Dashamir Shehi:Na duhen prokurorë dhe gjykatës të huaj
Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, paralajmëroi se mazhoranca në nëntor do të ndërmarrë një reformë për ndryshime të thellë kushtetuese.
“Do të jetë një reformë e thellë. Dhe kur them një reformë e thellë, duhet të jetë një reformë me ndryshime kushtetuese” tha Fatmir Xhafaj.
Kjo gjë, sipas tij, do të bëhet pavarësisht pjesmarrjes apo jo të opozitës.
Kjo, pasi sipas tij, fakti që mazhoranca me opozitën mund të bashkëpunojnë, nuk do të thotë se mund të bëjnë një reformë më të mirë.
“Kemi eksperiencën e vitit 2008 ku u bashkuan jo pak, po të dyja forcat politike në vend, që prodhuan padyshim deformimin më të madh që i është bërë Kushtetutës në këto vite”u shpreh Xhafaj.
Ndërkohë, deputeti opozitar, Dashamir Shehi, i pranishëm në këtë debat, ka thënë se ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të marrë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
“Ka ardhur dita që ca prokurorë të huaj dhe gjykatës të huaj ta veshin këtë tokën e Shqipërisë tonë.
Përderisa nuk jemi të zotët të krijojmë një model moral të nëpunësit civil, e mira është të marrim ca nga jashtë”, tha Shehi gjatë fjalës së tij