Deda: Kritikat ndaj Bashës, nga ata që të shesin për pesë aspra

Flet për “Koha Jonë”, deputetja Albina Deda: “Në PD nuk ka puçe dhe as grushte shteti”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kritikat në mbledhjet e grupit të Partisë Demokratike, për liderin Basha, për deputeten Albina Deda, janë të pavend, pa sens e argument. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e PD-së, Deda, shprehur lidhur me ato që po ndodhin në selinë blu, pse ka kaq shumë kritika edhe nga ish-deputetë të PD-së, ndaj Lulzim Bashës dhe fjalëve se duan t’i marrin partinë. “Shkurt në PD as nuk merret dhe as nuk jepet, as nuk blihet e as nuk shitet partia”,-shprehet Deda. Ajo nuk kursehet edhe për kolegët e saj, ku shprehet se:”Ky mendim është import i neveritshëm kritizerësh, pa sens e argument vetëm për të paralelizuar atë që po ndodh tek e majta, natyrisht që unë si demokrate nuk e pranoj”. Për debatin për lista të hapura apo të mbyllura në Kodin Zgjedhor, deputetja, shprehet se:”Jam e gatshme e ballëhapur të ballafaqohem me votuesin”.

Komisioni i Reformës Zgjedhore, pritet të përplaset sa i takon çështjes së sistemit, me lista të hapura apo të mbyllura. Personalisht, për ju cila është më e mira, ndonëse partia juaj është kundër listave të hapura? A jeni e gatshme të përballeni me zgjedhjen e votuesit dhe t’ia lini atij në dorë që t’ju zgjedh si deputete?

Së pari, dua ta nis nga fundi i pyetjes suaj fillimin e përgjigjes time. Jam e gatshme e ballëhapur të ballafaqohem me votuesin. Në çdo çast të mandatit tim kam qenë jo vetëm pranë mirditorëve, por sinqerisht kam përjetuar bashkë me ta këto tre vite të vështira të këtij sundimi arrogant e korruptiv. Nuk kam neglizhuar asnjë rast për t’i ardhur në ndihmë votuesit tim. Po ashtu edhe si pjesëtarë e ligjvënëse e PD-së jam po aq krenare se sistematikisht po i servirim qytetarëve alternativa reale dhe jo premtime të rreme e populiste. Sa i përket sistemit zgjedhor dhe listave dua të them se ne kemi ekspertë mjaft të zotë e të kultivuar, të cilët kanë përvijuar mendime të sakta juridike që konvenojnë me sistemin kushtetues dhe kushtet e vendit tonë. Është maxhoranca ajo që vepron tinëzisht për korruptim të zgjedhjeve e manipulim. Edhe e ashtuquajtura reformë territoriale ishte pjesë paraprirëse e kësaj strategjie të rrezikshme. Dua ta përfundoj përgjigjen me një fjali që më tha një plak i mençur në zonën time: “Këta socialistët dëshirojnë që dhe votat t’i drogojnë. Ka një diskutim këto ditë rreth votimit me “listë të hapur”. Siç dihet votimi me listë të hapur apo të mbyllur është variant i sistemit proporcional. Nëse përkrahësit e votimit me “listë të hapur” kanë parasysh nevojën popullore për të shprehur direkt vullnetin për deputetin e dëshiruar prej tyre dhe kufizimin e vullnetit të kryetarëve të partive, atëherë pse të mos kthehemi tek sistemi maxhoritar? Për mua është domosdoshmëri që votimi të jetë një proces sa më i thjeshtë për votuesin dhe ngelet e pashpjeguar që në këtë sistem proporcional me listë të hapur, si teknikisht do realizohet ky lloj votimi.

z.Deda, çdo ditë ju denonconi rastet siç i quani, skandale me sistemin shëndetësor. Si pjesë e saj e si drejtuese për vite me rrallë, cila është pika, e cila ka sjellë dhe ato që ju shqetësoheni, shkatërrimin e Shëndetësisë në vend?

