Deda: Koncesioni i laboratorëve, maxhoranca një trup korruptiv, projekti një dështim

Deputetja  e Partisë Demokratike dhe anëtare e Komisionit të Shëndetësisë, Deda: BE nuk jep asnjë rekomandim pasi rrezikohet shëndeti i qytetarëve

Intervistoi: Redjon Shtylla

Koncesioni i laboratorëve, ka vënë përballë opozitën me maxhorancën. Në seancën e fundit plenare, propozimi i LSI-së kundër dhënies me koncesion të laboratorëve të spitaleve shtetëror nuk u mbështet nga PD-ja. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e PD-së, Albina Deda, ka rrëfyer se nuk ka pasur komunikim në grup për të votuar këtë propozim. Sipas saj, PD-ja ka qenë e para kundër këtij koncesioni e më pas iu bashkua LSI-ja. “Maxhoranca është një trup korruptiv dhe do jenë gjykatat ato që do përcaktojnë responsabilitetin e secilit”, thekson deputetja. Deda pohon se demokracia e Shqipëria nuk shërohet duke u mbështetur te LSI-ja. Për të ky është një sistem i paqartë, i dështuar në shumë vende, ku BE-ja nuk jep asnjë rekomandim pasi rrezikohen paratë dhe shëndeti i qytetarëve.

 Znj.Deda, PD dhe LSI ka dalë kundër koncesionit të laboratorëve, por si qëndron e vërteta e kundërshtive? Sa ndikon dhënia me koncesion e laboratorëve, sa u takon spitaleve dhe autonomisë së tyre? 

Së pari, më lejoni që aspak si ligjvënëse partiake, konservatore përjetësisht pa lëkundje, por së pari si mjeke që pas biblës së shenjtë ka betimin e Hipokratit t’ju deklaroj se jo vetëm ky koncesion, por krejt veprimtaria e Ilir Beqjes dhe Edi Ramës në fushën e mjekësisë është kriminale. Do vijë koha, kur jo vetëm ky shtet, por Europa dhe OKB të hapin hetime internacionale për këto afera të pacipa e antihumane që përveç korrupsionit përmbajnë elemente të krimit kundër shëndetit të qytetarit. Komisioni që drejtohet nga deputetja Vokshi, emra të politikës e medicinës si prof.Tritan Shehu, e kanë ngritur e argumentuar politikisht e profesionalisht këtë problem. Por është hashashizuar çdo gjë në këtë vend e për më tepër veshi i droguar i qeverisë. Që në korrik 2015 jemi vënë në dijeni për mundësinë e dhënies me koncension të laboratorëve. Procedurat kërkojnë miratim përfundimtar të projektit dhe fizibilitetit të laboratorëve. Të gjithë profesionistët e shëndetësisë të kësaj fushe kundërshtuan me fakte këtë në një dëgjesë në komision parlamentar. Laboratorët mjekësore publike, janë shërbime klinike të rëndësishme, hallka kyçe të sistemit shëndetësor, që ndikojnë në masën 70-80 % të diagnozës dhe vendim-marrjes mjekësore. Ato, veç funksionit diagnostikues, kanë funksione të pazëvendësueshme publike në situata të emergjencave kombëtare, epidemive, fatkeqësive natyrore, depistimeve dhe si të tilla janë elemente strategjike të sigurisë kombëtare. Këto funksione publike me rëndësi jetike për shëndetin e popullatës nuk mund t’i delegohen nga shteti institucioneve private që kanë një filozofi tjetër funksionimi me bazë fitimin. Pse duhet të eksperimentojmë një sistem të paqartë, të dështuar në shumë vende, më të shtrenjtë, ku BE-ja nuk jep asnjë rekomandim pasi rrezikohen paratë dhe shëndeti i qytetarëve. Ky vendim i jep goditje vdekjeprurese spitaleve dhe autonomisë së tyre.

Çfarë ndodhi në seancën e fundit, ku propozimi i LSI për pezullimin e dhënies me koncesion të laboratorëve u rrëzua? 25 deputetë demokratë dhe aleatë nuk morën pjesë në votim, thjesht u “zhdukën” gjatë votimit. A ka pasur PD-ja negociata me LSI, kundër koncesionit të laboratorëve?

Sqaroj se ne nuk e ndajmë maxhorancën në hajdute të mirë dhe hajdute të keqe. Maxhoranca është një trup korruptiv dhe do jenë gjykatat ato që do përcaktojnë përgjegjësinë e secilit. PD dhe kryetari Basha mbrojnë kauza dhe nuk janë seleksioniste të korruptuarish. PD është e përcaktuar me aleanca në lidhje me interesat e qytetarit dhe aspak me meskinitetet kriminale në gjirin e klepto-oligarkise. Ne jemi parti politike, e cila vepron mbi principe organizative. Nuk di që kryetari Basha të na ketë komunikuar fluiditete konspirative të këtij lloji jo vetëm tani, por në asnjë rast. Përkundrazi, orientimi politik ka qenë e ngelet principial: Aleancë me qytetarin kundër maxhorancës së kriminalizuar.

A kishte PD-ja strategji për ta kërkuar anulimin për një koncesion të quajtur nga ju si korruptiv apo ishte një dakordësi në heshtje me PS-në, mosvotimi në seancë?

Ne Komisionin e Shëndetësisë sa për saktësim vetëm ne kemi kundërshtuar dhe votuar kundër këtij koncensioni. LSI u kujtua në seancë për një amendament që abstenoi dhe vetë Meta. Ne jemi të ndërgjegjshëm që aleanca e qelbësirave ka siguruar numrat e dhunën e kartonëve. Ne jemi parti e vlerave dhe e frymës demokratike. Nuk përdorim gjysmën e kalbur për të shëruar kalbësirën tjetër. Kryetari Basha tregoi hapur se përpara Pushtetit është demokracia e përpara partisë është Shqipëria. Dhe si demokracia e Shqipërisë nuk shërohet duke u mbështetur te LSI-ja.

