DEKLARATA E DEPUTETES SË PD-së, ELDA HOTI

DEKLARATA E DEPUTETES SË PD-së, ELDA HOTI:

8 Marsi nuk është thjesht ditë feste apo nderimi për vajzat, gratë, nënat, motrat dhe bashkëshortet, por edhe një ditë reflektimi serioz mbi sfidat dhe problematikat e përditshme të grave dhe masat që duhen marrë për t’iu ardhur atyre në ndihmë. Një prej shqetësimeve më të mprehta vazhdon të mbetet dhuna në familje apo dhuna me bazë gjinore, e cila pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe ndërgjegjësimit, për fakt të keq vazhdon të jetë shumë e pranishme në familjet shqiptare.

Sipas statistikave zyrtare, 611 persona u arrestuan vitin e kaluar për dhunë në familje. Ndërsa 11 gra gjetën vdekjen nga dhuna e familjarëve të tyre, kryesisht bashkëshortëve. Zegjine Sinani, Mevlute Hysa, Hasime Dafku, Etleva Kurti, Mimoza Paja, Migena Sinani, Alma Qevani, Luiza Mullalli, Luljeta Preza, Amanda Pushani, Afroviti Peci, ishin vajza, gra, nëna, motra dhe bashkëshorte që u ndanë padrejtësisht nga kjo botë për shkak të fenomenit të dhunës në familje. Ndërkohë Bedrie Loka dhe Sibela Abedini i dhanë fund jetës në fillim të këtij viti për shkak të bullizimit në rrjetet sociale.

Shifrat dhe të dhënat e mësipërme janë dëshmi ulëritëse se vajzat dhe gratë vazhdojnë të dhunohen, kërcënohen, bullizohen dhe vriten në vendin tonë. Policia, Prokuroria dhe Gjykata duken të pafuqishme për të mbrojtur qytetaret e tyre duke parandaluar këto krime të rënda dhe mjaftohen vetëm me regjistrimin për statistikë të rasteve. Ndërkohë qeveria e përqendruar të kozmetika dhe propaganda nuk duket e shqetësuar për të prodhuar zgjidhje reale për këtë fenomen.

E pra, pa vajza dhe gra të sigurta, nuk mund të ketë familje të qeta.

Pa barazi gjinore, nuk mund të ketë paqe sociale. Pa vajza dhe gra të emancipuara, nuk mund të ketë shoqëri të zhvilluar. Prandaj, 8 Marsi është edhe dita që të gjithë të bashkohemi në luftën kundër dhunës në familje, kundër dhunës gjinore, për familje më të qeta, për paqe sociale dhe një shoqëri të zhvilluar, ku askush nuk ndjehet i dhunuar, i kërcënuar, i bullizuar apo në rrezik për jetën.

SHKARKO APP