Covid-19 shuan mundësin Shkëlqim Troplini/Drejtoresha e Spitalit Durrës: Nuk mund të transportohej në Tiranë

Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit, sportisti dhe trajneri i mundjes Shkëlqim Troplini. Ditën e dielë ai u dërgua në gjendje të rënduar në urgjencën e Spitalit, ku pasi është vlerësuar rasti është intubuar dhe dërguar në reanimacion. Gjendja tejet e rënduar nuk mundësonte dërgimin në një nga spitalet Covid në Tiranë. Prej të paktën një jave Troplini po kurohej në kushte shtëpie për Covid-19 dhe është paraqitur në spital me shumë vonesë. Humbja e papritur e tij ka tronditur qytetin e Durrësit, përveç familjarëve dhe të afërmve të tij.

Mundësi Shkëlqim Troplini nuk është transportuar drejt Tiranës për shkak të gjendjes së tij shëndetësore shumë të rëndë. Kjo është deklarata që ka bërë drejtoresha e Spitalit të Durrësit, Nadire Jani.

“Shkëlqim Troplini ka mëngjesin e së dielës rreth orës 08:00 në spitalin rajonal të Durrësit me saturime (niveli i oksigjenit) 35, pra në kushte te papajtueshme për jetën. Me ndihmën e parë, me oksigjen saturimet shkuan 60, por ishin të paqëndrueshme, zbritën në 50, atëherë u vendos të kalohej nga urgjenca në reanimacion. Janë bërë të gjitha ekzaminimet përfshirë dhe skanerin, konsulta me reanimator pneumolog dhe u vendos të intubohej. Pacienti është mjekuar 4-5 në shtëpi nga mjeku i familjes dhe ka ardhur dje në gjendje të rënduar në spitalin e Durrësit. Gjatë kohës që ndiqej në shtëpi i është dhënë këshilla nga mjeku radiolog që të shtrohej në spital. Më herët ka bërë ekzaminim radiologjik, ndërsa tamponi i është marrë dje në spital, përgjigja nga laboratori nuk ka ardhur për tamponin, por nga konsultat e tjera mendojmë se ka ndërruar jete nga covid-19. Pasi të vijë edhe përgjigja, do të vazhdohet me procedurat e tjera të nxjerrjes nga morgu, ku edhe vendoset për tërheqjen e trupit, etj”,-tha ajo.

E pyetur nëse ka të tjerë të shtruar në spitalin e Durrësit, të dyshuar me Covid, drejtoresha Jani u përgjigj ”Po kemi të dyshuar në urgjencë por jo të shtruar? Ata që konfirmohen pozitiv dhe janë në gjendje të mirë dërgohen në shtëpi dhe ndiqen nga mjeku i familjes. Ata që janë në gjendje të rënduar transportohen në spitalet Covid në Tiranë”.

SHKARKO APP