Cilat janë disa nga efektet negative që pritet të sjellë privatizimi i këtij shërbimi dhe privatizimi i laboratorëve do të sillte pasiguri kombëtare?

Projektet e PPP do të dështojnë përderisa nuk mbështeten nga mjekët dhe profesionistët. Kjo kur transformohet një strukturë shtetërore në një strukturë private dhe kur mënyra e menaxhimit të burimeve njerëzore ndryshon radikalisht nga sektori publik në atë privat. PPP e një spitali universitar është shumë më komplekse se e një spitali. Nuk ka asnjë shembull ku shërbimi laboratorik i vetëm universitar i një shteti të jepet me koncesion. Aplikimi i këtij projekti në QSUT do të kishte efekte të shumëfishta negative, jo vetëm për karakterin unik të shërbimeve laboratorike në këtë qendër universitare, por dhe në dëmtimin e parikthyeshëm të funksionit pedagogjik, edukativ- formues dhe shkencor të këtyre shërbimeve, që janë qendra kombëtare unike dhe ekselencë për formimin, specializimin dhe punën kërkimore të të rinjve në këto fusha. Qendrat universitare duhet të kenë autonomi të plotë për të përmbushur funksionin e tyre edukativ dhe kërkimore. Alarm ngelet dhe flakja e profesionistëve të laboratorëve nga puna. Burimet njerëzore krijohen, trajnohen dhe duhet të ruhen e mos preken.

z.Deda keni akuzuar lidhur me urgjencat e Tiranës. Referuar dhe një raporti të publikuar ditë më parë, thuhej se me urgjencat bëjnë shkelje të mëdha, për ju si qëndron çështja dhe keni ndonjë rast konkret?

Me shqetësimet dhe abuzimet në Urgjencën e Tiranës jemi njohur në kohën kur Ministri i Shëndetësisë z.Beqaj shkriu këtë urgjencë për t’ja dhënë privatit, shoqërisë ERA. Kjo gjë ka ndodhur në 2 Shkurt pas vendimit të MSH, të nxituar dhe që bie ndesh me ligjin për urgjencën në RSH, ku personeli shëndetësore i Urgjencës së Tiranës filloi të kundërshtoj në media për këtë problem. Ne, një grup deputetësh të opozitës vajtëm në urgjencë për t’i takuar kolegët dhe për të parë nga afër problemet që i shqetësonin. Ne aty pamë që ato kishin të drejtë. Pamë gjendjen katastrofike të Urgjencës dhe të autoambulancave të cilat vetëm ashtu nuk mund të quheshin, ato janë furgona. Ato nuk kishin as defibrilator, as oksigjen, as aspiratorë, as ilaçet e nevojshme. Aty kishte vetëm një barelë jo funksionale.  Nga personeli mësuam se autoambulancat ishin shumë të vjetra dhe të superamortizuara, pa koalidim dhe pa siguracion prej shume vitesh. Aty morëm vesh se kolegët kishin bërë peticione pranë Komisionit të Shëndetësisë, ministrit të Shëndetësisë, Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit. Një grup kolegësh më kërkuan një takim të veçantë me mua si kolegë. Natyrisht që, i prita, i dhashë të drejtë kërkesave të tyre dhe i premtova  se do të jem përkrah tyre. Këtë e kam bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë, jo vetëm se ata patën besim tek unë, por sepse ato kanë të drejtë. Kolegët e mi kanë pas presioneve të bëra nga eprorët e tyre, kanë frikë të kërkojnë të drejtën e tyre. E kanë lënë fatin e tyre në dorë të Beqës me kompani. Ne kemi thënë se shkrirja e Urgjencës ishte abuzive dhe korruptive. Ka një vit që në shërbimin e urgjencës, nuk ka asnjë ndryshim e jo pozitiv, por është braktisur tashmë, e lënë pa shërbim spitalor gjithë Tirana. Nuk kanë çuar aty asnjë autoambulancë të re.

Për këto raste, por edhe ato të mëparshme që ju keni ngritur për urgjencat, keni vënë në dijeni drejtuesit e shëndetësisë për këtë situatë dhe çfarë ju kanë komunikuar?

Për të gjitha këto probleme të Urgjencës e thirrëm ministrin në Komisionin e Shëndetësisë, por refuzoi shumë herë që të referonte me dokumentacionin përkatës që i kërkuam. Ky ministër ka refuzuar dhe ftesën për këtë problem edhe në një emision televiziv. Problemin e shkatërrimit të shërbimit të Urgjencës së Tiranës e kam ngritur pothuajse në çdo seancë plenare në Parlament. Kam bërë gjithnjë denoncime në median e shkruar dhe vizive. Por nuk kam për ta lënë dhe pa e ndjekur dhe në rruge ligjore pranë organeve të Drejtësisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. I bëj thirrje të gjithë drejtuesve që nga ata të Urgjencës së Tiranës deri tek ministri, që të heqin dorë nga presoni që ushtrojnë mbi personelin shëndetësor të Urgjencës. Po ashtu i kërkoj KLSH të bëj objekt kontrolli urgjencën e Tiranës e cila nuk është bërë objekt kontrolli asnjëherë, duke ditur që abuzohet me fondet dhe burimet njerëzore. Mospërballja, heshtja e MSH është tregues i qartë i skandalit më të madh në Shëndetësi duke implikuar dhe Policinë e Shtetit dhe fondacionin “Era”.

SHKARKO APP