Çmimi Nobel në Mjekësi për dy shkencëtarë të biologjisë molekulare: nderim për Julius dhe Patapoutian
Nga DW-
Për zbulimin prej tyre të receptorëve për temperaturën dhe prekjen në trup, dy shkencëtarët David Julius dhe Ardem Patapoutian morën Çmimin Nobel të këtij viti në Mjekësi.
Çmimi Nobel i këtij viti për mjekësinë u jepet shkencëtarëve David Julius (SHBA) dhe Ardem Patapoutian me origjinë libaneze. Ata vlerësohen për zbulimet prej tyre të receptorëve për temperaturën dhe prekjen në trup, sipas Komitetit Nobel në Stokholm.
Njohuritë e fituara nga zbulimi do të përdoren për të zhvilluar trajtime për një sërë sëmundjesh, përfshirë dhimbjet kronike, tha Komiteti i Nobelit. Zbulimet epokale të nobelistëve të këtij viti “na kanë mundësuar të kuptojmë se si nxehtësia, të ftohtit dhe forcat mekanike shkaktojnë impulse nervore, të cilat na lejojnë të perceptojmë dhe përshtatemi me botën përreth nesh,” tha komiteti. Sipas raportit, studiuesit përdorën qeliza të ndjeshme ndaj presionit për të zbuluar një klasë të re të sensorëve, që reagojnë ndaj stimujve mekanikë në lëkurë dhe organet e brendshme.
U përdor përbërje specash djegës
Julius përdori kapsaicinën, një përbërës i athët nga specat djegës, që shkakton një ndjesi djegieje, për të identifikuar një sensor në fundet nervore të lëkurës që reagon ndaj nxehtësisë.
Patapoutian-i përdori qeliza të ndjeshme ndaj presionit për të zbuluar një klasë të re të sensorëve që reagojë ndaj stimujve mekanikë në lëkurë dhe organet e brendshme. Ai lindi në Bejrut dhe shkoi në Los Angeles në moshën e adoleshencës; ai aktualisht kryen kërkime në Scripps Research në La Jolla, California.
Java e Çmimit Nobel ka filluar
Çmimi Nobel në Mjekësi shoqërohet me rreth 980.000 euro. Që nga viti 1901, këtë çmim e kanë marrë 222 vetë, përfshirë dymbëdhjetë gra. Çmimin e parë e mori bakteriologu gjerman Emil Adolf von Behring për zbulimin e një terapie kundër difterisë. Në vitin 1995, Christiane Nüsslein-Volhard u bë gruaja e parë dhe deri tani e vetmja femër gjermane që e mori çmimin. Vitin e kaluar, çmimin e morën Harvey J. Alter (SHBA), Michael Houghton (Britani e Madhe) dhe Charles M. Rice (SHBA). Ata kishin dhënë një kontribut të madh në zbulimin e virusit të hepatitit C. Çmimi Nobel konsiderohet si një nga çmimet më të rëndësishme shkencore në botë.
Java e Çmimeve Nobel fillon me shpalljen e fituesve të Çmimit Nobel në Mjekësi. Të martën dhe të mërkurën do të shpallen fituesit e çmimeve të fizikës dhe kimisë. Njoftimet për Çmimin Nobel në Letërsi dhe Çmimin Nobel për Paqen do të pasojnë të enjten dhe të premten. Seriali përfundon të hënën e ardhshme, 11 tetor, me të ashtuquajturin Çmimin Nobel në Ekonomi, të sponsorizuar nga Riksbank suedeze.