Cipras: Objektivi, maxhorancë absolute në parlament. Samaras: Syriza po përkatit një shtërnges tatimore
Nga Kujtim VANI, Athinë
Kuadrin ideologjik të bashkëpunimeve që mund të pranojë SYRIZA, në rast të mosarritjes së maxhorancës qeveritare, përshkroi Aleksis Cipras, në intervistë për televezionin ANT1, duke lënë të hapur mundësinë e krijimit të qeverisë me gjithë forcat politike që pranojnë implementimin e programit të Selanikut. Nga skema qeveritare përjashtohen forca “që e çuan vendin në katastrofë”, duke nënvizuar se “nuk kemi për të bërë asnjë hap mbrapa nga ajo që e konsiderojmë të nevojshme dhe të domosdoshme për vendin, negociimin e ashpër me vija të kuqe në nivel europian dhe nisjen e menjëhershme të implementimit të programit të Selanikut për përballimin e krizës humanitare dhe ristartimin e ekonomisë”. Tsipras gjithashtu vuri në dukje se nuk mund të bashkëpunojë me Lumin, PASOK-un dhe KIDISO (partia e re e Papandreut) dhe theksoi se ai beson që në rast se ka forca të cilat “do të pranojnë zbatimin e menjëhershëm të programit për negociim të fuqishëm në dobi të vendit në kuadër europian, ne do të jemi të hapur”. Ndërkaq, kryetari i SYRIZA-s u shpreh në favor të maxhorancës qeveritare, duke theksuar besimin se ajo do të arrihet. Cipras tha se ajo që luhet nuk është nëse SYRIZA do të fitojë, por nëse do të ketë maxhorancën absolute në Parlament. “Ju them pra me sinqeritet, shtoi Cipras: Nuk kërkojmë maxhorancë për arrogancë ashtu siç bënin partitë pushtetare nga 1974 deri më sot. Nuk kërkojmë çek të bardhë dhe nuk kërkojmë të marrim një revansh historik, duam t’i bashkojmë dhe jo t’ndajmë grekët, mirëpo duam maxhorancën absolute në parlamentin e ardhshëm, pse kundërshtari ynë nuk është zoti Samaras dhe zoti Venizelos”. Kundërshtari ynë kryesor, vazhdoi Cipras, është “një sistem korruptiv i pushtetit ekonomik me pushtetin politik, që qeverisi vendin gjithë këto vite dhe ne i duam duart tona të zgjidhura ditën tjetër, me qëllim që të mundim të përplasemi brenda vendit për ndërhyrjet e mëdha që janë të domosdoshme”.
Ndërkohë kryeministri Andonis Samaras është shprehur se SYRIZA po përgatit një shtrëngatë tatimore, si dhe ka bërë edhe krahasimin e programit të Demokracisë së Re dhe të SYRIZA-s, gjatë një fjalimi në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Athinës. “U shënua ulje e papunësisë, u reduktua borxhi publik dhe tani po dalim nga memorandumi”, vazhdoi Samaras duke bërë një bilanc të shkurtër të arritjeve të qeverisë. Kryeministri iu referua zhvillimeve që çuan në zgjedhjet e parakohshme dhe pasojat për ekonominë: “Një minorancë e tërhoqi vendin në zgjedhje, të cilat shumica nuk i donte. Faktikisht po regjistrohen pasoja negative, ulje e xhiros, ulje e të ardhurave tatimore, rënie e Bursës, tendenca të largimit të depozitave, që i detyruan bankat t’i drejtohen ELA-s, pezullim i projekteve për dhënie likuiditetesh nga bankat, dhe një pasiguri paralizuese që ka ngrirë investimet që parashikonin mijëra vende pune. Këto minojnë perspektivat e vendit”. “SYRIZA bën premtime të marra: rikthim të pagave në sektorin publik dhe rimarrje në punë në këtë sektor, premton rishtetëzime, premton shtetëzim të sektorit të energjisë dhe ka paralajmëruar nënshtrimin e sistemit bankar nën kontrollin e shtetit. Paralajmëron obligacione shtetërore nga depozitat e qytetarëve. Gjithashtu taksë për veprimet bankare, duket se nuk e dinë se si funksion sistemi bankar”, vërejti Samaras për