Nuk ka reformë të promovuar këto vite nga Edi Rama dhe banda e tij klepto-oligarkike jo vetëm të mos ketë dështuar që në nisje, por të degraduar në skandale të padëgjuar as në sulltanatet mesjetare. Por reforma në shëndetësi është më e ndjeshmja pse ka të bëjë direkt me jetën e qytetarit. Unë e përjetoj me trishtim atë që po ndodh si nënë e më tepër si mjekë kur shoh se betimi i shenjtë i hipokratit po zëvendësohet nga maja e piramidës në bazë me vjedhje bastarde, korrupsion e papërgjegjshmëri që po merr jetë njerëzish deri dhe të foshnjave. Ky nuk është shqetësim, por alarm për jetën ndaj asnjëherë nuk do ndaloj se evidentuari e denoncuari këtë makabritet human. Skandalet, hajdutëria, braktisja e pacientëve dhe shndërrimi i misionit të shëndetësisë nga human në atë kriminal vazhdon me shpejtësi nga MSH dhe qeveria e majtë Rama- Meta. Kemi ndjekur çdo ditë hapat shkatërrues të skemës shëndetësore  dhe abuziv të kësaj qeverie dhe të ministrit të shëndetësisë në sektorin më jetik atë të shëndetësisë.  Heqja e sigurisë së barnave futja e barnave false, të skaduara “gjoja më të lira” është një skandal i madh për shëndetin, por dhe korruptiv e kriminal. Vendi pa shërbim publik shëndetësor. Mjekët po ikin nga vendi. Në tre vite të qeverisjes së Rilindjes janë larguar jashtë vendit dhe jashtë sistemit si pasojë e moshës dhe largimeve nga puna sipas të dhënave mbi 600 mjekë. Por dhe numri i të diplomuarve çdo vit është më i vogël se largimet. Shqipëria ka rreth 1,1 mjekë për 1000 banorë. Vendet e BE-së kanë rreth 5 mjekë për 1000 banorë. Në rajon kemi Maqedoninë me 4,6 mjekë për 1000 banorë. Në kushtet e shërbimit tonë shëndetësor, me nivelin ekstremisht të ulët të pagave të punonjësve të shëndetësisë, me numrin shumë të vogël të atyre që u jepet mundësia për tu specializuar (një shumicë e këtyre pa asnjë shpërblim) etj, mungesa aparaturave, medikamenteve, pajisjeve mjekësore, pavarësisë, mosplanifikimit dhe konsultimit për problemet që kanë në shërbime, kushteve. Vdekje për shkak të sistemit! Spitalet si në kohë lufte.

Ligji që lejon importimin e mbetjeve, u kthye në kuvend. Çfarë pritet të ndryshojë këtë herë, a duhet që PS-ja të dëgjojë zërin e shoqërisë civile  dhe nëse nuk arrihet Referendumi, ju si opozitë si do të veproni?

Ligji për mbetjet që maxhoranca miratoi me nguti e arrogancë, haptazi ka influencë e lobim deri në imponim nga qarqe mafioze brenda e jashtë vendit. Esenca e tij është kthimi i Shqipërisë në depo të mbeturinave të rrezikshme që siç dihet manipulohen nga grupe kriminale internacionale. E gjithë kjo po tentohet të maskohet me krahasime qesharake gjoja me vende të BE-së. Shoqëria civile po injorohet e media po atakohet e censurohet…! Referendumi është rruga më demokratike sidomos kur flitet për ndikime direkt në shëndetin e jetën e njerëzve. Shqipërisë sot i duhet me emergjencë ligj që lehtëson deri në subvencion preferencial biznesin e përpunimit teknologjik shkencor të mbetjeve ekzistuese. Mjafton të shikoni Porto-Romanon në Durrës që të skandalizoheni. Shqipëria është kthyer në një vend me ndotje jashtë çdo parametri edhe të vendeve më të prapambetur në glob. Kam qenë kundër këtij ligji, kam votuar kundër në seancë parlamentare, kam firmosur kërkesën e një grupi deputetësh të PD për referendum. Ne, opozita jemi të vendosur që të dëgjojmë zërin dhe vullnetin qytetar, interesat e tyre. Ne po mbështesim dhe argumentojmë kundërshtinë tonë si ligjvënës opozitarë dhe po shfrytëzojmë çdo hapësirë në kuvend dhe më tej nëse nuk reflektohet nga maxhoranca për t’i thënë jo këtij ligji. Importi i plehrave: Komisioni Europian shprehet kundër Shqipërisë. Nuk keni infrastrukturën e nevojshme.

