Debate tek Këshilli Politik/Bardhi-Ramës: Të kuptuam çfarë do, 5 qershori nuk preket

Në mbledhjen e kësaj të hëne të Këshillit Politik, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi mësohet të ketë thënë se marrëveshja e 5 qershorit nuk preket. Nga ana tjetër, ai ka thënë se hapja e listave nuk mund të diskutohet tani. Gjiknuri nga PS-ja, bëri një rezume të propozimeve sa i takon hapjes së listave dhe koalicioneve parazgjedhore dhe pragut që do të vendoset në kodin elektoral. Gjiknuri është shprehur se nuk janë për heqjen e koalicioneve parazgjedhore, pasi ato mund të futen në një listë por kjo nuk pranohet nga opozita.

Pjesë nga fjala e Gazment Bardhit

Kuptuam nga diskutimi i Kryetarit të Partisë Socialiste që qëllimi është të rihapim edhe njëherë diskutimin për përmbajtjen e marrëveshjes së 5 qershorit dhe të bëjnë ndryshime të saj.  Drafti i marrëveshjes së 5 qershorit është produkt i një pune të përbashkët 6 mujore, është miratuar dhe nënshkruar me konsensusin e të gjitha palëve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Ne i qëndrojmë firmës sonë dhe deklarojmë që nuk mund të rishihet apo rishkruhet asnjë fjalë ndryshe nga ajo që palët kanë dakordësuar dhe nënshkruar bashkërisht. Çështjet që ju shtruat bien në kundërshtim dhe ndryshojnë marrëveshjen e 5 qershorit dhe prishin dakordësinë që ne kemi arritur aty. (nenet 19 dhe 36 të draftit të nënshtruar në zbatim të marrëveshjes së 5 qershorit).

Në mbledhjet e Këshillit Politik, por edhe gjatë diskutimeve në Rezidencën e Ambasadores së SHBA-së, përfaqësuesi zyrtar i Partisë Socialiste nuk ka dhënë konsensusin për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe ka dakordësuar se kjo çështje nuk mund të diskutohet tani, por në një fazë më të vonshme. Ky fakt konfirmohet edhe nga përmbajtja e marrëveshjes së 5 qershorit, ku specifikohet në shënimin nr. 2 që “nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit”. Sipas pikës 12 të marrëveshjes së firmosur më 5 Qershor “12. Hyrja në fuqi”: “ky shënim është i zbatueshëm për zgjedhjet e rradhës”.

SHKARKO APP