Çmimet e shportës/ Ministret Ibrahimaj dhe Krifca: Disa kompani pranuan që të mos kenë fitime. Nuk do lejojmë abuzimet
Këtë mbrëmje, dy ministret e qeverisë ”Rama 3”, ajo e Financave, Delina Ibrahimaj dhe ajo e Bujqësisë, Frida Krifca, dolën në një konferencë të jashtëzakonshme, pas një maratone diskutimesh me përfaqësuesit e shitësve të shumicës dhe pakicës për disa nga ushqimet bazë.
Ministrja e Financave, Ibrahimaj tha se të gjithë kompanitë kanë garantuar për të pasur marxhe fitimi mimale, madje disa kanë kërkuar mos të kenë fitim, por vetëm fitim kostosh. Sipas saj, një ndër vendimet e rëndësishme ishte që bordi nuk do të lejojë që çmimet e ushqimeve të mos rriten sapo të rritet importi dhe bursa.
”Ne nuk kontrollojmë çmimin, vjen nga inflacioni i importuar. Kemi parë sa janë rritur çmimet për produktet ushqimore. Nuk vendosim dot çmimin që do të donim, pasi operojmë në një ekonomi tregu. Në ditët në vijim do t’u mbajmë të informuar për instrumentin e monitorimit për të mos lejuar abuzim në një situatë lufte. Nga ana tjetër ne kemi vendosur një garanci që do të përdoret nga tregtarët me qëllim që të garantojnë blerjet e tyre. Të gjitha me qëllimin që familjet të mos paguajnë asnjë qindarkë më shumë sesa duhet të paguajnë”.
Kurse ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca tha se qeveria është duke monitoruar situatën në treg për sa i përket mallrave bazë, në mënyrë që të orientohet drejt tregjeve të reja në rast se do të ketë mungesa të produkteve të caktuara. Krifça thotë se ky vit i mbulon nevojat për grurë dhe drithë.
“Ashtu siç mundësuam çlirimin e tregut për grurin me Serbinë, në këtë mënyrë do të vijojmë edhe bashkëpunimin me vendet e tjera. Jemi duke komunikuar me aktorët e tregut për të kuptuar nevojat. Duke qenë në partneritet me importuesit dhe tregtarët do kemi mundësinë për të parë nevojat për të ndërhyrë për tregjet e tjera. Për sa i përket grurit dhe drithit parashikimet janë shumë optimiste për këtë vit për të ndenjur në përputhje me nevojat që ky vit ka për sa i përket konsumit”.