Në mbledhjet e grupit, gjithmonë shfaqet kritikat e vazhdueshme kundër mënyrës së drejtimit të partisë ku kolegët tuaj janë prononcuar publikisht edhe nga ata jo publikisht.  Pse po ndodhin këto kritika ndaj z.Basha?

Që në fillim them se nuk dua të komentoj mendimet e kolegëve të mijë, por nuk dua as t’i bëj bisht pyetjes suaj. Po e përmbledh konsideratën time në dy fjali: Nuk ka parti që të ketë drejtësi e demokraci hyjnore por PD-ja ka dëshmuar se është forcë e mendimit të lirë. Zaten për atë dhe është krijuar. Por kur ky mendim është import i neveritshëm kritizerësh, pa sens e argument vetëm për të paralelizuar atë që po ndodh tek e majta, natyrisht që unë si demokrate nuk e pranoj. Unë dhe gjithë koleget e mijë por dhe anëtarët e thjeshtë të PD-së, kemi hapësira të bollshme për pjesëmarrje dhe ndikim logjik në vendimmarrje. Mitomania deri në keqdashje natyrisht që bëhet e pavend dhe lirimi prej saj bëhet i domosdoshëm. Ne gëzojmë mandatin e anëtarëve të PD-së, ndaj duhet që të mos shkelim kurrë mbi principet themelore të tyre. Ne jemi parti e frymës e idealeve rinore. Po ashtu si organizatë e komunitet politik duhet t’i nënshtrohemi disa parimeve logjike të bashkëjetesës dhe organizimit. E kur këto parime shkelen me dashje sistematikisht pra nuk respektohet vendimi politik i shumicës do të thotë se me ndërgjegje atakon ata që të kanë votuar dhe jo vetëm liderin.

Edhe ju z.Deda, keni kritikuar kolegët tuaj, qoftë dhe nëpërmjet rrjeteve sociale. E shihni të nevojshme dhe të duhur këtë situatë apo e shihni thjesht si mënyra për të tërhequr vëmendje, duke qenë se jeni afër zgjedhjeve parlamentare?

Përgjigjen e kësaj pyetje dua ta japë shumë të drejtpërdrejtë. E para, jam sa krenare po aq dhe e ndjeshme ndaj demokratëve shqiptarë që i përfaqësoj, ndaj kurrë me asnjë çmim nuk bën jo t’i tradhtoj, por as pa dashje t’i lëndoj. E dyta gjeneza ime nuk më lejon kurrë të devijoj parimet për të cilat janë persekutuar të parët e mijë. E treta unë jam një deputete e thjeshtë dhe rri shumë afër zgjedhësve e njoh mirë aspiratat e ndjeshmëritë e tyre. Kështu që qëndrimet e mija individuale e politike janë në mos unike, shumë të ngjashme me ato të zgjedhësve të mijë dhe nuk kanë të bëjnë me taktika a strategji parazgjedhore. Ky qëndrim është vetë karakteri im, i hapur dhe pa paramendime e kompleksime.

Gjithashtu, keni dëgjuar dhe parë që ka një përplasje mes PD-së dhe SHBA-ve, ku deklaratat e z.Basha dhe ish-kryeministrit Berishës shënjestrojë qëndrimet e Ambasadorit Lu. Por a rrezikon PD-ja me të tilla qëndrime të forta që të sjell dëmtim tek e ardhmja e së djathtës?

