqipërinë.

Ky emër nuk mund ti shpëtonte syrit investigues të gazetarit Doçi, duke marrë parasysh që  Imzot Frendo shpesh herë ka qenë dhe është  zë i  fortë në mbrojtjen e  kauzave më të rëndësishme në jetën  sociale në  Shqiperi .

 Më e dyshimtë është dhënia e shtetësisë nga ana e Metës, në mënyrë abuzive dhe pa propozimin e asnjë institucioni në Shqipëri, shtesave arabë, italianë dhe grekë etj., të cilët nuk rezultojnë se shquhen në ndonjë fushë dhe që të justifikojnë interesin kombëtar, madje janë persona anonimë. Por, edhe nëse sipas pikëpamjes së Metës këta të huaj e meritojnë shtetësinë jashtë kushteve ligjore sepse nderojnë Shqipërinë, nuk dihet se cilit institucion i ka marrë mendim Presidenti për meritat dhe vlerat e të huajve, vijon gazetari.

Pikerisht ky paragraf e njollos emrin dhe kontributin e jashtëzakoshëm që ka dhënë Imzot Frendo, në Elbasan, Durrës, Tiranë por dhe në gjithë Shqipërinë.

Ky emër e rrëzon po ashtu gjithë këtë punë investigative pasi duket sikur janë futur të gjithë  në një “thes” duke e bërë jo serioze dhe jo profesionale gjithë këtë investigim.

Fatkeqësisht nuk është i vetmi emër si misionar në Shqipëri. Gjithashtu në këtë listë të “zezë” janë misionaret malteze, në Famullinë e Shën Domenikut në Durrës.

At’ Bernard Caruana dhe Jeffrey Alfred Bugeja, pjesë e Etërve Dominikanë, të cilët veprojnë në Shqipëri prej më shumë se 20 vitesh. Ata kanë dhënë një kontribut jo vetëm religjoz në komunitetin katolik, por kanë qenë pranë në zonat më të varfëra në Durres, si në Lagjen Mirdita, Sektor-Rinia, Sukth, Zona e ish-kenetës, Spitalle, Porto-Rromane, zona këto, ku shteti ishte pothuajse inekzistent për qindra familje të varfëra të ardhura nga zonat më të varfëra e të thella të Shqipërisë.

At Bernard Caruana

Citoj këta tre emra për shkak të njohjes së kontributit të tyre në Shqipëri, por ndoshta mund të jenë dhe emra të tjerë (të panjohur për mua por të njohur për të tjerë) që nuk meritojnë të jenë pjesë e kësaj liste ku dyshohet për meritën e dhënies së shtetësisë shqiptare apo qoftë larg dhe për cënim të sigurisë së Shqipërisë.

Jo për të anatemuar investigimin në vetvete por do kisha dashur që kolegu Doçi ta çonte punën deri në fund duke shkuar përtej emrave dhe duke verifikuar figuren e secilit prej tyre, pasi përfshirja e emrave  të tre misionarëve të nderuar në: “Personat që janë pajisur me shtetësinë shqiptare nga Meta gjatë periudhës korrik 2017-shtator 2020 duke shmangur Ministrinë e Brendshme”, fatkeqësisht tregon një punë sipërfaqësore dhe aspak profesionale

 /argumentum.al

SHKARKO APP