CIA dhe MI6 me anë të Ramës japin formulën partive shqiptare në Maqedoni
Mediat maqedonase zbardhin detaje të tjera nga drafti i partive shqiptare, krerët e të cilave zhvilluan një takim në Tiranë me kryeminsitrin Edi Rama një ditë më parë.
Sipas portalit “MacedoniaOnline.eu”, drafti me kërkesat që shqiptarët do t’i vendosin qeverisë së ardhshme maqedonase u prezantua nga Edi Rama, por është hartuar nga CIA dhe MI6, Shërbimi Sekret i Britanisë.
Portali citon kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka thënë se kërkesat e shqiptarëve rrjedhin nga programet zgjedhore të partive dhe konsistojnë në: të drejta gjuhësore, barazi ekonomike në shpërndarjen e fondeve, reformim të sistemit të drejtësisë, zgjidhjen e disa proceseve gjyqësore, integrim në BE dhe NATO, si dhe zgjerim të mandatit të Prokurorisë Speciale. I pyetur nëse qëndrimet politike të partive shqiptare në Maqedoni janë duke u krijuar në Tiranë, Ali Ahmeti tha se as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë hartuar draftin.
“Ne kemi synimet dhe programin tonë, por çdo ndihmë është e mirëpritur, nëse ajo vjen nga miqtë që ndajnë të njëjtin mendim me ne apo komunitetin ndërkombëtar”, është shprehur kreu i BDI-së.
Në takimin e djeshëm në Tiranë me kryeministrin Rama morën pjesë, Ali Ahmeti i BDI-së, Zijadin Sela i Aleancës së Shqiptarëve dhe Bilal Kasami i Lëvizjes Besa, e etiketuar nga mediat maqedonase si një lëvizje islamike radikale.
Ndërsa mungoi Menduh Thaçi i PDSH-së, i cili dha dorëheqjen pak ditë pas rezultatit të zgjedhjeve, ku partia e tij mori vetëm 2 deputetë.
KOHA JONË SONDAZH

