”Covid-19 është bërë si gripi”, Brataj: Rastet janë shtuar, por nuk ka vend për panik

Sërish po flitet për Covid-19, kjo nisur nga një variant i ri që po qarkullon, Eris. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj konfirmon rritjen e numrit të rasteve të infektuara me Covid 19.

Ai është optimist dhe shprehet se tanimë koronavirusi është shndërruar një sëmundje virale të zakonshme që mund të konsiderohet e ngjashme me një grip, pavarësisht se ka nisur të qarkullojë një nënvariant i ri i Omicronit EG5.

Edhe pse varianti Eris është kapur në 51 vende, ekspertët thonë se nuk ka vend për panik. “Ka infektim më të lartë por nuk ka rritur vdekshmërinë”, tha Brataj.

Pavarësisht se Covid 19 është shndërruar si një sëmundje e zakonshme virale, ekspertët e shëndetit apelojnë për të pasur kujdes sidomos grupet në risk. Qytetarët të bëjnë kujdes pasi jemi në prag të vjeshtës dhe mbivendosja e virozave mund të sjellë komplikacione tek pacientët.

SHKARKO APP