Deda: Mbyllja e shkollave, qeveri mjerane me shpjegime qesharake

Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e PD-së, Albina Deda

 Intervistoi: Redjon Shtylla

Shqipëria ndodhet në një situatë të acartë, ku vendi është pushtuar nga ngricat dhe gjithçka është “ngrirë”. Zona e veriut duket më e ndikuar nga temperaturat e ulëta edhe për shkak të mosinvestimeve në këto zona. Kështu akuzon deputetja e Qarkut Lezhë, Albina Deda. Deputetja e Partisë Demokratike në një intervistë për “Koha Jonë”, deklaron se në zonën e Mirditës vetëm helikopteri mund të japë ndihmë, pasi shumë familje atje vuajnë nga mungesa e energjisë elektrike. Më tej ajo denoncon dhe për vaksinat. “Vaksina që qarkullon është prodhim kinez pa fletë udhëzimi në shqip”,-theksoi deputetja.

Znj.Deda, që në fillim të 2017, vendi është përfshirë në një situatë të vështirë klimaterike, gjë që ka shkaktuar dhe një paralizim të jetës. Përtej politizimit, si paraqitet situata në Qarkun e Lezhës dhe në zonat përreth tij? Keni informacione si është gjendja në spitale, a po ofrohen të plota të gjitha shërbimet?

Gjithë njësitë administrative të Mirditës që lidhen me qendrën e saj në Rrëshen janë në vështirësi. Mungesa e investimit në rrugë, mirëmbajtjes së tyre para se të vinte dimri, të cilën e kam deklaruar edhe në Parlament edhe në media, edhe nga terreni bën që dimri dhe bora e ngricat t’i izolojnë më tej. Mungesa e energjisë elektrike po ashtu është problem shumë i madh. Në familje ka të moshuar, ka të sëmurë kronikë, invalidë, fëmijë të vegjël, gra shtatzëna, lehona që janë kontingjente më të prekshme nga viroza dhe komplikacione të saj e largësia e madhe, gjendja e rrugëve, mungesa e shërbimeve, e në të shumtën e tyre prania e mjerimit në këto familje e bën gjithçka të pamundur e rrezik për jetën e tyre.

Keni pasur komunikim dhe bashkëpunim me strukturat vendore, janë të gjithë në terren për të ofruar ndihmë ndaj familjeve dhe personave në nevojë?

Qeveria ka dështuar shumë para se të vinte dimri e para kësaj situate tani është “në fazën e ngrirjes dhe apatisë” dhe i ka ngel veç makina propagandistike se dhe borëpastrueset s’po i nxjerr në terren. Ditë e net të ftohta me borë e acar, ku gjithë zonat e thella të vendit edhe në zonën time, Mirditë, janë mbuluar nga bora dhe trashësia që shkon deri në 50 cm e më shumë familje energjia mungon totalisht. Mirdita ka terren të vështirë dhe shtrirje gjeografike të madhe. Është vështirë të menaxhosh urgjencat mjekësore në kohë normale me këtë sistem të dështuar shëndetësor, me rrugë të pamirëmbajtura e të painvestuara, e le pastaj me braktisjen e viteve të fundit, vetëm helikopteri mund të hyjë në zona. Këtu e katandisën Mirditën këta që premtuan asfalte e rruge më standarde.

Sa fshatra janë të izoluar dhe çfarë ndihme kërkoni konkretisht për këto zona nga qeveria lokale?

Bëj apel pushtetarëve në Mirditë, emergjencave civile, prefekturës, të ndërhyjnë sa më parë në zonat e thella. Ka aq shumë probleme me energjinë, rrugët e furnizimin me ushqime. Është në detyrën e gjithsecilit t’u gjendemi qytetarëve në vështirësi, në epidemi, në emergjenca, madje, politika të bëhet bashkë por kur nuk ka asnjë gjurmë të pushtetit në terren tek njerëzit, vetëm dalje sa për mediat e për të mbajtur qeverinë “në këmbë” edhe ky slogan me bazë humanizmin e humb vlerën dhe atë që duhej t’u ofronim në këto ditë të acarta mbi mjerimin ekzistues. Qeveria në qendër e bazë me njerëz që nuk kanë idenë e menaxhimit të pushtetit për qytetarët njerëz të korruptuar, njerëz të inkriminuar, në lidhje me krimin që dinë të menaxhojnë vetëm arrat e magazinat e hashashit.

Edhe një javë qeveria mbyll çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Arsyeja e mbylljes, sipas jush, ka të bëjë me epideminë gripale apo me amortizimin e shkollave?