Është paradoksale që PD dhe drejtuesit e saj akuzohen për raporte të përkeqësuar me SHBA pikërisht nga pinjollët e kastës së kuqe të Enver Hoxhës, që frymën antiperëndim e kanë të injektuar gjenetikisht. Sado të klonuar, ata nuk arrijnë dot të shiten e për më tepër të amerikanët. Ata si etërit e tyre biologjik e shpirtëror kanë mjet të vetëm dhe argument propagandën. Nëse diplomatët amerikanë bisedojnë me zyrtarët e shtetit e qeverisë kjo nuk përben simpati të tyre ndaj individëve e partisë, por ndaj shqiptarëve e Shqipërisë. Sa për PD-në, ajo është forca që ka e do të ketë marrëdhënie të fuqishme e speciale me SHBA-në, për arsye që dihen. Por ne jemi të hapur e të sinqertë në këto marrëdhënie dhe këto cilësi çmohen nga partnerët tanë. Kjo është e vërteta e madhe ndërsa e kundërta është insinuatë e propagandë.

z.Selami sulmet kundër Donald Lu, i ka cilësuar si riciklim i mbetjeve të diktaturës. Kritikat janë se, z.Basha nuk e ka dorën e lirë për të marrë vendime të brendshme, pasi është nën influencën e z.Berisha, edhe sulmi ndaj ambasadorit Lu?

Unë siç thashë më lartë, dominohem nga çiltërsia dhe nuk kompleksohem nga konspiracione e insinuata. Në qoftë se ka …njerëz politik që i është nënshtruar riciklimit duket se do t’i nënshtrohet teknologjive të reja që rezultojnë me zero rrezik për ndotje. Sa për z.Berisha di t’ju them se ai ka dëshmuar se është një burrë shteti i vërtetë, që i qëndron me konsekuencë parimeve e angazhimeve të tij. Ai ka deklaruar se nuk influencon në vendimmarrje dhe kjo është e vërtetë. Por nuk është kjo që i tremb të majtët. Ata i tmerron autoriteti i Berishës, harmonia Basha -Berisha dhe më tepër se gjithçka autoriteti në lartësim i z. Basha, jo vetëm si lider partiak, por së pari si alternativë nacionale shumë premtuese. Pjesa tjetër është oshtimë në hon që ka objektiv diversitetin e insinuatat primitive që sistematikisht përpunohen në laboratorët e PS-së!

A ka opozita strategji për të ardhur në pushtet, duke parë dhe qëndrimet e kolegëve tuaj se nga selia blu nuk ka dalë ende shpresa që shqiptarët presim?

Natyrisht që, opozita ka një strategji jo thjesht për të ardhur në pushtet, por së pari për një shndërrim të situatës në vend, e cila po varfëron e streson deri në limitet e skajshme të arsyes popullin shqiptar. Nuk ka nismë të rëndësishme këto tre vite, që të mos jetë marrë e zhvilluar nga PD. Ne kemi programin tonë në ç’do fushë dhe kryetari Basha po e konsulton me qytetarët masivisht anembanë vendit. Ne nuk do të fitojmë për të fituar, por për të ndalur rrënimin e grabitjen e Shqipërisë. Shpresa po vjen. Ajo nuk është meteor por frymë…dhe ne kemi lindur si parti e shtresave të mëdha në kohë të zorshme.

A janë të gjitha strukturat e PD-së në mbarë vendin në gjendje jo të mirë, sidomos në qytete kryesore ende degët e PD-së nuk kanë bërë zgjedhje dhe riorganizime?

