Debati për reshjet “përmbyt” Kuvendin, Tahiri: PD nuk la as fasule për emergjenca
Seanca e ditëve të sotme ka devijuar nga rendi i ditës për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet. Deputetët e PD kanë akuzuar mazhorancën se nuk ka marrë masat e nevojshme për përballimin e situatës. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha se PS-ja nuk di të ndërtojë shtet dhe se e ka kuptuar funksionimin e shtetit vetëm me burgje dhe shkatërrime ndërtimesh.
Ndërsa Ministri i Brenshëm Saimir Tahiri u përgjigj se në kohën deputeti Ristani është “përmbytur nga substanca të ndaluar”. Ai tha se situata ka ardhur dhe si pasojë e keqmenaxhimit të PD-së gjatë qeverisjes. Sipas tij në materialet e emergjencës PD-ja nuk kishte lënë as fasule.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka kërkoi që për shkak të situatës së krijuar në jug të vendit nga përmbytjet parlamenti ti kushtojë rëndësinë e duhur kësaj çështjeje. Ai akuzoi kryeministrin Rama se nuk shpall gjendjen e emergjencës që të mos shpërblejë banorët. “Duke e konsideruar situatën si emergjente, ne do kërkojmë që sot seanca parlamentare ti japë kësaj situate rëndësinë e duhur. Nuk ka praktikisht në gjithë këto ditë asnjëinformacion zyrtar mbi situatën e përmbytjeve në jug të vendit. Çdo informacion e kemi marrë nga mediat. Ky na flet sot për cirk mediatik, po e vërteta është se nuk guxon të përballet me realitetin e atyre njerëzve që e kanë bërë deputet, që i kanë dhënë votën. Ndaj e përsëris të përballet me qytetarët e tij, të vijë këtu në parlament të informojë çfarë masash mori zotëria. Çfarë masash mori pasi ndodhi gjendja, përveç asaj që lajmëroi ca fshatarë. Qeveria çfarë bëri, sa hektarë tokë janë të përmbytura, sa banorë janë evakuuar dhe në fund tu thotë qytetarëve pse nuk e shpall gjendjen e emergjencës, sepse nuk do të paguajë dëmet. Sepse me ligj është kur shpall gjendjen e emergjencës dëmshpërblen të përmbyturit, kështu ai nuk do u japë as 50%, ai nuk do ti japë asnjë kacidhe”, – tha Paloka.
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi theksoi në Kuvend se si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara në jug të vendit, pozitive është se nuk kemi asnjë jetë të humbur. Duke informuar Kuvendin se çfarë ka ndodhur përreth një jave me situatën emergjente të përmbytjeve të shkaktuara kryesisht në jugun e vendit, zv/kryeministri Peleshi theksoi se“kryeministri Rama ndodhet jo për herë të parë në terren pranë zonave të përmbytura dhe nuk është vetëm për të bërë atë që bën kreu i opozitës, shoë me çizme në ujë, por janë të gjitha strukturat e anagazhuara të qeverisë shqiptare, që prej ditës së parë, por edhe para se përmbytja të ndodhte, në gjendje gatishmërie e pune pranë të gjithë qytetarëve”.
“Përmbytja nuk mund të shmangej totalisht, pasi i kalonte mundësitë e strukturave të shtetit, por një lajm të mirë e kemi sot, që është rezultat i ndërhyrjes energjike të gjithë strukturave të emergjencës, se nuk kemi asnjë jetë njeriu të humbur. Sot sigurisht prioritet i prioriteteve të qeverisë shqiptare është shpëtimi i jetës së njërëzve, i pasurisë së banorëve të përmbytur.
Ekipet janë në gatishmëri dhe në terren. Në emër të qeverisë gjithë struktura është sot e gatshme në terren nuk do lë pa ndihmuar asnjë qytetar të vetëm. Spekulimi me gjendjen e jashtëzakonshme nuk ka kuptim. Qytetarëve nuk i intereson statusi në letër i intereson se çfarë bën qeveria në terren, nuk kemi lënë pa bërë asgjë ka vetëm një çështje teknike, është bërë për arsye për të mos paralizuar veprimtarinë në të gjithë qarkun për shkak të një zone të përmbytur. Pa e vendosur të gjithë rajonin në gjendje emergjence do të ishte i preferuar dhe jo i kundërshtuar siç e shisni ju. Vlerësimi i drejtë dhe real dhe kompensimi i çdo dëmi sapo të kemi larguar emergjencën e përmbytjes që sot është prioritet i qeverisë”, u shpreh Peleshi.