Debati për çështjen e detit, Presidenti Meta i përgjigjet Dendiasit: Autorizimin nuk e kërkoi Rama
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, ku thotë se nuk ka penguar që çështja e detit të shkonte në Hagë, pasi edhe grupin negociator ai thotë se e ka autorizuar. Po ashtu në konferencën për shtyp, Meta tha se kryeministri Rama nuk është konsultuar me të për negociatat mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për çështjen e detit.
“Nga pala greke apo Ministria e Jashtme nuk është kërkuar realizmi i asnjë takimi me Dendias me presidentin. Denidas në një intervistë të dhënë për shtypim grek është shprehur se u ra dakord që t’a referojmë çështjen tonë Gjykatës Ndërkombëtare, kjo nuk ka ndodhur ende, pasi presidenti si ka dhënë autorizimin. Nga kryeministri nuk pati reagim, asnjë kërkese për autorizimin nuk u paraqit. Presidenti duke qëndruar konstatimeve të mëparshme, i kërkoi kryeministrit ndërhyrjen e tij. Asnjë kërkesë mbi ecurinë e këtij grupi negociator, apo masat e marra nga qeveria. Sa i përket popullit shqiptar i cili për këtë çështje e ushtron përmes Kuvendit, që qeveria e ka shmangur në këtë proces. Kuvendi duhet të informohet dhe vendosë mbi mënyrën e veprimit që duhet të ndjekë Shqipëria për zgjidhjen e kësaj çështjeje”,-tha Meta në konferencën për shtyp.
Deklaratë e plotë e Presidentit për çështjen e kufizimit të zonave detare, midis Shqipërisë dhe Greqisë
Në datë 23 maj 2022 Ministri grek i Punëve të Jashtme, zoti Nikos Dendias ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke u takuar me Ministren e Punëve të Jashtme dhe me Kryeministrin. Sqaroj se nga pala greke apo nga Ministria jonë e Jashtme nuk është kërkuar realizimi i asnjë takimi të Ministrit Dendias me Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Pas përmbylljes së vizitës në Tiranë, Ministri Dendias në një intervistë të dhënë për shtypin grek ndër të tjera është shprehur gjithashtu se: “…… u ra dakord me ne që t’ia referojmë çështjen tonë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës Kryeministrit. Me sa duket, Shqipëria do të zgjedhë një President të ri brenda dy-tre muajve të ardhshëm. Pra, e gjithë kjo do të jetë e realizueshme atëherë.”
Kjo deklaratë e Ministrit Dendias është publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Greqisë dhe është bërë publike edhe këtu. Sqaroj se Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, z.Ditmir Bushati përmes kërkesës nr. 2428 prot., datë 13.02.2018, paraqiti pranë Presidentit të Republikës kërkesën për pajisjen e grupit negociator me autorizim për plotëfuqi për nisjen e procesit të negociatave me Republikën e Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare. Presidenti i Republikës, konstatoi një mori problematikash dhe të metash që duheshin ndrequr në paraqitjen e kësaj kërkese.
Pas paraqitjes së informacionit shtesë nga Ministri i Jashtëm, Presidenti i Republikës, përmes Aktit nr.733, datë 19.03.2018, Autorizoi Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë që, sipas kritereve të këtij Autorizimi, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve.
Dëshiroj të theksoj se, grupi negociator i Republikës së Shqipërisë, është pajisur me autorizim për plotëfuqi, për të negociuar vetëm për arritjen e një “Projektmarrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve.
Përpos detyrave të tjera, sipas autorizimit të Presidentit të Republikës, vetëm Grupi Negociator është autoriteti publik i mandatuar për të negociuar me palën greke dhe vetëm përsa është përcaktuar në tragrat e dhëna në këtë Autorizim. Midis dy grupeve negociatore përgjatë periudhës prill-qershor 2018, janë zhvilluar tre raunde të negociatave ( 30 prill, 14-15 maj, dhe 22 qershor 2018). Presidenti i Republikës pasi është informuar mbi mënyrën e zhvillimit të këtyre negociatave, ka konstatuar dhe është vënë në dijeni mbi disa problematika dhe shqetësime serioze.
Për të diskutuar mbi ecurinë e procesit negociator midis Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit të Shqipërisë, në datën 13 qershor 2018, është realizuar një takim. Në këtë takim u dakordësua që Kryeministri t’i udhëhiqte personalisht negociatat me shtetin grek. Për këtë do të paraqiste një kërkesë të re përpara Presidentit për t`u pajisur me Autorizimin e nevojshëm për t`i drejtuar ai personalisht (Kryeministri) negociatat.
Presidenti i Republikës, duke konstatuar se Kryeministri nuk po i përmbahej zotimeve të ndërmarra, dhe nuk por ndërmerrte asnjë hap në këtë drejtim, me shkresë nr.327/9 prot., datë 21.09.2018, përpos të tjerave, rikërkoi ndërhyrjen e Kryeministrit të vendit pa vonesë, në mënyrë që vijimi i negociatave të udhëhiqej nga niveli më i lartë politik vendimmarrës, pra nga vet Kryeministri, duke marrë drejtimin e këtij procesi, në ushtrim të drejtpërdrejtë të vullnetit politik, në të drejtën që ia njeh Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
Sërish nga Kryeministri nuk pati reagim në këtë drejtim. Asnjë kërkesë për autorizim nuk u paraqit. Në mungesë të reagimit dhe vullnetit institucional të Kryeministrit për këtë çështje, pra pajisjen me Autorizim për të negociuar, Presidenti i Republikës, duke i qëndruar konstatimeve të mëparshme sërish me shkresë nr.327/11, datë 20.11.2018, i rikërkoi Kryeministrit ndërhyrjen e tij, në mënyrë që vijimi i negociatave të udhëhiqej nga niveli më i lartë politik vendimmarrës, pra nga vetë Kryeministri, duke marrë drejtimin e këtij procesi. Edhe për këtë kërkesë të Presidentit nuk pati asnjë reagim dhe Kryeministri nuk parashtroi asnjë kërkesë për Autorizim.
