Daçiç: Tani marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, më të acaruara
“Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd nuk e arriti objektivin e saj.
Serbia dhe Shqipëria janë në një marëdhënie më të përkeqësuar se më parë”, ka thënë ai gjatë një interviste për televizionin vendas RTS.
“Vizita ishte e organizuar nga të gjitha palët dhe ishte një përgjigje ndaj bashkësisë ndërkombëtare, pasi kjo u vendos në konferencën e Berlinit nën kujdesin e kancelares Angela Merkel.
Por pavarësisht kësaj, kjo vizitë nuk e arriti qëllimin që kishte në vetvete, normalizimin e marëdhënieve mes vendeve pas kaq dekadash” tha ai.
Sipas Daçiç, kjo situatë ndodhi sepse kryeministri Rama ishte i fokusuar në politikat e tij të brendshme, duke kapërcyer interesat e gjera.
Por ai e pranon se vizita pati edhe anët e saj pozitive.
“Unë shpresoj se hapat e ardhshëm do të jenë shumë më konstruktive, edhe pse mendoj se vizita kishte një anë të mirë pasi nënshkruam një sërë marrëveshjesh. Edhe kryeministri Aleksandër Vuçiç shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë, pra dyert nuk janë mbyllur.”
Për Daçiç, Rama gaboi që i kërkoi Serbisë njohjen e Kosovës, pasi sipas tij kjo çështje përbën një provokim të madh në Serbi.
Por, gjithashtu edhe statusi i pakicave në jug të Serbisë, sipas Daçiç nuk është çështje që i takon Ramës, “pasi ai nuk është Kryeministër i Kosovës”.
Daçiç ka komentuar edhe takimin me ambasadorët e akredetituar në Beograd menjëherë pas vizitës së Ramës, për të cilët tha se e kanë vlerësuar vizitën.
Në fund ai thotë se Shqipëria dhe Serbia duhet të vijojnë kontaktet dhe komunikimin, pavarësisht imazhit të keq që u përcoll në rajon me fjalimin e Ramës.
Daçiç u shpreh se shumë shpejt do të takohet me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, në Bruksel./
KOHA JONË SONDAZH

