Damian Gjiknuri takim me operatorët turistikë në Sarandë: Së bashku do ta zhvillojmë më tej qytetin

Kandidati i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka vijuar turin elektoral duke zhvilluar një takim me operatorët turistikë në Sarandë.
Në fjalën e tij, Gjiknuri theksoi se “Saranda ka një potencial të jashtëzakonshëm. Fakti që është afër Korfuzit, afër vatrës së zhvillimit, e shton potencialin edhe më tej. Këtu duhet të fokusohemi, në mënyrë që të zgjatet sezoni turistik dhe të adresohen problemet infrastrukturore. Ju do të keni sfida të mëdha nga pikëpamja e zhvillimit. Këtu duhet të zhvillojmë një sinergji bashkëpunimi, se çfarë duhet të bëjmë të gjithë bashkë për qytetin. Unë kërkoj mbështetje pasi jam një zë i fortë politik, por programin dhe politikën dua ta kem konkrete dhe ato çfarë thuhen dhe merren përsipër, të bëhen. Përmes mbështetjes suaj, unë ju garantoj se do të hapen ato dyer për adresimin e problematikave që keni ju.
Kam qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të zhvillimit të Sarandës. Shtimi i fluksit të vizitorëve kërkon rritje kapacitetesh dhe standarde të larta. Që të vijojë më tej zhvillimi i qëndrueshëm i Sarandës, dua të më keni dhe t’ju kem në krah. Dua t’ju përfaqësoj nesër. Po vijojnë investimet infrastrukturore të qeverisë dhe të bashkisë, do fillojë bajpasi i Unazës, do të bëhet rruga në Ksamil.
Unë ju ofroj mbështetje për të ndërtuar një urë lidhëse midis kërkesave dhe nevojave tuaja me përkushtimin tim për t’i adresuar ato drejt zgjidhjes përmes politikave qeveritare.
Unë po mora shumicën e votave të qytetarëve të Sarandës, do ta kem përfaqësimin tuaj prioritetin tim. Forca ime do të tregohet, por forcën ma jepni ju me mbështetjen tuaj”.