Në vitin 2014 u zhvilluan zgjedhjet në strukturat e PD-së në të gjithë Shqipërinë. Në këto kushte nuk mund të thuhet se struktura është në gjendje jo të mirë. Nuk është faji i strukturës për rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2015. Pati dhe elementë të kryesisë që punuan kundër pasi ishin mësuar të punojnë vetëm për vete, e jo për kolegët, bashkudhëtarë të PD-së. Nisma e Kryetarit Basha për të qenë afër anëtarësisë në aktivitete dhe mbledhjet e kryesisë në çdo degë është mirëpritur dhe po jep rezultate pozitive. Ndërkohë, në përputhje me udhëzimet e PDSH, janë në proces riorganizimi disa degë, të cilat do të dalin më të forta nga ky proces. Duhet të ishte bërë me kujdes me koordinatorët në rrethe sidomos në Qarkun Lezhë, (Mirditë e Kurbin). Puna e z.Gjana lë shumë për të dëshiruar. Nuk mund të vijë në rrethe pa konsideruar deputetet e zonës, në rastin tim (ku unë jam përzgjedh si deputete, pjesë e kësaj strukture ndër vite, si deputete që jetoj në zonën time, ndjek problemet e zonës, por dhe përballem me keqqeverisjen, problemet e shëndetësisë, inkriminimin e zonës nga maxhoranca, hashashizimin, krimin, e skandalet e shumta që i kam bërë prezente në media, në parlament e nëpërmjet shkrimeve të mia denoncuese. Krahas hapjes dhe thirrjes për bashkim nëse duam të forcojmë strukturat e PD-së nuk mund të lihen jashtë këtij procesi drejtues, të mandatuar që kanë drejtuar fushatat e PD ndër vite dhe ata në zgjedhjet e fundit. Partia Demokratike ka strukturat e saj solide në të gjithë vendin sot. Sistemi i ri i organizimit vendor ka bërë qe dhe ne t’i përgjigjemi me struktura e organizim të ri.

Ish- deputetë të PD-së, janë shprehur se ka tentativa që t’i marrin drejtimin e partisë Lulzim Bashës?

Në PD nuk ka puçe dhe as grushte shteti. Ne jemi themelues të pluralizmit politik në këtë vend. Çurçill thotë: “Vota e lirë është skeleti dhe mishi i demokracisë”. Shkurt në PD as nuk merret dhe as nuk jepet, as nuk blihet e as nuk shitet partia. Këto janë përjetimet reale të ditura botërisht të kundërshtarit tonë politik. Lulëzim Basha është kryetar jo vetëm i ligjshëm i PD-së, por dhe i zgjedhuri plebishitar i gjithë anëtarësisë demokrate. Ai është sot jo vetëm alternativa unike në PD për ringritje, por dhe e vetmja shpresë për ringjallje kombëtare. Nuk është e lehtë për një forcë politike në një vend të vogël si ne të prodhosh një lidership të tillë. Pasi roli i liderit edhe më gjatë do të jetë i rëndësishëm tek dhe jo vetëm. Të idhnuarit me paaftësinë e vet, ata që për pesë aspra shesin idealin për të cilin janë votuar e përbetuar dikur nuk janë as aktorë, as dublantë politikë, madje, as suflerë të pas kuintave. Ata janë ata!

Vet z.Basha ka hapësira që duhet t’i përmirësojë për sa i përket drejtimit të PD-së, sugjerimet e aleatëve të PD-së është që zgjedhjet e 2017, kreu Basha t’i bëjë pa z.Berisha?

Me shumë sinqeritet ju deklaroj se riorganizimi ynë është jo proces pastrimi e bërrylash si në PS, ku profesorët e ata që u munduan të transferojnë Partinë Komuniste në një parti tjetër të pranueshme janë përzënë e zëvendësuar me çerra politikë, pa identitet, as politik dhe as njerëzor. Tek ne sundon konservatorizmi politik modern dhe respekti për secilin kontributor. E kur flitet për Dr.Berishën atëherë kemi të bëjmë me një legjendë politike. Respekti i z. Basha për Sali Berishën është respekti që ai ka për çdo demokrat shqiptar. Ka tre vite që PS-ja i bie kësaj melodie, diversioni interpolitik, por ka rezultuar të jetë e padobishme. Brezat e sotëm dhe ata që do vinë në PD, do të kenë të shpalosur si kolateral gjithë kontributin e tyre. Ne jemi demokratë dhe demokratët janë fisnikë. Fisnikët janë krenar dhe fanatikë për vlerat që kanë krijuar dhe në garë me të tjerë e me vetveten, për t’i çuar shumë më lart. Basha është prononcuar publikisht për liderin Berisha. Për sa kohë e duan dhe votojnë demokratët dhe është zëri më i fuqishëm i opozitës do të jetë aty ku e meriton. Dr.Berisha është dhe do të jetë lideri historik yni dhe i gjithë demokratëve e më gjerë.

SHKARKO APP