programin e SYRIZA-s. Kryeministri u bëri thirrje afaristëve që të bëjnë krahasimin e dy programeve. Në vbazhdim u angazhua “për ulje të tatimir të biznesit, nga 25% në 15%. Si hap i parë, do të jetë ulja nga 25% në 22%. ENFIA do të ulet gradualisht deri sa të arrijë nga 1,4% të PBB, në 1% dhe do t’i kalohet pushtetit lokal. Në tatimin e të ardhurave koeficenti maksimal është ulur nga 45% në 43%. SYRIZA thotë se do ta shpjerë koeficentin maksimal në 60%. A ka ndokush dyshime se bëhet fjalë për një shtrëngatë tatimore?… Ne do ta ulim gradualisht nga 43% në 33%”. Kryeministri premtoi heqjen e penalizimit për detyrimet ndaj Entit të sigurimit të profesionistëve të lirë (OAEE). Samaras garantoi se nuk do të ketë ulje të tjera pagash dhe pensionesh dhe se nuk do të lejojë të bëhen ankande për banesën e parë. Gjithë këto, tha, mund të bëhen realitet, sepse arritëm suficite primare dhe mbyllëm buxhete të balancuara, ngase jemi futur në rrugën e zhvillimit”. Në vazhdim të sulmit ndaj SYRIZA-s, Samaras tha se me propozimet e veta do të përplaset me BE, do të krijojë rreziqe për dalje nga Bashkimi Europian dhe do të detyrohet të nënshkruajë memorandume të reja. “Pa memorandum nuk ekzuston SYRIZA dhe vetëm me SYRIZA-n do të ketë memorandume”, tha Samaras dhe shtoi se partia e Cipras “do të përmbysë reformat dhe përfundimisht do të kërkojë sakrifica të reja”. Ndërsa kreu i Pasok-ut Evangjelios Venizelos, thekson se partia e tij do të jetë partner përgjegjësie dhe garant i stabilitetit në vend. Ai thotë se duhet të mendojnë me mençuri para se të zgjedhin partinë që do të votojnë, duke thekuar se nuk duhet bërë asnjë hap mbrapa dhe të hidhen në erë sakrificat e grekëve. Për këtë arsye, ai u ndal veçanërisht në nevojën e mirëkuptimit kombëtar që siç tha, do të sjellë stabilitetin politik, duke e ndërlidhur këtë me çështjen e turizmit, pasi, sipas tij, diskutimi i pabazë për euronë, e influencon vendosmërisht këtë sektor. Paralelisht, Venizelos nënvizoi ndërmjet të tjerash se “nuk duhet të shkojmë në raund të dytë zgjedhjesh, pasi diçka e tillë do të jetë katastrofë për vendin”. Venizelos e cilësoi PASOK-un partner përgjegjësie kombëtare dhe garant të stabilitetit. “Kemi qëndrime të pastra dhe qytetarët duhet të mendojnë drejt e të mos bëjnë përzgjedhje politike të gabuara”, theksoi Venizelos.
Ish kryeministri Giorgos Papandreu gjatë një interviste në televizonin Star dhe emisionin e-nikos deklaron se, Lëvizja e Socialistëve Demokratë (KIDISO) do të jetë surpriza e zgjedhjeve të së dielës. Paralelisht, Papandreu deklaroi se nuk do të bashkepunojë pas zgjedhjeve me zotin Samaras, pasi ka përvojë negative nga bashkëpunimi me të, dhe e akuzoi kryeministrin se e luajti një zare me sakrificat e popullit grek, mori masat më të ashpra, vonoi hapat e vendit me insistimin e tij për zgjedhje, bëri mbrapa për reformat dhe e vetmja që bëri ishte reduktime në paga e pensione dhe rritje e taksave. Në një pikë tjetër të intervistës, Papandreu tha se Samaras muajt e fundit e “luajti pjesën si të ishte SYRIZA”, dhe thoshte se do të grisë memorandumin, me rezultat vendi të humbasë përsëri kredibilitet. Papandreu tha gjithashtu se para votimit të memorandumit, në maj 2010, i kishte kërkuar Samarasit që ta mbështeste dhe përgjigja që mori fillimisht ishte se do të shihte mundësinë e bashkëpunimit; mirëpo pak më vonë refuzoi dhe përjashtoi deputetë të Demokracisë së Re që votuan “pro” memorandumit, si Dora Bakojanis.
