Covid-19, shtetet e Europës po përgatiten për një valë të dytë. Gjithçka varet nga…

Parandalimi i rikthimit të Covid-19 në Europë. Të rinjtë nuk po u binden rregullave. Valët e një epidemie kanë tendencën të ngrihen si një cunami ngadalë, pothuajse pa u ndier, derisa vjen një pikë kur rriten menjëherë. Në disa pjesë të Europës, tani ekziston frika se rastet e Covid-19 mund të jenë sërish duke iu drejtuar një pike të rrezikshme të infeksionit. Në Spanjë, rastet e reja ditore janë rritur ndjeshëm, gati dhjetë herë më shumë se në qershor, kur u hoqën masat izoluese. Rritje më pak dramatike, por gjithsesi shqetësuese, kanë filluar të vihen re edhe në vende të tjera të Europës.

Tani për tani, rritjet e rasteve në Europë vihen re kryesisht në disa shtete që janë kthyer në vatra, në rajone brenda tyre apo edhe qytete. Shkalla e infeksionit është veçanërisht e lartë në Ballkan dhe Spanjë, e cila ka shënuar rreth 27 raste për 100,000 njerëz javën e kaluar. Shkalla korresponduese e rasteve në Gjermani, Francë dhe Itali është në nivele njëshifrore.

Si në vendet me shkallë të ulët dhe të lartë të infeksionit, pjesa më e madhe e rasteve të reja shpesh përqendrohet në vendndodhje të veçanta. Afërsisht dy të tretat e rasteve në Spanjë javën e kaluar, erdhën nga vetëm dy rajone, Katalonja dhe Aragoni, ku banojnë një e pesta e spanjollëve. Rreth 20% e rasteve në Itali në të njëjtën periudhë, janë në rajonin Emilia-Romagna, ku banon vetëm 7% e popullsisë.

Nuk ka asnjë suprizë

Rritja e rasteve në të gjithë Europën nuk është aspak befasuese, thotë Hans Kluge nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ndërsa masat izoluese u ndërprenë dhe njerëzit rifilluan udhëtimet dhe grumbullimet në turma, rastet e importuara dhe përhapja lokale e virusit shkaktuan rritjen e infeksionit. Por tashmë, ndryshimi është se sistemet e testimit dhe gjurmimit, i dallojnë herët rastet lokale, dhe autoritetet po i luftojnë ato me masa të lokalizuara.

Më 27 korrik, Antwerp, provinca më e populluar e Belgjikës, njoftoi një karantinë gjatë natës për lëvizjet jo të domosdoshme dhe i bëri maskat të detyrueshme në hapësirat publike; njerëzit u këshilluan të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur.

Grumbuj të izoluar infeksionesh janë shfaqur në të gjithë Gjermaninë, nëpër azile, vendet e punës dhe festat private, duke i detyruar zyrtarët të vendosin masa bllokuese të lokalizuara. Në mes të korrikut, autoritetet katalane vendosën një bllokim të rreptë në Lleida, një qytet me 140,000 banorë. Klubet e natës në Barcelona dhe pikat e tjera të nxehta në Spanjë, kohët e fundit u mbyllën ose u urdhëruan të mbylleshin herët.

Ndryshimi i shkallës së përhapjes së Covid-19 në të gjithë Europën, i ka nxitur vendet të bëjnë disa zgjedhje të vështira. Në një vit normal, rreth 18 milionë britanikë kërkojnë të shijojnë motin me diell të Spanjës, së bashku me shumë europianë të tjerë nga vendet në veri. Por teksa rastet në Spanjë u rritën, Britania dhe Norvegjia imponuan me shpejtësi karantina për njerëzit që vinin nga Spanja.

Pushuesit nga disa shtete të Ballkanit që duan të vijnë në Greqi, tani duhet të tregojnë provën e një testi negativ ndaj Covid-19, për të hyrë në vend. Kjo ka shkaktuar një goditje në sezonin e dobët turistik në pjesën më të madhe të Europës Jugore. Por ka pasur një lehtësim kolektiv midis zyrtarëve të shëndetësisë që i shohin me tmerr klubet e natës dhe plazhet e mbushura me të huaj të dehur.

Covid-19 tek të rinjtë

Megjithatë, mbetet ende çështja e rritjes së transmetimit në nivel lokal. Në Europë, është rritur tendenca e rasteve të reja, kryesisht tek të rinjtë, në të njëzetat dhe tridhjetat; rastet e infektimit në grupe si pasojë e festave të mëdha janë vënë re vazhdimisht në të gjithë kontinentin.

Politikanët gjermanë kanë paralajmëruar se qytetarët po i shpërfillin gjithnjë e më tepër rreziqet; sondazhet konfirmojnë dyshimet se gjithnjë e më pak persona po i shmangin hapësirat e mbushura me njerëz. Doktor Kluge thotë se tani Europa duhet të shohë si përparësi problemin e mungesës së respektimit të rregullave nga të rinjtë. Nëse kjo dështon, thotë ai, së shpejti, infeksionet do të përhapen tek më të moshuarit dhe njerëzit më të rrezikuar.

Teksa sezoni veror do t’i afrohet fundit, nevoja për të përmbajtur shpërthimet e virusit do të rritet gjithnjë e më tepër në të gjithë Europën. Një shqetësim i madh në të gjitha vendet është vjeshta, kur njerëzit fillojnë të kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura dhe gripi dhe infeksionet e tjera të frymëmarrjes rriten si çdo vit, duke mbushur shtretërit e spitaleve.

Vendet që do të arrijnë këtë periudhë, duke mbartur edhe një numër të lartë rastesh Covid-19, mund të përjetojnë një rikthim në rritjen eksponenciale të virusit që do t’i mbingarkojë sërish spitalet. Në të gjithë Europën, shtetet janë të përgatitur më mirë për një valë të dytë se sa për të parën, me masa të reja për të frenuar përhapjen e Covid-19 në spitale dhe me mundësimin e shtretërve shtesë dhe spitaleve në terren. Fakti sesa shumë do të goditen nga virusi, do të varet nga niveli i respektimit të rregullave nga qytetarët, në këtë normalitet të ri.

A mund të përballohet një valë e dytë

Në të gjithë Europën, shtetet janë të përgatitur më mirë për një valë të dytë se sa për të parën, me masa të reja për të frenuar përhapjen e Covid-19 në spitale dhe me mundësimin e shtretërve shtesë dhe spitaleve në terren. Por fakti sesa shumë do të goditen nga virusi, do të varet nga niveli i respektimit të rregullave nga qytetarët, në këtë normalitet të ri. /Monitor/

SHKARKO APP