Çorovoda ime

Nga ROLAND QAFOKU
Kjo është një pjesë e pjesës së sipërme të qytetit të Çorovodës, ose siç thonë banorët vendas, “Lart”. Kortezi e Ahmet Çetës, fotoja është marrë nga një pikë dominuese që në këtë zonë nuk e ke vështirë ta gjesh dhe për mua është këndvështrimi më i bukur i qytetit, më saktë i lagjes “5 shtatori”. Më bukur fare-fare do ishte të shfaqej edhe pjesa e poshtë e qytetit, ose siç thonë përsëri banorët “Poshtë” (Fotoja e dytë). Shprehjet “A do vish lart ?”, apo “A do vish poshtë ?”, besoj se janë më të përdorurat e fjalorit mes banorëve të qytetit. Në të katër shtëpitë që kam banuar në Çorovodë, unë e kam patur shtëpinë “Poshtë”. Nuk e di, por, me naivitetin e fëmijës, më dukej se ishte më mirë ta kishe shtëpinë “Poshtë” se sa “Lart”. Gurgullima aq pranë e dy lumenjve, lumi “Osum” dhe lumi i “Çorovodës” si dhe bashkimi i tyre në qendër të qytetit, në memorien time mbeten imazhe të papërsëritshme. Me atë “muzikë” na zinte gjumi dhe po me atë “muzikë” zgjoheshim. Nëse do hapje dritaren e dhomës, të dukej sikur uji do të futej brenda. Kjo pikë gjeografike është e vetme në këtë formë kaq spektakolare e shoqëruar një lloj delte. Në Shqipëri jo e jo, por të paktën unë nuk kam parë asnjë qytet në Evropë dhe në botë që dy lumenj të bashkohen në qendër të një qyteti.
Por, ne që kishim shtëpinë “Poshtë”, mund ta përshkruajmë më mirë pjesën “Lart” të Çorovodës. Dhe ata që e kishin shtëpinë “Lart” mund ta përshkruanin më mirë pjesën “Poshtë”. Nuk kishim shumë alternativa për ta bërë jetën me shumë ngjyra. Kur ngjiteshe shkallëve “Lart” përdonim majat e këmbëve dhe kur zbrisnim “Poshtë”përdorim thembrat. Apartamenti, pallati, sheshi poshtë pallatit, pallati i Kulturës, kinemaja, pallati i Pionerëve, dyqani i bukës i lagjes, dyqani i ëmbëlsirave dhe akullores me teta Ruhijen, klubi legjendë mbi lum “Sorkadhja”, hoteli, Dimërori 1, Dimërori 2, Dega e Brendshme, Komiteti i Partisë, Komiteti Ekzekutiv, Gjimnazi, shkolla 8-vjeçare “Poshtë”, shkolla 8-vjeçare “Lart”, Kopështi numër 1, Kopështi numër 2, Fusha e sportit, Ura e madhe, ura e Sharovës dhe në fund, por jo për nga rëndësia emblema e qytetit “Varishti” me Kanionet. Ah, mos harroj, matanë Varishtit ishte një kodërz me emrin kishë dhe që sigurisht aty dikur kishte një kishë. Me shumicë bektashinj, unë në fakt besoj se e kaluara e banorëve të zonës kanë qenë të krishterë. E përbashkëta e pjesës “Lart” me pjesën “Poshtë” është gjelbërimi. Shikoni se çfarë jeshilliku ka ky qytet! Nuk besoj se është shkencore, por falë këtij dominimi besoj se kjo duhet të jetë arsyeja që një pjesë e banorëve i kanë sytë ngjyrë të blertë. Nuk ka ndonjë gjë të madhe për tu mburrur ky qytet, por gjelbërimi, uji i pastër, dhe rakia krijojnë një trekëndësh që në mos krenarë na bën të ndjehemi mirë.
Për ti prekur të gjitha këto vende, ne që banonim “Poshtë” duhet të shkonim “Lart” dhe ata që ishin “Lart” duhet të shkonin “Poshtë”. Edhe pse një qytet tepër i vogël në krahasim me gjigandët e Shqipërisë si Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça, jeta e pjesës më të madhe të shqiptarëve nëpër qytetet e vendit tonë në atë kohë rrotullohej rreth këtyre vendeve dhe objekteve si në Çorovodën tonë të vogël. Fjala vjen, pavarësisht se ishin shumë më të mëdhenj, Kuçova, Kavaja, Lushja, Fieri, Kruja e të tjerë nuk dallonin shumë nga Çorovoda. Unë që edhe shkollën e mesme dhe të lartën e kanë kryer në Tiranë, nuk vëreja ndonjë dallim mes moshatarëve të mi për nga edukimi, formimi si dhe jeta që kishin bërë. Për të mos thënë që në krahasim me disa syresh, nuk mund të krahasohej fare me edukimin që kisha marrë në Çorovodë.
Tani që kanë kaluar 32 vjet nga rënia e regjimit komunist vërejmë një detaj që besoj të gjithë e kapin. Çorovoda është ndoshta i vetmi qytet që nuk ka asnjë godinë të re të ndërtuar pas vitit 1990. As godinë banimi, e as godinë qeveritare. Ka restaurime dhe riksontruksione, apo ndonjë godinë biznesi apo shtëpi modeste dy katëshe, por pallate, vila apo godina në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk ka asnjë për be. Kjo tregon se qytetit duket sikur i ka ngecur ora dhe po shkon drejt një degradimi urban që ka ardhur kryesisht për shkak të largimeve masive. Me gjasë, ne që kemi lindur dhe jemi rritur në Çorovodë mund të emocionohemi vetëm me faktin se këto pamje si kjo që po publikoj na krijojnë nostalgji, sepse ka një gravitet të fuqishëm nga pas, fëmijërinë. Dhe aty ku është fëmijëria, fiks aty është lumturia. Pjesa tjetër e jetës është sforco, betejë e luftra dhe vetëm memoria e fëmijërisë na bëjnë të jemi të lidhur me Çorovodën tonë. Prandaj vazhdojmë ta duam kaq shumë këtë qytet.

SHKARKO APP