Conte: Të zgjidhet kriza politike, Italia pro Shqipërisë në BE pa kushte

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, përsëriti mbështetjen e Italisë ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE. Nga ana tjetër, Conte theksoi faktin se Shqipërisë duhet t’i hapen negociatat, pa kushte dhe se Italia do të jetë gjithmonë në radhë të parë për të mbështetur atë në çdo takim të Këshillit Europian.

Bashkimi Europian sipas tij nuk mund t’ia lejojë vetes të bllokojë negociatat por nga ana tjetër nuk mohoi faktin se Shqipëria ka disa detyra për të bërë, në veçanti ”zgjidhja e krizës politike”. Në këtë pikë ai vijoi duke deklaruar se ”si mik i Shqipërisë i lejoj vetes të ftoj forcat e opozitës të bashkëpunojnë”.

Kryeministri italian kujtoi se vendi i tij është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë dhe zbuloi se së shpejti do të ngrihet një komision i përhershëm mes dy vendeve me fokus mundësitë e investimit të kompanive të mëdha italiane, si dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e gjyqësorit dhe parandalimit të krimit të organizuar.

SHKARKO APP