Gënjeshtër e trashë qeveritare mbyllja e çerdheve, kopshteve, shkollave nga gripi. Pa le vaksinimi..!!!Vaksina e gripit nuk mund të aplikohet kur virusi stinor është aktiv. Një këshillë si mjeke. Në kontekst të sugjerimit skandaloz të Ministrisë së Shëndetësisë, nëse një person është i kontaminuar nga virusi i gripit, mund ta kalojë pa simptoma të rënda. Në qoftë se merr vaksinën në këtë fazë, virusi bëhet dhe më agresiv. Prandaj nuk rekomandohet aplikimi i vaksinës. Gjithsesi përveç mjekut edhe media mund të ndihmojë në këtë situatë. Meqë Ministria e Shëndetësisë “do të shesë vaksinat e gripit”, i kujtoj qytetarëve edhe mediave nëse mund të apelojnë që të bëjnë kujdes, pasi vaksina kundër gripit kur virusi i gripit stinor dhe është aktiv, gjë që nuk mund të aplikohet. Vaksina që qarkullon është prodhim kinez dhe pa fletë- udhëzimi në shqip. Vaksinimi jashtë çdo afati, cilësi e dobët dhe e dyshimtë, mbetet një problem edhe më i madh, madje është kriminale. As në përrallat me Nastradin nuk mund të gjesh mashtrime si këto të Edi Ramës dhe çetës së tij kleptomane. I tillë është dhe pezullimi i çerdheve, kopshteve dhe shkollave. Preteksti dhe justifikimi zyrtar: “Virozat gripale”. Një marrëzi e papranueshme. Realiteti është mungesa totale e kujdesit për popullatën me shërbime, për ngrohjen në çerdhe, kopshte e shkolla dhe amortizimi sigurisht i institucioneve të arsimit kudo në vend. Si mjeke jam e shokuar nga ky shpjegim absurd. Qeveri mjerane me shpjegime qesharake! Kjo ka vetëm një shpjegim. Në këto kushte epidemiologjike me realitetin e ambienteve, të arsimit, pa ngrohje, pa kushte higjieno-sanitare, pa mundësi transporti, e me shkolla, ku mësimi zhvillohet mbasdite, natën, dihej që qeveria me konsulent Beqën do t’i mbyllte ato. E di qeveria jonë që dimri në zonat malore zgjat shumë? A do t’i mbyllë shkollat qeveria qesharake deri në pranverë në këto zona? Se kështu i bie.

Gjithë ky alarm dhe mbledhjet e shtabeve të emergjencave, a ju duket se po bëhet fushatë me situatën e krijuar, pasi në vendin tonë nuk është se kanë munguar reshjet e dëborës edhe në të kaluarën?

Organizimi i një propagande shëndetësore të shpejtë, të gjerë dhe efikase është i rëndësishëm. Për propagandë këta janë të parët, por për sektorin përkatës propaganda e rilindjes nuk vlen. Duhet punë, masa paraprake dhe centivim i stafeve mjekësore. Ministria e Shëndetësisë, deri tani nuk ka dalë të thotë e të bëj krahasime me vitet e tjera, duhej të publikonte periodikisht të dhënat e plota epidemiologjike, krahasimet me vitet e kaluara, nivelin e komplikacioneve, llojet e shtameve qarkulluese me masat përkatëse. Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë me mekanizmat e saj është e vonuar dhe e dështuar përballë një gjendje virale dhe përkeqësimit të motit. Në kushte të shtimit të nr të të prekurve me grip, alarmi duhej dhënë rreth tre javë më parë, kur nivelet e “alertës” filluan të flisnin për një epidemi. Duhej pastaj të reflektohej në gatishmërinë e sistemit parësor, këshillimin shëndetësor dhe mirëfunksionimit të sistemit. Por të gjithë e dimë dhe e prekim keqfunksionimin e tij jo vetëm në ditë të tilla me ngarkesë më të madhe virale e komplikacionesh. Fakti që raste që mund e duhej të zgjidheshin në nivelin parësor dhe aktualisht ka dyndje në qendra spitalore e universitare, flet për probleme të tij, mosmarrje të masave e mos dhënie alarmi në kohë. Vaksinimi i personelit shëndetësor dhe i personave të riskut, që po fillon tani duhej të kryhej javë më parë, që të ishte i vlefshëm për këtë “valë” gripale. Parësori ndjek gjendjen deri në shfaqjen e komplikacioneve, prandaj theksoj se kemi vënë në dukje vazhdimisht që ky sistem në vend që të fuqizohej, ju hapen vrima rrugës, u nënfinancua, asnjë investim për të, përveç check-up i famshëm, i cili dështoi pa filluar.

SHKARKO APP