Nga Kryeministri i cili për periudhën shkurt 2019 – janar 2021 mbajti njëkohësisht dhe detyrën e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme nuk është përcjellë asnjë kërkesë për pajisje me autorizim dhe asnjë informacion shterues mbi ecurinë e këtij procesi negociator, apo mbi masat dhe analiza që ai (Kryeministri) ka ndërmarrë mbi kërkesat zyrtare të Presidentit. Ndërkohë që Kryeministri përgjatë gjithë kësaj periudhë që mbante dhe detyrën e Ministrit të Jashtëm, përmes statuseve publike, ka komentuar apo ka dhënë opinione pohuese të tij lidhur me zhvillime ligjore në shtetin grek, për çështje të zgjerimit të ujrave të tyre territoriale.
Këto qëndrime të Kryeministrit, janë vlerësuar dhe cituar edhe nga autoritetet më të larta greke. Edhe pse kjo çështje paraqet një interes jashtëzakonisht të lartë, Kryeministri/Qeveria jo vetëm me opinionin publik, por dhe me Presidentin e Republikës, nuk ka qënë transparent, dhe asnjë kërkese të Presidentit për informacion nuk i është sjellë një përgjigje shteruese dhe serioze nga ana Kryeministrit dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Ndërkohë që, për Republikën e Shqipërisë, është në fuqi Autorizimi i Presidentit të Republikës Nr.933, datë 19.03.2018 dhe nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për ndryshimin, plotësimin, shtimin apo kryesimin e tij, edhe pse 3 anëtarë të Grupit Negociator të Shqipërisë janë larguar nga funksionet bazë për shkak të ushtrimit të të cilëve ata u mandatuan për të qenë pjesë e grupit negociator. Presidenti i Republikës nuk është në dijeni nëse midis dy Qeverive apo Kryeministrave është miratuar apo është rënë dakord me ndonjë akt për të ndërprerë, pezulluar apo për të dalë nga negociatat.
Megjithëse Shqipëria zyrtarisht është në proces të hapur negociatash me Republikën e Greqisë, Presidenti nuk është informuar zyrtarisht nga Qeveria se me çfarë akti, Qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas të drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje. Në kushte tilla, ligjërisht rezulton se, Kryeministri, apo çdo zyrtar tjetër i Qeverisë nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë Autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të qartë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/ 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare, ndërkohë që palët ende zyrtarisht janë në negociata.
Zyrtarët e Republikës së Shqipërisë, duhet të veprojnë me maturi e përgjegjshmëri, pasi çdo dakordësi apo mirëkuptim politik, apo diplomatik i dhënë nga qeveria/kryeministri, qoftë dhe parimisht, në takime të zhvilluara jashtë kontekstit ligjor negociator të kësaj çështje, apo çdo lloj qasje publike përmes deklaratave/statuseve, janë rekorde të forta, që krijojnë pasoja dhe që mbeten tërësisht nën përgjegjësinë individuale të personave që i kanë shprehur ato, por që nga ana tjetër rrezikojnë të përdoren në të adhmen në dëm të pozitës negociatore të Shqipërisë, në dëm të interesave interesave të saj të ligjshme, në procesin negociator apo në procese të tjera që mund të ndiqen për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së delimitimit të zonave detare mes dy vendeve tona.
Sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë, i përket popullit shqiptar, i cili për këto çështje e ushtron atë përmes përfaqësuesve të tij në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të cilin Qeveria qartësisht e ka shmangur në këtë proces gjithashtu, sipas dijenisë tonë. Presidenti i Republikës, vlerëson se Kuvendi i Shqipërisë, duhet të informohet, të analizojë dhe vendosë mbi mënyrën e veprimit që do të duhet të ndjekë Shqipërisë për zgjidhjen e kësaj çështje. Vetëm kështu çdo lloj zgjidhje e saj, do të gëzojë mbështetje të plotë të të gjithëve por dhe besimin e opinionit publik dhe popullit shqiptar.
Kushtetuta, aktet ndërkombëtare të nënshkruara ndër shekuj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese 15/2010, janë akte në fuqi, të pacenuara dhe që përcaktojnë qartë si territorin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, mënyrën e veprimit në çështje të kësaj natyre dhe çdo autoritet shtetëror ekzekutiv, legjislativ, apo gjyqësor, duhet të veprojë në përputhje me parimet, vlerat dhe detyrimet që përcaktohen në to.
Çështja e kufizimit të zonave detare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, është një çështje e hapur mes dy vendeve, e cila në vlerësim të Presidentit të Republikës, duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2010 dhe të drejtën ndërkombëtare, në mbrojtje të interesave shtetërore e kombëtare të Shqipërisë, në interes të plotë të ruajtjes dhe të ushtrimit të sovraniteit territorial dhe juridiksionit kombëtar, dhe për të garantuar sa më mirë sigurinë, dobinë ekonomike e sociale të vendit.
Duke shprehur mirëkuptimin për ndjeshmërinë e lartë të popullit shqiptar, për çështje të kësaj natyre, Presidenti i Republikës, rithekson edhe një herë se, jo vetëm deri në 24 korrik 2022, datë kur përfundon mandati Presidencial, por edhe pas kësaj date dhe në vijimësi do të jetë i hapur të bashkëpunojë në mënyrë transparente dhe konstruktive, në respekt të Kushtetutës dhe vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese, me Kuvendin e Shqipërisë dhe çdo institucion tjetër të përfshirë në këtë proces.