Kryetari i partisë LUMI, gazetari Theodorakis është informuar nga guvernatori i Bankës së Greqisë në lidhje me problemet bankare. Guvernatori i Bankës së Greqisë, Janis Sturnaras, e ka informuar në mënyrë të detajuar për problemet e bankave dhe të ekonomisë, pas kërkesës së Theodhorakis.
“Konkluzioni im është se situata është e vështirë, por e kontrollueshme”, deklaroi kreu i Lumit pas takimit që zgjati rreth një orë.
“Banka e Greqisë, në bashkëpunim me Bankën Qendrore Europiane i mbështet bankat greke dhe depozitat e qytetarëve grekë, sigurisht, për aq sa edhe grekët respektojnë angazhimet e tyre dhe bashkëpunojnë me europianët për zgjidhjen e problemeve”, shtoi Theodorakis.
Ndërkombëtarët reçeta për Greqinë:
Nga ana e vet ndërkombëtarët i kërkojnë Greqisë të respektoj detyrimet. Qeveria e re greke do të duhet të realizojë angazhimet e paraardhësve dhe të vazhdojë reformat, i deklaroi presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker agjencisë Reuters, që nga na e saj komenton se këto deklarata duken si një paralajmërim i qartë ndaj SYRIZA-s, që konsolidon avantazhin e vet në sondazhet pak ditë para zgjedhjeve të 25 janarit. “Cilado qeveri greke e porsazgjedhur do të duhet të respektojë angazhimet ekzistuese dhe të qëndrojë në rrugën e reformave dhe të përgjegjshmërisë fiskale”, theksoi Juncker dhe shtoi: “Europa do të përkrahë Greqinë. Mirëpo Europa pret gjithashtu nga Greqia që të respektojë angazhimet kundrejt partnerëve”. Nga ana tjetër, një paralajmërim të qartë lidhur me pasojat e një ristrukturimi të mundshëm të borxhit publik grek, me vlerë 240 miliardë euro, drejtori shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, duke theksuar qe “si parim, përpjekjet kolektive janë të mirëpritura, por njëkohësisht një borxh është një borxh, dhe kjo përbën një kontratë”.
Ndërsa përsa i përket Ristrukturimit të borxhit grek Ministri francez i financave deklarohet i hapur për dialog. Ministri francez Michel Sapin, shprehet për qëndrim kompromisi në raport me zyrtarë të tjerë të eurozonës kundrejt një ristrukturimi të mundshëm të borxhit publik grek. Ai ka deklaruar në gazetën Financial Times se BE duhet të jetë e gatshme që të negociojë me qeverinë e re greke për ristrukturimin e borxhit kolosal dhe për zgjatjen e afatit të programit të shpëtimit. “Cilido që të jetë rezultati i zgjedhjeve (të 25 janarit), është krejtësisht e drejtë dhe institucionale që të bëhen diskutime ndërmjet BE dhe qeverisë së greke”, deklaroi Sapin në intervistën që i dha gazetës. Sipas Financial Times, këto komente u bënë ndërsa ekziston një situatë e tensionuar ndër partnerët e eurozonës për mënyrën e reagimit të tyre ndaj një fitoreje të mundshme të SYRIZA-s. Ministri francez i financave e përjashtoi mundësinë e largimit të Greqisë nga eurozona, duke vënë në dukje se asnjë parti politike nuk kërkon një dalje nga zona e euros.