Çka bëri për PD, Rudina Hajdari, që e emëruan deputete?!
Nga Gavrosh Levonja
A di ndokush ndonjë kontribut të Rudina Hajdarit në PD falë të cilit kryetari Basha i dhuroi mandatin e deputetes? Personalisht, me ato mundësi që kam për të ndjekur ato që ndodhin në Shqipëri, nuk di që kryetarja e partisë më të re shqiptare të ketë ndonjë meritë të veçantë aq sa emri i saj të listohej para emrash si Jozefina Topalli, Ridvan Bode apo dhe bashkethemeluesi i partisë së re, Astrit Patozi, pa përmendur të tjerë. Nuk besoj që kjo Rudina të kishte ndonjë aftësi apo premisë për të afruar votues në PD.
E vetmja meritë e saj nga ç’përmendet prej mediave, është të qenët e bija e Azem Hajdarit Një mendësi e tillë që dikush të promovohet prej kontributit të prindërve apo qoftë dhe ndonjë të afërmi të rrethit familjar, kompromenton imazhin e Lulzim Bashës si një leader i cili premton të sjellë një frymë perëndimore në politikën shqiptare. E them këtë duke pasur parasyh se edhe Enver Hoxha, që me pushtetin e tij të pakufizuar ishte shndërruar në një despot, nuk i ingranoi fëmijët e tij në forumet e partisë dhë strukturat e pushtetit. Ky është vetëm një aspekt, i cili tregon se kreu aktual i PD-së nuk ka qenë i aftë të implantojë një stil të ri menaxhimi të partisë që drejton.
Duke qëndruar tek mënyra e përzgjedhjes së emrave të kandidatëve për deputetë apo dhe pretendentëve për në forumet drejtuese të partisë, gjithçka është e përqëndruar në duart e kryetarit dhe rrethit të tij të ngushtë duke mos i a deleguar këtë të drejtë bazës së partisë. “Një antar, një votë” deri tani më duket si një slogan për të mos thënë fjalë erë. Ashtu si dhe në partitë e tjera të vjetra, gjithçka gatuhet në qendër duke mos i krijuar bazës së partisë hapsirat e nevojshme që kjo të shfaqë mendimet e saj pa le pastaj që as mund të bëhet fjalë për nisma të pavarura apo larg qoftë për t’i imponuar ndonjë qëndrim qendrës, siç ndodhte me degën e Tiranës në vitet 91-92.
Dhe produkti i një raporti të tillë në relacionin bazë-qëndër është atrofizimi i degëve të partisë të cilat bëhen të gjalla vetëm në rast të ndonjë vizite të kryetarit duke mbledhur njerëz për të plotësuar dekorin e mbledhjes apo mitingut ku leadëer-i mban një fjalim të rëndësishëm. Ndiqni mediat e Shqipërisë dhe vështirë se do të gjeni ndonjë lajm a njoftim ku protagonist të jetë ndonjë funksionar lokal i partisë dhe jo kryetari i saj.
Këtë nuk e them vetëm për PD-në, por edhe për partinë e Ramës ku pas zhdukjes së çdo gjurme nga fryma liberale e Nanos, tashmë dominon parimi “njëshi i di të gjitha’ duke bërë që të gjithë, fillo nga krerët më të lartë të partisë, janë vetëm amplifikues të atyre që deklamon udhëheqësi i pagabueshëm. Sado i aftë të jetë një kryetar, gjykimi i tij për zhvillimet në zona të ndryshme të vendit nuk mund të jetë kurrë në lartësinë e atyre që jetojnë andej përsa i përket objektivitetit. Duke qenë në kontakt direkt me gjendjen e popullsisë, me problemet e përditshme të saj dhe sidomos me situata speciale, degët e partisë duke mbledhur shqetësimet e njerzve janë në gjendje të orientojnë udhëheqjen lidhur me qëndrimet dhe lëvizjet politike që duhet të adaptojë, si për rrugët e zgjidhjes së problemeve por edhe për të fituar kapital politik.
Për arsye të njejta, strukturat lokale të një partie duke njohur nga afër individë të spikatur, aftësitë dhe popullaritetin që gëzojnë në rrethin e tyre, janë në gjendje të bëjnë përzgjedhje shumë herë më objektive se udhëheqja në qendër, lidhur me emrat që mund të sigurojnë sukses në zgjedhje. Basha me shokë me të vërtetë mund të ankohen për blerje votash e parregullsi të tjera në zgjedhje, por bën mirë të reflektojë edhe për emrat të cilët i ka servirur elektoratit. Në qoftë se emrat e atyre që do të uleshin në parlament në radhët e PD-së do të vinin nga baza mundësitë për të ndodhur ajo që ndodhi me emrat e listës së kryetarit do të kishin qenë shumë herë më të pakta. Sa për zërat që i a atribuojnë krijmin e problemeve marrëveshjes së 2008-ës, nuk besoj që kjo do ta detyronte Bashën që të mos zbatonte një rrugë tjetër në hartimin e listaës së kandidatëve për deputetë duke e lënë gjithçka në dorë të degëve. Por ndoshta edhe Basha ashtu si Rama e të tjerë, preferon 2008-ën që duke bërë presion me listën e deputetëve të shtojë radhët e besnikëve të tij në forumet drejtuese të partisë.