COVID i merr jetën ish-deputetit të Partisë Socialiste, Marko Bello

Është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare ish-deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello.

Bello ishte infektuar me Covid dhe kurohej në një spital në Turqi.

Marko Bello lindi më 12 shtator të vitit 1961 dhe ka qenë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë deri në vitin 2013.

Bello po ashtu ka mbajtur postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar.

Në periudhën 1997-2000, Marko Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe më pas zv/ministër i Mbrojtjes.

Marko Bello ishte dhe një nga anëtarët themelues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

Presidenti Meta mesazh prekës për ndarjen nga jeta të Marko Bellos: Sa shumë dhimbje na le miku ynë!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të ish-deputetit socialist, Marko Bello. Në një mesazh prekës në Facebook, Presidenti Meta shkruan: “Sa shumë dhimbje nga kjo ikje e parakohshme e një miku, bashkëpunëtori, kolegu, intelektuali aktiv, qytetari model e familjari shembullor!

Zoti ju dhëntë forcë Silvanës, fëmijëve e të afërmve për këtë humbje kaq të madhe, që na tronditi të gjithëve këtë mëngjes! Ngushëllimet më të ndjera! Përherë i paharruar në kujtimet tona! LAMTUMIRË I SHTRENJTI YNË MARKO BELLO!”.

Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Marko Bellos: Do të kujtohet si një qytetar dhe politikan i principtë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PS-së dhe diplomatit Marko Bello. Në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjes, miqve dhe kolegëve, Basha e cilëson ish-deputetin e PS një qytetar dhe politikan i principtë dhe të moderuar, i prirë drejt bashkëpunimit për hir të interesave të vendit.

“Mësova me hidhërim për ndarjen nga jeta të ish-ministrit dhe ish-deputetit Marko Bello. I shpreh ngushëllimet e mia familjes Bello për humbjen e babait dhe bashkëshortit të përkushtuar, dhe të gjithë miqve dhe kolegëve që humbën të afërmin dhe mikun e tyre të dashur. Marko Bello do të kujtohet si një qytetar dhe politikan i principtë dhe i moderuar, i prirur drejt bashkëpunimit për hir të interesave të vendit. U prehtë në paqe!”.

Kastriot Islami: Dhimbje dhe trishtim për mikun e shtrenjtë!

Nga Kastriot Islami

Jam shume i tronditur e i trishtuar…..e kam shume te veshtire te gjej fjalet e duhura per te shprehur dhimbjen dhe trishtimin e madh… per mikun e shtrenjte… E kam ndjekur gjendjen e tij shendetsore qe nga fillim kur pati shenjat e para sepse pinim cdo dite kafen se bashku… Cdo dite vazhdimisht, deri mbreme kur me lajmeruan per gjendjen shume te rende por qe nuk doja ta besoja… Dhe deri sot kur ne mengjes heret me erdhi sms-ja: Marko nuk ja doli dot…

Nuk doja ta besoja sepse kisha pasur gjithnje nje shprese, me shume nje deshire te fshehte se do tja hidhte…se do ta fitonte kete beteje… kisha nje besim te verber se Marko i fuqishem dhe plot shendet do te mund ta kapercente kete veshtiresi…por mesa duket kjo paska qene e pamundur… Uroj force e kurajo per familjen, gruan e tij Silva, femijte Marsidin dhe Nensin, por edhe per nenen e tij te moshuar qe aq shume donte dhe aq shume kujdesej duke vajtur shpesh ne Berat apo duke e marre me vete ne Tirane…

Ne ishim miq te ngushte me Markon dhe se bashku me dy te tjere pinim se bashku kafen cdo dite… I mora te tjeret por edhe ata s’e besonin lajmin e hidhur… Mungesa e tij do te jete e madhe…sepse Marko ishte qytetar i vertete, i kultivuar dhe me shume dije… Qytetar me integritet te larte por shume paqsor,

I vendosur ne opinionet e tij por edhe shume tolerant e konstruktiv… Tipike per Markon do te thoja se ai ishte shume i arsyeshem, i bute, e mendjehapur dhe kerkonte gjithnje ti largohej se keqes…kishte deshiren e madhe te paqtimit te shpejte…

Marko nga formimi ishte Jurist dhe kishte mbrojtur graden Doktor i shkencave ne marredheniet nderkombetare.  Marko ishte Diplomat me pervoje e kompetence… Por edhe Gazetar i talentuar ne median vendase dhe te huaj.

Deputet ne tre legjislatura dhe politikan i moderuar… Minister i Integrimit, i angazhuar per integrimin e Shqiperise ne BE. Se fundmi edhe Anetar themelues i Keshillit te Ambasadoreve te Shqiperise, Zv-minister i mbrojtjes…, Drejtues politik i qarkut te Beratit. Lektor ne universitete ne Shqiperi e Struge te Maqedonise per organizmin e funksionimin e BE…

Qytetar i denje dhe familjar shembullor… Ju kerkoj ndjese per pamundesine per te thene me shume…Marko meriton shume me teper dhe une kam shume per te thene per Markon e dashur…por sot jam shume i tronditur e i trishtuar dhe ju kerkoj ndjese…qe smundem… Lajmi eshte ende i pabesueshem per mua, miqte tane dhe familjen time…

Petro Koçi: Dhimbje e madhe, ishte vetvetja në politikë

“Një dhimbje e madhe”. Kështu është shprehur zv/ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, për lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të ish-deputetit socialist, Marko Bello. ”E para është një humbje shumë dekurajuese. Covid-19 si një pandemi që po korr jetë njerëzisht kuptohet që e krijon këtë situatën e dëshpërimit. Kur njerëzit i njeh më nga afër kuptohet që efekti dëshpërues është më i madh. Kështu ka nisur edhe dita sot për ne, me një dhimbje të madhe për lajmin që morëm për humbjen e jetës së Markos. Markon e kam njohur që në shkollën e mesme dhe shkollën e lartë të Gjuhëve të Huaja. Fati e deshi që më vonë të njiheshim për shkak të politikës. Marko u integrua shumë herë në strukturat e PS-së, ka qenë ambasador, ministër, zv/ministrës. Dua ta kujtoj gjithmonë atë me imazhin e një buzëqeshje pafund. Pavarësisht nga situata dinte të jepte mesazhet e optimizmit”, u shpreh Koçi.

Mediu për Marko Bellon: Ishte politikan pa komplekse, ministër dhe deputet mendjehapur

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta e ish-deputetit socialist Marko Bello, si pasojë e Covid-19. Mikun e tij, Mediu u ka cilësuar si një politikan pa kompleske, si dhe ministër dhe deputet mendjehapur. ”Marko ishte politikan pa komplekse, Ministër dhe deputet mendjehapur dhe i ndershëm. Mbi të gjitha mik nga më të mirët që mund te kesh në jetë”,-shkruan Mediu në facebook. “Me hidhërim të madh mora lajmin se Miku ynë Marko Bello ndërroi jetë, në luftë me Covid-in. Marko ishte njeri plot jetë që mbushte me gëzim e të qeshura çdo ambient ku ishte prezent. Marko ishte politikan pa komplekse, Ministër dhe deputet mendjehapur dhe i ndershëm. Mbi të gjitha mik nga më të mirët që mund te kesh në jetë. Ky është një moment i vështirë për Ne miqtë e tij, por veçanërisht për Silvën, femijët dhe familjen e tij. Lutemi që Zoti të jetë pranë tyre në këtë moment të vështirë.U prehsh në paqe miku im. Do të kujtojmë gjithmonë buzëqeshjen dhe humorin tënd”.

SHKARKO APP