Cunam politik dhe diplomatik për Kosovën
Nga Dr. Jorgji Kote-
Njoftimi i lartpërmendur ishte një “Cunam” me efekte të mëdha politike, diplomatike dhe juridike për Kosovën; ato do të ndihen gjatë në stabilitetin e saj politik, në procesin e integrimit Euro-Atlantik, dialogun me Serbinë dhe më gjerë. Ja pse:
Së pari, kërkohet gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje dhe “të ndajmë shapin nga sheqeri”; sepse askush nuk po mohon, penalizon dhe cënon luftën e lavdishme të UÇK-së. Me besim në pafajësinë e të akuzuarve, drejtësia duhet të bëhet mbi këdo, mbi të cilin ngrihen akuza të tilla; ky është thelbi i sundimit të ligjit.
Së dyti, kujdes, kemi të bëjmë me një Gjykatë Euro-Atlantike, të sponsorizuar nga SHBA/BE-ja; ndaj të mos e përlyejmë dhe të mos përziejmë të tjerët me teori konspirative, komplote, etj. Nuk bëhet fjalë as për “ abort” e minim të paqes dhe dialogut me Serbinë, përkundrazi.
Së treti, në asnjë rast Prishtina nuk duhet të futet “si pykë” midis SHBA-ve dhe BE-së; as të bëjë diversion dhe diferencime koniunkturore. Kosova ka nevojë për aleancën e PERENDIMIT, veç bashkë, jo të ndarë dhe pa kontabilizim interesash në dëm të vlerave të përbashkëta. Ja pse, kërkohet në praktikë një politikë me frymë gjithëpërfshirëse Euro-Atlantike dhe jo “nga fryn era”, tani me këtë, pastaj me atë”; as duke e vendosur axhendën ndërkombëtare në funksion të interesave partiake të çastit.
Skepticizmi ndaj BE-së dhe besimi në SHBA-në – Epoka e Re
Së katërti, ky “Cunam” dëmton seriozisht imazhin dhe përceptimin publik për Kosovën, që dhe kështu ishte i cënuar nga zhvillimet e brendshme negative, dështimet diplomatike, etj. Ca më tepër, procesi gjyqësor, nëse fillon, do të jetë tejet i gjatë dhe s’ka të krahasuar me atë të Haradinajt dhe Limajt.
Së pesti, për pasojë, do të jetë tejet e vështirë, madje e pamundur të ketë Njohje të reja; kësisoj, problemi është si të parandalohen ÇNJOHJET e Kosovës; sa për antarësimin në organizata ndërkombëtare tani nuk mund të bëhet fjalë.
Së gjashti, padyshim që këto zhvillime të shpien “ ujë në mullirin” e diplomacisë serbe, ruse, etj, duke shtuar mundësinë e kthimit të Kosovës në “ konflikt të ngrirë” Me argumentin se “ja, shihni, jo ne, por Gjykata që kanë krijuar SHBA/BE ngren akuza të tilla, pas kaq shumë vitesh që ato kanë dështuar në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.”!!!
Së shtati, POR, krahas tronditjeve ky “Cunam” krijon dhe mundësi po aq të mëdha për politikën në Kosovë. Veçse pa ngut dhe nxitim. Tani për tani, as zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje reale dhe të qëndrueshme; është më e udhës që paraprakisht të gjitha forcat politike të ulen dhe të krijojnë atë unitet dhe kohezion politik dhe social që ka munguar shumë; vetëm kështu klasa politike atje do të jetë në gjendje të përballojë me dëme sa më të vogla anësore valët “ Post – Cunam”. Pa forcimin e qeverisjes së brendshme, nuk ka shans për politikë të jashtme produktive; ca më tepër kur të keqen më të madhe këto 12 vitet e fundit Kosova e ka patur nga brenda.
Dihet tazhmë se pas shpalljes së Pavarësisë, shqetësimi dhe stërmundimi më i madh në Prishtinë kanë qenë zgjedhjet, koalicionet, grindjet mes vedi, etj të cilat kanë ulur ndjeshëm besueshmërinë dhe efektivitetin e politikës/diplomacisë së Kosovës. Shihni sa kryeministra kanë ndryshuar gjatë 10 viteve të fundit në Kosovë, duke shënuar kulmin me rrëzimin e qeverisë Kurti në Mars, pa e lenë të bënte as 100 ditët e para!
Së teti, nxitimi është këshilltari më i keq sidomos tani kur Serbia dhe Vuçiç pas zgjedhjeve më të fundit i kanë shumë më të forta pozitat politike dhe diplomatike në të gjitha planet dhe në dialogun e ardhshëm; ndryshe nga Kosova që debaton me SHBA apo BE, diplomacia serbe po ushqehet mirë me “tagji” si atje dhe “në grazhdin” rus, kinez, etj. Ndaj përpara se Kosova të nxitojë për në Washington apo Bruksel, ajo të punojë për një platformë të përbashkët, për të zëvendësuar protagonizmin e dëmshëm personal politik me solidaritetin dhe veprimin solidar dhe kolektiv!
Së nënti, vizita dhe prononcimet e Kryeministrit Rama në Prishtinë ishin të nevojshme dhe në kohën e duhur; për më tepër se vitet e fundit, Tirana zyrtare në vend të ishte faktor bashkimi e kohezioni u bë burim ndarjesh dhe fërkimesh; deri te padia ndaj ish-Kryeministrit Haradinajt, që Rama bëri mirë që e tërhoqi, edhe pse “ pas pilafit” Vetëm se sidomos në Konferencën përmbyllëse të Shtypit, Rama më tepër shprehu emocione, duf dhe mllef se sa logjikë, politikë dhe diplomaci institucionale. Të pavend ishin dhe deklarimet e tij “ majë më majë” ndaj Gjykatës Speciale dhe BE-së; sepse siç thotë populli “ uthulla e fortë prish enën e vet” Pastaj, të “ mos bëhet bishti më i rëndë se sqepari” duke krijuar kontrast me qëndrimet e deritanishme të SHBA-ve dhe BE-së; dhe më të dëmshme ishin përdorimi i termave dhe referencave nga e kaluara jonë diktatoriale për të shigjetuar drejtësinë ndërkombëtare; kur për më tepër dihet se si e kemi drejtësinë tonë; e papranueshme dhe etiketimi i kundërshtarëve të Mini – Schengen gati si armiq dhe tradhtarë; në fakt, prononcimet mbi Mini- Schengen ishin të panevojshme, ato të kujtojnë thënien e urtë “ Në vendin e të varurit mos e përmend litarin”
Së dhjeti, tejet e rëndësishme që qëndrimet e politikës në Prishtinë dhe në Tiranë të mbajnë mire parasysh ndryshimet e shumta gjeopolitike në 20 vitet e fundit, me balanca dhe interesa të reja dinamike, sidomos forcimit të rolit të Rusisë, Kinës, Turqisë, krahas dobësimit të Aleancës, që shkojnë në disfavor të Kosovës. Ndaj, nuk mund të flitet dhe veprohet si 20 vjet më parë!/argumentum.al